25.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Mustafa sërish kapet me “rebelët”

IsaMustafa-suharekeLideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk po mund që të pajtohet me mendimin ndryshe në partinë që ai e drejton. Duket se goditja që i dhanë shtatë deputetë duke mos e votuar për kryeministër, po e mundon edhe më tutje shefin e ekzekutivit kosovar.

Edhe në fjalimin e djeshëm që ai e ka mbajtur para anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka pasur një fjalim kontrandiktor, raporton Gazeta Blic.
Derisa në pjesën e parë të fjalimit Mustafa thotë se kjo parti respekton lirinë e fjalë dhe të mendimit, pak më poshtë ai thekson se partia e tij i pranon vetëm ato vlera që përfaqësojnë respekt ndaj organeve drejtuese të partisë, duke i paralajmëruar sërish “rebelët” me një far forme.
Gazeta Blic ju sjell këto dy paragrafe në fjalimin e Mustafës që janë në kontradiktë të plotë njëri me tjetrin.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që me aktin themelues, ndër shtyllat themelore të lirisë dhe demokracisë, kishte vënë për objektiv lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës, që është liri fundamentale. Ky ishte orientim historik i Presidentit Rugova dhe ky do të jetë orientim i ynë strategjik edhe në të ardhmen. Vlerat demokratike do ti ndërtojmë si vlera evropiane dhe euroatlantike.
LDK i pranon vetëm ato vlera që përfaqësojnë respekt ndaj programit, ndaj qëndrimeve të organeve të saj dhe ndaj degëve dhe anëtarësisë.
Ndryshe, koalicioni i arritur me PDK-në ka sjellë pakënaqësi të shumta në këtë parti. Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Anton Quni, Arben Gashi, Alma Lama, Doruntinë Maloku dhe Adem Salihaj nuk e votuan Isa Mustafën Kryeministër. Këta deputetë që bëjnë hiq më pak se 120 mijë vota, po shihen si rrezik permanent nga Isa Mustafa dhe servilët e tij për rreth.

Në vazhdim ju sjellim të plotë fjalimin e tij të mbajtur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm.

Fjala e Kryetarit të LDK-së, akademik Isa Mustafa, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së
Anibar Image

Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Të nderuar deputetë, kryetarë të komunave dhe kryetarë të degëve
Sot jemi këtu për të vendosur për zgjedhjet në organizatën tonë.
Zgjedhjet nënkuptojnë konkurrencë të vlerave të brendshme, nënkuptojnë freskim, nënkuptojnë regjenerim por edhe demonstrim të përkushtimit për familjen tonë politike, për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
LDK praktikisht që nga fundi i vitit të kaluar ka hyrë në procesin përgatitor zgjedhor. Tani, pas konstituimit të institucioneve të vendit, janë krijuar kushtet që të procedojmë me shpalljen e zgjedhjeve dhe t’i organizojmë ato në mënyrë cilësore.
Objektivi ynë gjithnjë ka qenë që të organizojmë një proces zgjedhor të përgatitur mirë, nga i cili LDK do të përfitojë në rritjen e anëtarësisë dhe cilësisë dhe do të bëhet më konkurruese për pushtetin e ardhshëm vendor dhe atë qendror.
Para disa ditësh kemi mbajtur Kuvendin zgjedhor të LDK-së në degën e Prizrenit, është zgjedhur kryetari i LDK-së, z. Haxhi Avdyli si dhe kryesia dhe unë shfrytëzoj rastin që në emrin tuaj t’iu urojë suksese në konsolidimin e kësaj dege, që është shtyllë e fuqishme e gjithë LDK-së.
Në rolin tim si Kryetar i LDK-së, jam krenar për atë që familja jonë politike ka arritur në këto 25 vjet pune dhe angazhimi. Kjo krenari forcohet kur kam parasysh sakrificën e madhe, punën e palodhshme te gjeneratave te shumta aktive në LDK.
Si forcë me e madhe politike në Kosove, ne duhet të sigurohemi që sakrificat e bëra nga qytetarët tanë të mos mbesin në harresë dhe se angazhimi ynë i përditshëm duhet të nderojë punën dhe sakrificën e tyre.

Në LDK, ne vendosmërisht besojmë se janë njerëzit, qytetaret e këtij vendi ata qe janë qendra e projektit tonë politik. Qoftë në Qeveri, komunë apo në çdo sfere te angazhimit publik. Ne kemi përgjegjësinë për të vepruar për qytetaret tanë; duke ngritur zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës e kemi të qartë se rritja dhe zhvillimin ekonomik i këtij vendi krijohet nga qytetarët tanë; nga bizneset, të vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla kurrizore e ekonomisë se vendit tone. Andaj ne do të zhvillojmë programin tonë politik të qendrës së djathtë i cili do të mundësoj rritje më të shpejtë ekonomike, punësim më të madh, strukturë konkurruese të ekonomisë dhe pjesëmarrje tonë adekuate në ekonominë regjionale, evropiane dhe në atë botërore.

Do të punojmë për rritjen e efiçencës së administratës publike dhe për efiçencën e pronës në interes të publikut. Duke u angazhuar për programin e ekonomisë sociale të tregut do të gërshetojmë interesat ekonomike, sikurse të atyre që drejtpërdrejti krijojnë vlera te tregut, ashtu edhe të atyre që janë pasiv si ofertues të mallrave dhe shërbimeve, siç janë të papunët, pensionistit, grupet e margjinalizuara, të paaftit për punë, fëmijët, të rinjtë e studentët.

LDK ka potencial, ka vullnet dhe guxim të ballafaqohet me shumë probleme të mosfunksionimit të shtetit ligjor, të korrupsionit e krimit të organizuar. Historikisht ka treguar konsistencën e saj për të luftuar dhe kundërshtuar të gjitha ekstremizmit, qoftë politike apo edhe ato fetare, që kanë ngritur krye kohët e fundit.
Ne ndajmë dhimbjen tonë për të gjitha viktimat e terrorizmit, çfarëdo qoftë ai. Solidarizohemi me familjet, qytetarët dhe gazetarët francezë, që para dy ditësh ishin viktima të shprehjes së fjalës së lirë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që me aktin themelues, ndër shtyllat themelore të lirisë dhe demokracisë, kishte vënë për objektiv lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës, që është liri fundamentale. Ky ishte orientim historik i Presidentit Rugova dhe ky do të jetë orientim i ynë strategjik edhe në të ardhmen. Vlerat demokratike do ti ndërtojmë si vlera evropiane dhe euroatlantike.

Të dashur pjesëmarrës,
Ne këto 4 vite, kemi bërë reforma te dukshme. Ndryshuam dhe aktualizuam dokumentet tona politike, Programin Politik dhe Statutin e LDK-së, dhe arritëm ta bëjmë LDK-në anëtare të familjes së madhe të Partive Popullore Evropiane.
Me këtë familje politike ne ndajmë vizionin politik, vlerat dhe programin tone.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ne patëm kontakte dhe vizita të shumta nga anëtaret e partive simotra te EPP. Vlen te theksohet sidomos bashkëpunimi me CDU, parti kjo e cila ishte pranë nesh në të gjitha fazat e anëtarësimit tonë në EPP por e cila po ashtu drejtpërsëdrejti apo edhe nëpërmjet Fondacionit Konrad Adaneauer Stiftung, përkrahu reforma dhe projekte të rëndësishme në Forumin e Rinisë dhe në Forumin e Gruas.

Kishim një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Institutin Demokratik Nacional, NDI në jetësimin e reformave tona.Ne jemi të vendosur për të ruajtur dhe për të zgjeruar rolin udhëheqës të LDK-së në zhvillimin demokratik të vendit tone. Këtë do e bëjmë duke mbetur besnik ndaj programit politik dhe duke qenë të hapur ndaj ndryshimeve. Do të bëjmë çmos për te përballuar sfidat e kohës sonë dhe do të punojnë në të mirë te qytetareve tanë.
Vlerat tona te përbashkëta janë gjithashtu garantues për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Shoqëria jone dhe vendi ynë, ka nevojë për punën tonë përmes politikave koherente dhe largpamëse.
Lidhja Demokratike do të vlerësojë gjithmonë kontributin e anëtarësisë besnike të saj, përkrahjen dhe mbështetjen e simpatizantëve dhe votuesve të saj.
Do të kultivojë respekt dhe besnikëri në vlerat themelore të LDK-së. Këto vlera nuk do ti zhvillojmë si dogmë por si themele mbi të cilat ne do të ndërtojmë një rrugë dhe një të ardhme e cila duhet të përshtatet me nevojat dhe ecuritë aktuale në vend dhe ato ndërkombëtare. Perspektivën tonë nuk do ta ndërtojmë duke u shikuar në pasqyrën e së kaluarës, por duke shikuar drejtë së ardhmes dhe duke respektuar njëherit njerëzit dhe të shkuarën tanë shumë të çmuar.
Do të respektojmë çdo qytetar të Kosovës. Ne do të sillemi me respekt edhe ndaj rivalëve tanë politik, por do të mundohemi që vlerat tona konkurruese të jenë më të mira sesa të rivalëve tanë, dhe mbi këto vlera ta qeverisim vendin dhe të ndërtojmë perspektivë për njerëzit tanë.
Ne kemi shumë sfida për të kapërcyer.
Duhet ta mbajmë konsistencën partiake dhe ta zhvillojmë dhe kultivojmë demokracinë e brendshme;
Duhet të sigurojmë njerëz të aftë, të përgatitur mirë dhe të përkushtuar për të drejtuar vendin mbi bazat programore të LDK-së;
Mbi këto baza do të ballafaqohemi me sfida shumë të rënda, sidomos të zhvillimit ekonomik, tërheqjes së investimeve të huaja, qëndrueshmërisë buxhetore, luftës me varfërinë dhe papunësinë, korrupsionin e lartë, krimin e organizuar, politikat populliste dhe ekstremizmin politik e fetar. Me të gjitha këto vështirësi kemi nevojë të hapin shtigjet për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Unë jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë me anëtarësinë tonë të përkushtuar, me njerëz që respektojnë dhe janë besnik ndaj LDK-së; me njerëz që kanë dije dhe guxim të hapin rrugë dhe të ballafaqohen me realitetin.
Orientimet tona për zhvillimin e vendit, për forcimin e brendshëm për zgjerimin partiak janë shumë më të rëndësishme dhe më të dobishme sesa konsumimi për të imponuar qëndrime individuale.
LDK vlerëson vlerat individuale të çdo anëtari të saj, të çdo bartësi të përgjegjësive politike e shtetërore, sepse mbi vlera individuale ndërtohen edhe vlerat tona të përgjithshme, por historiku i shkurtër apo i gjatë i kësaj partie tregon qartë se asnjëri nuk ka arritur që LDK-së t’ia imponojë sjelljet që nuk korrespondojnë me kulturën dhe traditën partiake.
LDK i pranon vetëm ato vlera që përfaqësojnë respekt ndaj programit, ndaj qëndrimeve të organeve të saj dhe ndaj degëve dhe anëtarësisë.
Te nderuar pjesëmarrës,
Sot këtu në Mbledhjen e njëmbëdhjetë të Këshillit të Përgjigjëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju propozoj fillimin e procesit zgjedhor brenda partiak.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar dokumentet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të brendshme, të cilat janë në përputhje me Statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përvojat e Partive Popullore Evropiane.
Unë besoj që Lidhja Demokratike e Kosovës do ti organizojë zgjedhjet në frymën më demokratike të mundshme, duke garantuar një garë demokratike dhe fer, të hapur dhe të barabartë për të gjithë anëtarët e LDK-së. Vetëm me një proces fer dhe demokratik mund të garantojmë zhvillimin e mëtutjeshëm të LDK-së, duke sjellë vlera dhe kuadro që do të jenë në gjendje të Qeverisin me vendin, dhe të integrojnë Kosovën në familjen evropiane.
LDK duhet të vendos qartë kritere dhe kërkesa për këtë proces zgjedhor, sepse duhet të jemi koherent me kërkesat e kohës, dhe sfidat që presin udhëheqjen e re të LDK-së. LDK duhet të jetë në gjendje tu jap mundësi të gjëra veprimtarëve shumvjeçar, të rinjve dhe të rejave, njerëzve me autoritet tek qytetarët, përfaqësuesve të bizneseve, komunitetit të artistëve dhe krijueseve letrar, atyre që kanë dije dhe ekspertizë, kuadrove nga lëmenjtë me prioritet, si shëndetësia, arsimi, ambienti, sportistëve dhe gjithë atyre që janë të aftë dhe të përkushtuar për LDK-në.
Është hera e parë që Lidhja Demokratike e Kosovës, udhëheq me Qeverinë e Kosovës, në kohën e pasluftës, dhe tani në këtë proces të zgjedhjeve të brendshme partiake, vlerat demokratike dhe evropiane duhet të dominojnë edhe si shembull për partitë e tjera.
Ky proces zgjedhor do të shërbej si një angazhim shtesë për të vlerësuar strukturat e partisë, për të kontaktuar anëtarësinë, për të shpalosur programin dhe mbi të gjitha ky proces zgjedhor do të shërbej si një kontratë e re e LDK-së me qytetarët e Kosovës.
Ne dëshirojmë që puna jonë të ofrojë për qytetarët tanë lirinë, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin dhe njëkohësisht të forcojmë pozitën tonë si partia më e fuqishme në Kosove. Kjo do të thotë pune për zgjerimin dhe kohezion ne veprim.
Ne do të vlerësojmë punën e të gjithë atyre që sollën fitoren në zgjedhje, që kontribuuan në rritjen e votës për LDK-në qoftë në nivel lokal apo qendror.
Për neve është fitore çdo anëtar i ri i LDK-së. Çdo zgjedhje e mirë në nëndegë, çdo kryesi e aftë dhe impulsive e çdo degë, kryetarë të përkushtuar të degëve, që janë bartës të aktivitetit në terren.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizojë grupe punuese nga anëtarët e Kryesisë, Këshilli i Përgjithshëm, Deputetët, Kryetarët e Komunave, kryetarët e degëve për të mbështetur zgjedhjet në të gjitha nëndegët dhe për të siguruar një proces të rregullt dhe të suksesshëm.
Do të angazhohemi që të respektohen plotësisht rregulloret për zgjedhje dhe Statuti i LDK-së.
Një proces i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve, i bazuar në konkurrencë të vlerave dhe mbi votën e fshehtë do të jetë edhe një fitore e madhe dhe e rëndësishme në zhvillimin e mëtejmë të LDK-së dhe në zhvillimin demokratik të vendit.
Ju uroj suksese dhe ju ftoj që të aprovoni vendimet që ua kemi ofruar sot.
Faleminderit!

Më Shumë

Nis rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes së Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes...

SBASHK-u mësimdhënësve: Mos nënshkruani ndryshimet e Kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), thotë se kohëve të fundit po qarkullon një version i ri...

Lajmet e Fundit