3 C
Prizren
E premte, 26 Dhjetor, 2025

NATO do të vendosë për të ardhmen e FSK-së

FSK12-16Rishikimi i sektorit të Sigurisë që është pritur të rezultojë me ndryshim emri dhe mandati të Forcës së Sigurisë së Kosovës është diçka që zyrtarët e NATO-s thonë se nuk është diskutuar ende në nivel të saj. Për më tepër zyrtarët e NATO-s i kanë thënë Radio Kosovës se vendimi nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të evoluoj do të merret nga Këshilli Veri- Atlantik.

Duket që do të jetë Këshilli Veri-Atlantik ai që do të thotë fjalën përfundimtare nëse mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të duhet të ndryshoj. Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s.

Duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë tërë tiparet e një ushtrie.

Por, këtë deklarim zyrtarët e NATO e kanë cilësuar “të nivelit të brendshëm”. Për më tepër, ata kanë thënë se NATO aktualisht mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj aktual.

“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.

Sa i përket formatit të ardhmes së forcës ushtarake të Kosovës zyrtarët e NATO-s kanë thënë se kjo pritet të vendoset pas rishikimit që do t’i bëjë Këshillit Veri- Atlantik prezencës së NATO-s.

“Në lidhje me pyetjen tuaj rreth së ardhmes së statusit të FSK-së kjo është hipotetike dhe nuk është diskutuar në NATO. Nëse mandati dhe misioni i FSK-së do të ndryshoj, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, thuhet në këtë përgjigje të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s.

Qeveria e vendit pritet të bëjë publike materien e dokumentit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë nga i cili ndryshimet qenësore bien mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dikasterin përkatës qeveritar ministrinë e FSK-së. Aktualisht nuk dihet se cila do të jetë përbërja, potenciali dhe skema e funksionimit të forcës ushtarake e të Kosovës e para së gjithash koha e operacionalizmit të saj.

Më Shumë

FC Prizreni shpallet “Klubi i Dalluar i Vitit 2025”

FC Prizreni është vlerësuar me çmimin “Klubi i dalluar i vitit 2025” në ceremoninë “Laureatët 2025”, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport...

Nuk ka të lënduar nga zjarri mbrëmë që përfshiu disa lokale në Prizren

Një zjarr ka përfshirë disa lokale në afërsi të stacionit të autobusëve në Prizren. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë...

Shi dhe borë sot

Lajmet e Fundit