5.8 C
Prizren
E shtunë, 3 Dhjetor, 2022

Në Fushë Arrëz, zbulohet pllaka me emrat e 15 maturantëve të komunës së Malishevës që vdiqën tragjikisht 18 vite më parë

Sot, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe kryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci, dhe në prani të ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi, gjithashtu të familjarëve, profesorëve dhe shokëve të gjeneratës së 15 maturantëve, drejtuesve të institucioneve të Komunës së Malishevës dhe Bashkisë Fushë Arrëz, dhe qytetarëve të shumtë, u shënua 18 vjetori i vdekjes tragjike të 15 maturantëve të Komunës së Malishevës.

Në një fjalë përkujtimore, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se, data 14 tetor, është data më e dhimbshme për Komunën e Malishevës, pasi në këtë datë të vitit 2004, 15 maturantë të komunës së Malishevës humbën jetën tragjikisht në Fushë Arrëz, gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri. Kjo ngjarje, njëherësh shënon edhe ngjarjen më tragjike në Kosovën e pasluftës, ku i gjithë kombi shqiptar atë ditë në të gjithë botën ishte i pikëlluar nga ky lajm i hidhur dhe lotët nuk kishin të ndalur, zemrat ishin të thyera, e dhimbja ishte shumë e madhe, jo vetëm për familjet e maturantëve por për të gjithë bashkëkombësit, tha kryetari Kastrati.

Po ashtu, kryetari Kastrati tha se, sot në 18 vjetorin e vdekjes së tyre jemi të mërzitur dhe bashkë ndjejmë dhembjen me familjaret e tyre, dhe me të gjitha familjet e personelin arsimor, dhe gjeneratën e maturantëve, të cilët pësuan 18 vjet më parë duke na lënë me kujtimet e hidhura.

Në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Malishevë, kryetari Kastrati, shprehi mirënjohjen të thellë për angazhimet dhe kujdesin intensiv për autoritetet e shtetit amë shqiptar, me theks te veçante atyre shëndetësore, të cilat u angazhuar dhe i dolën në ndihmë nxënësve, personelit arsimor, familjeve dhe institucioneve të komunës së Malishevës për të përballuar sa më lehtë pasojat tragjike të atij aksidenti.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci, në një fjalë përkujtimi mes tjerash tha se, dy bashkitë tona janë të lidhura ngushtësisht me datën 14 tetor, por të vendosura që të kujtojnë pareshtur këtë udhëtim të maturantëve, i cili u shndërrua në ngjarje tragjike për gjithë kombin shqiptar, duke mbetur pa 15 maturantë, të cilët sot i takojnë historisë së arsimit shqip dhe është ngjarje që kombin shqiptar e forcon drejt rrugës së aspiratave tona kombëtare.

Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi, ka shprehur mirënjohjen për të gjitha autoritetet shtetërore në Shqipëri dhe Kosove, të cilët përkrahen institucionet lokale të asaj kohe, për të lehtësuar pasojat e aksidentit tragjik të 14 tetorit të vitit 2004.

Edhe drejtoresha për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi në një fjalë rasti tha se, Komuna e Malishevës dhe Bashkia e Fushë Arrëzit do të angazhohen që kujtimi për 15 maturantët mos të mbetet një kujtim kalendarik por të jetë një komunikim i jetësuar në projekte konkrete për zhvillimin e arsimit, kulturës, sportit, ekonomisë, turizmit dhe projekteve të tjera, të cilat na bëjnë të jemi më afër njëri tjetrit për të mirën e kombit tonë.

Gjithashtu, nga një fjalë rasti mbajtën edhe përfaqësues të profesorëve që përjetuan aksidentin tragjik si dhe një përfaqësues i familjarëve të maturantëve që humbën jetën më 14 tetor të vitit 2004.

Të gjithë maturantët që humbën jetën në këtë tragjedi, janë varrosur në “Lëndinën e Lotëve” afër lagjes së Gurit në Malishevë, ku gjithashtu sot nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi bashkë me drejtorë tjerë komunal dhe përfaqësues të institucioneve lokale kanë bërë nderime dhe homazhe.

Në kujtim të 15 maturantëve, në vendin e aksidentit, me iniciativë të kryetarit Kastrati, Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Bashkinë Fushë Arrëz, të cilët edhe i falënderojmë shumë, u bë e mundur ngritja e pllakës përkujtimore ku janë të gdhendur të gjithë emrat e 15 maturantëve: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj.

Në këtë ngjarje tragjike të kombit tonë, po ashtu, fatkeqësisht humbi jetën edhe një qytetar shqiptar, dhe u lënduan edhe 30 nxënës të tjerë maturantë, dy mësimdhënës dhe shoferi i autobusit që sot e kësaj dite bartin mbi supet e tyre pasojat e tmerrshme të aksidentit dhe ndarjen nga shokët e tyre, të cilët i humbën përgjithmonë por nuk i harruan e nuk i harrojnë për asnjë moment.

Lavdi jetës dhe veprës së tyre jetësore! Qofshin të paharruara kujtimet për 15 maturantët tanë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit