13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ndahet nga jeta kritiku më i madh i letrave Marcel Reich-Ranicki

Marcel Reich-RanickiKritiku më i madh letrar gjerman, Marcel Reich-Ranicki vdiq në moshën 93 vjeçare, njoftoi e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku ai drejtonte prej vitesh rubrikën letrare.

Në pranverë kritiku Reich-Ranicki, i cili për një kohë të gjatë ishte zëri më me ndikim në letërsinë gjermane, u shpreh publikisht se vuante nga kanceri në prostatë.

I lindur në Poloni në vitin 1920 nga një baba hebre polak dhe një nënë gjermane, Marcel Reich kaloi adoleshencën e tij në Berlin, ku ai iu përkushtua letërsisë dhe teatrit.

Në vitin 1938, i refuzohet e drejta për studime në Universitetin e Berlinit për shkak të origjinës së tij hebraike dhe largohet më pas drejt Polonisë ku ai njohu ferrin e lagjeve të varfra të Varshavës.

Ai mundi t’i shpëtonte deportimit drejt kampeve të vdekjes në vitin 1943 duke u arratisur në shoqërinë e gruas së tij Tosia.
Prindërit e tij dhe të bashkëshortes si dhe i vëllai nuk mundën t’i mbijetonin Holokaustit.

Autodidakt me një kulturë të madhe, ai u vendos përfundimisht në Gjermaninë perëndimore në vitin 1958 ku u bë kritik letrar pranë së përditshmes prestigjioze gjermane “Die Zeit” nga viti 1960 deri në vitin 1973, dhe më pas pranë së përditshmes konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga viti 1973 deri në vitin 1998.

Autor i antologjive dhe eseve të panumërta, por gjithashtu i një autobiografie, ai drejtoi gjithashtu për 13 vjet nga 1988 – 2001 një emision televiziv mjaft popullor të titulluar “Kuarteti Letrar” ku u diskutua mbi më shumë se 400 libra.

Me anë të një komunikate, kancelarja Angela Merkel shprehu hidhërimin e saj të thellë për humbjen e një miku të pakrahasueshëm jo vetëm të letërsisë, por edhe të lirisë e demokracisë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit