Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin për korrupsion ndaj ish- komandantit të nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri ka dhënë mbrojtjen e tij si dhe është dëgjuar dëshmitari Hasan Tërshana.
“Po, unë e kam korrigjuar me urdhërin e komandantit major Qamil Kroni”, tha i akuzuari Susuri., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Hazër Susuri se çfarë mund të thotë lidhur me fletëparaqitjen kundërvajtëse me numër SH5A0001663600 më 27 mars 2021, i akuzuari Susuri ka thënë se këtë tiketë e kanë shqiptuar zyrtarët policor Vllaznim Fanaj dhe Driton Krasniqi.
Për këtë, ai tha se përmes celularit të tij personal më parë është njoftuar nga Qamil Kroni dhe se i ka thënë se kjo tiketë është shqiptuar në mënyrë të padrejtë ndaj Majlinda Elshanit.
“Më ka urdhëruar që unë të shikoj këtë rast ta korigjojë dhe të ja kthej patent shoferin kundërvajtëses”, tha i akuzuati Susuri.
Ai shtoi se, ndaj Elshanit ishte shqiptuar dënim me gjobë prej 200 euro dhe 3 muaj ndalesë si dhe konfiskimi i 1 pike të patent shoferit.
Në pyetjen tjetër të avokatit Susuri se përse e ka zbatuar urdhrin e Qamil Kronit, i akuzuari Susuri ka thënë se ai ka qenë i detyruar të respektoj urdhrin e tij për shkak të hierarkisë.
Kurse, në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa se a qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori më 13 shtator 2021, i akuzuari Susuri ka thënë se këtë deklaratë e ka dhënë nën lajthim.
Tutje, prokurori Sefa e ka ballafaquar të akuzuarin me deklaratën e dhënë në prokurori ku kishte thënë se në bisedë me Qamil Kronin i cili kishte theksuar se nuk është diçka në rregull me tiketën.
Ndërsa, prokurori Sefa tha se i akuzuari sot ka thënë se Qamil Kroni kishte theksuar se tiketa është theksuar në mënyrë të padrejtë ku kërkoj nga ai të tregoj se cila është e saktë, i akuzuari është përgjigjur se Qamil Kroni ka thënë se tiketa nuk është e shënuar në mënyrë të drejtë.
Po ashtu, në deklaratën e tij i akuzuari Susuri ka thënë se ka urdhëruar zyrarët policor Fanaj dhe Krasniqi të përpilojnë një raport policor në të cilin tha se është cekur që Fanaj është detyruar nga Kroni që të ndryshojë tiketën.
Ai shtoi se, si bazë ligjore që i ka shërbyer për korrigjim të dënimit ka qenë mangësia e tiketës në përshkrimin e llojit të rrugës si dhe sipas tij, nuk janë cekur a ka qenë kamioni në lëvizje apo ndalur si dhe me çka është matur shpejtësia, mirëpo ai tha se këto mangësi nuk i ka përmisuar.
Në këtë seancë, po ashtu është dëgjuar edhe dëshmitari Hasan Tërshana, i cili ndër të tjera ka thënë se gabim teknik quhet kur pa qëllim përfitimi gabohet një datë, një nen apo një shënim.
Ai tha se, në këto raste mbikëqyrësi apo vet zyrtari në raste të gabimit teknik e anulon gjobën e shqiptuar dhe këtë e bënë me raport të cilin ia dorëzon mbikëqyrësit të vet.
Sipas tij, mbikëqyrësi që e pranon raportin e shqyrton arsyeshmërinë e gabimit dhe ia dorëzon komandantit të stacionit policor apo nënstacionit policor i cili ka të drejtë ta anulojë apo shpall të pavlefshme fletëparaqitjen kundërvajtëse.
Dëshmitari Tërshana, po ashtu tha se procedura e përmisimit ose anulimit të një tikete kundërvajtëse bëhet përmes një udhëzuesi të vitit 2012 i quajtur “Udhëzues për praktikat dhe mbikëqyrjes dhe rregullimit të komunikacionit rrugor”.
Në pyetje e prokurorit Sefa se a ka të drejtë komandanti i stacionit policor të ndërhyjë drejtëpërdrejtë në shumën e dënimit pavarësisht a ndryshon cilësia e kundërvajtjes, dëshmitari Tërshana tha se pavarësisht nga kush dhe çka vihen në dijeni çdo mbikëqyrës është përgjegjës për përmisim nëse ka fakte.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 28 qershor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së 27 tetorit 2021 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Ziber Susuri akuzohet se si person zyrtar – komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, shënon të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje të 27 marsit 2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses Majlinda Elshani nga zyrtarët policorë Vllaznim Fanaj dhe Driton Krasniqi, sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088), dhe për të cilën të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patentë shoferit për tre muaj dhe shqiptimi i një pike negative.
Aktakuza thotë se i pandehuri, më 29 mars 2021, ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1, tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patentë shoferit të kundërvajtëses, vë nënshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-së së tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme.
Me këto veprime, i pandehuri Ziber Susuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi