21.7 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Në funksion të pasurimit të memories historike

skender zogaj selajdin krasniqi(Salajdin Krasniqi: “Agimi i agimeve të bardha”, poemë-recital, botoi „Fidani”, Prizren, 2014)

Pas tre monografive: „Rrapi i Prizrenit”, „Jehu i Talias” dhe “Prizreni udhëtim nëpër kohë”, kemi në duar edhe një libër të ri përkushtimor të Salajdin Krasniqit, me titull “Agimi i agimeve të bardha”, kushtuar 70-vjetorit të SHKA “Agimi” të Prizrenit, që është një botim i veçantë, si sprovë artistike me qëllim të forcimit të rolit të artit letrar në funksion të pasurimit të memories historike, përmes valorizimit të vlerave të traditës kombëtare. Fjala është për përpjekjen e autorit që të ndërlidh dhe fuqizoj raportin e reciprocitetit të llojeve të ndryshme artistike, në funksion të freskimit të kodit komunikues.

Nëse nga vargjet e një poezie mund të nxirret melodi e këndshme muzikore, atëherë del krejtësisht e natyrshme që edhe një shoqëri muzikore të jetë burim inspirimi për krijimin e vargjeve poetike. Kjo është sprova letrare e Salajdin Krasniqit në librin poetik “Agimi i agimeve të bardha”, që është përmbajtje konkrete e një sprove të suksesshme për absorbimin e një teme hipotetike për një vepër poetike.

Zakonisht poezia i përket trazimeve të forta emocionale, frymëzimeve nxitëse për artikulimin e ndjenjave ndaj fenomenit trazues. Pra, pikërisht forca e trazimit emocional është nxitësi kryesor, në aktin krijues të një vepre poetike.

Në këtë kontekst – del se, SHKA “Agimi” ka prekur fuqishëm ndjenjat e poetit Salajdin Krasniqi, i cili i rreket një pune padyshim shumë dilemore, sepse, të tentosh të shkruash një poemë nëpërmjet të shpalimit biografik të një vatre kulturore, është një synim skajshmërisht patetik dhe tepër i guximshëm, ngase, përpjekjen për arritjen e qëllimit artistik, në raste të këtilla e pret shtegtimi i vështirë e me pasiguri të shumta gjatë procesit krijues. Mirëpo, Salajdin Krasniqi iu ka rrekur trimërisht punës dhe, pushka e trimit e godet mirë shenjën.

Te poema – recital “Agimi i agimeve të bardha” kushtuar SHKA “Agimi” të Prizrenit, lexuesit kanë rastin të binden se, krijimi i vlerës artistike nuk varet nga tema por nga mënyra e trajtimit të temës. Autori Krasniqi ofron një shembull model të shpalimit entuziast të ndjenjave përmes qasjes simbolike të trajtimit të temës, që poeti e fikson bukur me vetëm dy vargje:
“Djersa e kristaltë derdhet nëpër partitura gëzimi
Mes valësh nëpër 70 motmote shkelqeu „Agimi”

për të vazhduar me shpalosjen e dramës poetike:

“Në gjeografinë e zemrës të lidhur tokë e qiell
Skalite rrugën e burrërisë në shkëmb e në diell”

Me pasion të zjarrtë krijues pena e poetit shket nëpër vargje përplot me dashuri e respekt të thellë, për gjithçka që ka të bëjë me SHKA „Agimi” dhe me punën madhështore të krijuesve, të cilët për 7 dekada radhazi kanë dhënë kontribut të çmuar, në të gjitha veprimtaritë e jetës kulturore e artistike të Prizrenit, e sidomos në zhvillimin dhe afirmimin e traditës artistike të qytetit historik. Karakteristikë e theksuar e poetit është ndjenja e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe me mesazh të çiltër, konkrete, gjykuese e rreptë, maksimalisht e zotëruar në proporcion me të vërtetën historike dhe realitetin jetësor:
“Kur shkrepe “Agim “ u rilind jeta jonë dhe shpresa
U kërrus kohë – mjegulla, u shfaq e rritës qëndresa!
Bukuria sikur rrezet e diellit u përhap anembanë
Të vegjlit u rritën, jetimët u bënë me babë e nënë.”

Ndjenjat të ngrohta plot sinqeritet, dashuri, përkushtim dhe me porosi të thella edukativo- kulturore, që rrjedhin spontanisht dhe lexohen me ëndje. Krasniqi me kreativitet e pasqyron nismën e funksionimit të SHKA “Agimi” dhe përmbajtjen e saj, përmes stafetës së brezave dhe të valorizimit të vlerave kulturore-artistike. Poeti shprehet:
“U zgjuam, dora dorës u lidhëm, në vallet plot gjallëri
Hyri solisti, violina, gajdja, çiftelia me tinguj të ri…”

Rezultati i kësaj tradite nuk është rastësi. Përkundrazi, janë vlerat konkrete artistike që shpërthejnë nga vrulli krijues gjithandej hapësirës shqiptare, e cila karakterizohet nga uniteti i traditës së përbashkët gjithëshqiptare, dje, sot e nesër. Zëri i “Agimit” është fuqiplotë sepse, tregon poeti:
“Valltarëve sy- shqiponjë u pikon djersa zjarr mbi lodër,
Jehu i rapsodëve të Prizrenit përhapet n’Shkup e n’Shkodër.

Gjetje shumë të bukura artistike që e krijojnë ndërlidhjen e së sotmes së Prizrenit me lashtësinë. Me ligjërim të zgjedhur letrar dhe qëndisma figurash filigranike, Krasniqi shpreh indin e qenies së punës së “Agimit”, dhe me urtësinë prej poeti, nga thellësia e mendjes dhe e zemrës uron:
“Me simfoninë e gjakut, me dashurinë pa kufi
Të rrojë nëpër breza kënga që deri këtu e solle ti!”

Urimin e shoqërojnë erdhe shumë e shumë zbërthime të tjera të historikut, ngjarjeve dhe heronjve të “Agimit”, artistëve të shumtë që gjatë 70 viteve kanë derdhur ndjenjat e tyre artistike nëpër qindra aktivitete e veprimtari artistike që i përkasin ruajtjes së vlerave më të mira të traditës shpirtërore të qytetit historik, Prizrenit. Prandaj, poema – recital është një kushtrim artistik për SHKA “Agimi”, së cilës i përkasin meritat e veçanta dhe të jashtëzakonshme për ruajtjen, kultivimin dhe afirmimin e vlerave më të pastra të krijimtarisë shpirtërore shqipe në harkun kohor prej 7 dekadash. Vargjet e Krasniqit janë edhe homazh i sakrificës në ballafaqime të shumta me ekstremet e regjimeve politike, nëpër kohë e rrethana të egra, të cilat krijuesit e Prizrenit i mposhtën dinjitetshëm me frymën e shpirtit të tyre atdhetar. Salajdin Krasniqi duke i kënduar SHKA “Agimi”, i bashkëngjitet traditës së kësaj vatre kulturore e artistike, ku libri artistik i S. Krasniqit, hyn për të vazhduar bashkudhëtimin me “Agimin”./Skënder Zogaj/

Më Shumë

Kanosi tre policë, prizrenasi gjatë aktit rrëzohet dhe bëhet për spital

Një burrë është arrestuar në Prizren nën dyshimin se kishte kanosur tre policisë. Sipas policisë, i dyshuari pas shqiptimit të gjobës në trafik, kanosi zyrtarët...

Të zhdukurit në Prizren gjenden pas dy ditësh, kthehen në shtëpi

Personat që ishin raportuar të zhdukur më 10 qershor 2025 në Prizren janë gjetur dhe janë kthyer pranë familjes ka njoftuar Policia e Kosovës. Rasti...

Lajmet e Fundit