32 C
Prizren
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Neki Emra premton një interpretim të fuqishëm në Festivalin e Këngës në RTSH

Të interpretuarit live me një orkestër të madhe dhe me idenë se kjo paraqitje mund të dërgojë drejt festivalit të madh Eurovizion, bën që shumë këngëtarë ta dashurojnë këtë festival dhe të ëndërrojnë paraqitjen në këtë skenë.

Bëhet fjalë për Festivalin e Këngës të RTSH-së, i cili edhe këtë vit ka bërë përzgjedhjen prej 24 artistësh. Në mesin e shumë këngëtarëve nga Kosova këtë vit pjesë e festivalit është edhe një emër i njohur i këngës, i cili në këtë festival merr pjesë për herë të parë. Këngëtari nga Prizreni, Neki Emra, i cili njihet për balada, këtë vit është bërë pjesë e edicionit të 55-të të festivali. Neki është shprehur se ndihet i emocionuar qysh tani për pjesëmarrjen në festivalin shqiptar, ndërsa ndihet i nderuar që është në mesin e 24 pjesëmarrësve të përzgjedhur nga juria.

“Së pari unë jam rritur me këtë festival dhe gjithmonë e kam përcjellë me dashuri të madhe. E dyta është se ky festival është 100% live dhe ka një organizim dhe orkestër të madhe ku emocioni që të përshkon në këtë festival është i jashtëzakonshëm. Është pothuajse gati e pamundur ta krijojmë nëpër mbrëmjet tona apo në çfarëdo organizimi tjetër një orkestër kaq të madhe për të na përcjellë”, ka pohuar fillimisht Neki Emra për KultPlus, i cili tutje tha që po e pret me padurim paraqitjen në atë skenë të jashtëzakonshme. Poashtu gara për Eurovizion është një sfidë tjetër që e ka bërë kureshtar të jetë aty, duke konsideruar gjithashtu që ka qenë koha e duhur që të jetë në këtë festival.

Kënga me të cilën Neki Emra konkurron në këtë festival quhet “Dashuri dhe Urrejtje”. Kënga është kompozuar nga vetë Neki, ndërsa vargjet janë shkruar nga Albatros Rexhaj. Sa i përket përrallës së këngës, sipas Emrës, është një histori që tregon një lidhje ku çdo gjë është e jashtëzakonshme. Aty ka dashuri të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ka edhe një urrejtje të madhe. Aty ka puthje, aty ka sharje, ata nuk mund të jenë me njëri tjetrin, por asesi nuk munden pa njëri tjetrin.

“Kënga e tregon një lidhje shumë të komplikuar, ku zhvillohet një luftë mes dashurisë dhe urrejtjes, ku dashuria arrin të fitojë gjithmonë mbi urrejtjen. Pra dallimi në mes këtyre dyjave është një fije e hollë e padukshme sa që nga njëra në tjetrën kalohet shumë lehtë”, ka treguar këngëtari.
Bashkëpunëtori i vetëm për këtë këngë është tekshkruesi Albatros Rexhaj, por kjo nuk do të thotë që deri në fund nuk do të ketë të tjerë pasi që Emra është në zhvillim të ideve që të këtë edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Këngëtari premtoi që në këtë festival do të bëjë paraqitjen më të mirë në karrierën e tij.

“Dua që ta jap maksimumin tim në atë skenë. Për mua personalisht do të jetë me rëndësi paraqitja ime sa më e mirë. Dua të ofroj gjithë artin tim që e kam krijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse të gjithë mendojnë që kënga ime është më e mira, do të isha tejet i lumtur me fitoren. Kjo në këtë moment më duket paksa e pamundur duke pasur parasysh se asnjë nga këngët nuk e di si do të jenë, pra mund të ketë konkurrencë shumë të madhe”, ka thënë Emra, i cili tutje tha që nëse do të fitonte këtë garë, atëherë do të fillonte të mendonte për paraqitjen në Eurovision. / KultPlus.com

Më Shumë

Driton Selmanaj reagon pas zyrtarizimit si kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit: “Nder dhe një përgjegjësi e madhe”

Pas zyrtarizimit si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj ka reaguar përmes një postimi publik,...

Aksioni kundër fajdes në Prizren

Një person është arrestuar në flagrancë në Prizren. Personi që u prangos për “Fajde” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” është A....

Lajmet e Fundit