10.7 C
Prizren
E enjte, 6 Nëntor, 2025

Nëntori i ngjarjeve të shënuara,përkujtohet veprimtaria diplomatike e Nolit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka përkujtuar sot Fan Nolin.

Xhaçka ka publikuar një video ku tregohet veprimtaria politike dhe diplomatike e Nolit.

Në historinë e diplomacisë shqiptare, nëntori është muaj ngjarjesh të shënuara, arritjesh që kanë bërë epokë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.

Në përkujtim të këtyre ngjarjeve, MEPJ nis një cikël videosh, për disa prej figurave më të shquara dhe të rëndësishme diplomatike, të cilat kanë kontribuuar në krijimin e shtetit shqiptar.

“Fan Stilian Noli, një personalitet i shquar, i cili me veprimtarinë politike dhe diplomatike, iu përkushtua çështjes së pavarësisë, të integritetit territorial të atdheut, të njohjes ndërkombëtare të shtetit të sapoformuar shqiptar, si dhe të demokratizimit dhe modernizimit të jetës dhe mendësisë së shoqërisë shqiptare”, thekson Xhaçka në postim.

Në video thuhet se, “Fan Noli përfaqëson një personalitet të shquar në historinë tonë. Me veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike ai lartësoi figurën dhe dinjitetin e shqiptarëve. Kurse me veprimtarinë e tij politike dhe diplomatike iu përkushtua pavarësisë dhe integritetit territorial të atdheut, njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar, si dhe demokratizimit dhe modernizimit të jetës së shoqërisë shqiptare.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën është ndër themeluesit kryesorë të shoqatës pan-shqiptare Vatra në SHBA”.

Në video dëgjohet zëri i Fan Nolit,i cili deklaronte se, “Vatra u përfaqësua me delegatin e saj më 4 korrik 1918 përpara presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga copëzimi”.

“Më 26 korrik 1919, Noli kthehet në atdhe si i dërguari i diasporës shqiptare në SHBA, për të kontribuuar në konsolidimin e shtetit shqiptar.

Fan Noli është kryetari i parë i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Ndër arritjet më të mëdha diplomatike të tij, cilësohet pikërisht momenti kur Shqipëria u pranua anëtare në Lidhjen e Kombeve.

Fan Noli, në emër të qeverisë shqiptare, nënshkroi në Lidhjen e Kombeve, në seancën e 2 tetorit 1921, deklaratën për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri, në zbatim të parimeve dhe dokumenteve themelore të Lidhjes së Kombeve. Po në këtë seancë, ai ngriti përsëri pranë Këshillit nevojën për mbrojtjen e popullsisë shqiptare në Greqi e Serbi, të mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit amë.

Më 21 janar 1922, Noli u dekretua Ministër i Punëve të Jashtme, në qeverinë e Iljaz Vrionit. Po atë vit ai u bë nismëtar i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.

Pas fitores së revolucionit të qershorit 1924, ai u bë kryeministër i Shqipërisë. Qeveria Noli u angazhua në disa reforma të guximshme demokratizuese në jetën e shtetit shqiptar, si në pikëpamje të politikës së brendshme, ashtu edhe asaj të jashtme”, theksohet në video./atsh

Më Shumë

Rikthehet kalimi pa kontrolle i automjeteve në kufirin Kosovë-Shqipëri 02.11.2025 16:38

Është rikthyer lëvizja pa kontroll midis Shqipërisë dhe Kosovës. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri në fund...

Prizreni mposhtet minimalisht nga Feronikeli

Në kuadër të Raiffeisen Ligës së Parë, Prizreni është mposhtur sot me rezultat minimal 2–1 nga Feronikeli, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Rexhep...

Lajmet e Fundit