18.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Ndërtimi pa leje i pendës shter ujëvarën e Mirushës

Diga në rrjedhën e lumit Mirusha ka më shumë se një dekadë që është ndërtuar, por për të nuk ka as leje ujore, ndërtimore e as pëlqim mjedisor nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Komuna e Malishevës e kishte ngritur këtë digë pa informuar fare Ministrinë, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e resurseve ujore.

Ndërtimi i kësaj pende ka ndikuar në degradimin e shtratit dhe në ndërprerje të qarkullimit normal të ujit në ujëvarat e lumit Mirusha.

Nga MEA kanë thënë për KOHËN se kanë urdhëruar Komunën e Malishevës që t’u nënshtrohen procedurave ligjore, që të pajiset me dokumentacione, por ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Diga-penda në fjalë është ndërtuar nga Komuna e Malishevës, dhe për këtë nuk e ka informuar fare Ministrinë e Ambientit. Informatën e parë për ndërtimin e kësaj pende, ne si ministri e kemi marrë në vitin 2014, në momentin kur trupi i pendës ka filluar të pësojë dëmtime, prandaj në atë kohë Komuna ka kërkuar ndihmë financiare nga Ministria për rregullimin-evitimin e këtyre dëmeve në trupin e pendës. Ne kemi urdhëruar Komunën e Malishevës që t’u nënshtrohet procedurave ligjore për pajisjen me dokumentacione, por ajo nuk ka zbatuar urdhëresën e dhënë, dhe për këtë arsye si objekt pa leje Ministria pasi i ka ndarë fondet i ka anuluar dhe nuk ka investuar për riparimin saj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Edhe Inspektorati i Mjedisit ka lëshuar një vendim, me të cilin ka urdhëruar Komunën e Malishevës që t’i largojë të gjitha objektet nga rrjedhat e lumenjve në territorin e saj.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, thotë se diga është ndërtuar para se të vijë ai në pozitën e kryetarit dhe se nuk e di nëse nuk ka leje.

Shkaku i vërshimeve që kanë ndodhur në vitin 2016, diga kishte pësuar dëmtime dhe paraqet rrezik të mundshëm të shpërthimit, e që do të kishte pasoja për fshatrat poshtë liqenit si Mirusha, Lumnishta, Turjaka e Bubli.

Derisa Komuna e Malishevës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk kanë komunikim dhe pajtueshmëri, diga e lumit Mirusha vazhdon të jetë një rrezik për qytetarët e asaj ane.

Ndërkohë, kryetari i Malishevës ka thënë se kjo digë do të rregullohet, por nuk ka dhënë afat se kur do të bëhet një gjë e tillë. Ndërsa Ministria kërkon që të pajiset me leje ndërtimore e pëlqim mjedisor.

Më Shumë

Liria shënon fitoren e dytë të sezonit

Skuadra e Lirisë ka arritur ta regjistrojë vetëm fitoren e dytë të sezonit sot, pasi që e ka mposhtur me rezultat solid 2:0 Fushë...

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Lajmet e Fundit