10.1 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Ndërron jetë akademik Besim Bokshi, varrimi të dielën në orën 17

Akademik Besim BokshiAkademik Besim Bokshi, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare.

Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar profesori i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe të Fakultetit të Filologjisë në UP, Bardh Rugova.

“Është e vërtetë se ish-kryetari i ASHAK-së, akademik Besim Bokshi, ka ndërruar jetë. Akademik Bokshi ka qenë gjuhëtari më i madh shqiptar”, kanë qenë fjalët e Rugovës.

Ndërkaq, Komuna e Gjakovës, ka njoftuar se me rastin e vdekjes së akademikut Besim Bokshi, të dielën, me datë 17.08.2014, duke filluar nga ora 15 deri në ora 17, në palestrën e sporteve “Shani Nushi” do të bëhen homazhe.

Më pas, në ora 17, varrimi i akademikut të shquar do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Ndryshe, Akademik Bokshi ka lindur në Gjakovë më 12 XI 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat – në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.

Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Nga viti 1974 ishte zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, ishte zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes.

Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).

Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.

Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 ka qenë anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

BIBLIOGRAFIA

Librat e botuar:

Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ).

Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006

Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009.

Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.

Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998.

Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003.

Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.

Studime dhe artikuj:

Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes, Gjurmime albanologjike, SSHF, 1, 1971-72, Prishtinë.

Postposision of Artikl in the Balkans Languages, Actes du Congrès International des Études Balkaniques et Sud-est Européennes, Ankara, 1978 (rezyme e kumtesës së lexuar).

Sur l’origine des pronoms possesifs en albanais, Recherches albanologiques, 3, 1984.

Recostitution des différentes phases relatives à la postposition de l’ article défini dans les langues balkaniques, Rechershes albanologiques, 3,1985.

Politika gjuhësore në disa vise të Jugosllavisë, Gjuha shqipe, 1, 1987, Prishtinë.

Agense shqetësuese anticivilizuese e makiaveliste, Rilindja, 16.VI. 1990. Ribotuar në veprën e M. Emërllahut Nyja shqiptare, Prishtinë, 2001.

Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.

Për format e diatezave, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.

Profesor Selman Riza, Demokracia, XI, 1999.

Hyri në zgjua të metaforave dhe u bë amëz e tyre, Jeta e re, 1, 2001.

Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Shaban Demirajt, Studime, ASHAK, 5,6,7, 2001.

Për tri mbaresa vetore, Dardania sacra, 3, 2001, Prishtinë.

Për trajtat e përemrave vetorë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 19, 2002.

Në 70-vjetorin e lindjes së Fehmi Aganit, Studime, ASHAK, 8-9, 2001 – 2002.

Më Shumë

Krimi familjar, mjeku i Emergjencës në Prizren jep detaje për rastin (VIDEO)

Mjeku i Emergjencës në Prizren, Afrim Jahaj, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurave të krimit familjar sot në këtë qytet. Ai tha...

KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç konsumatorët me borxhe të akumuluara

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti i ujësjellësit për shkak të borxheve...

Lajmet e Fundit