Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka filluar numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Sipas koordinatorit të QNR-së Burim Ahmetaj procesi i numërimit të këtyre votave pritet të përfundojë më së largu deri nesër.
“Fillimisht jemi duke e bërë numërimin e votave me postë të të gjithë atyre votuesve të konfirmuar të cilëve do t’u numërohet vota më pastaj të fillojmë me procesin e numërimit të votave me kusht dhe me nevoja të veçanta . Është një proces i cili nevojitet kohë, që do të thotë se do të mundohemi që brenda ditës ose gjatë ditës së nesërme ta përmbyllim si proces”, theksoi ai, transmeton RTK.
Ndërsa sa i përket Raportit të auditimit Qendra e numërimit dhe rezultate pritet që sot t’ia dorëzoj KQZ-së, në mënyrë që të merret vendim se çfarë të bëhet me ato vendvotime ku ka shpërputhje të rezultateve ndërmjet subjektit politik dhe kandidatëve. Ahmetaj theksoi se QNR konsideron se një numër i formularëve të rezultateve nuk mund të procedohen sikurse të rregullta për shkak të mos përputhjes brenda formularëve të rezultateve
Ndërkohë vota me kusht dhe me nevoja të veçanta të konfirmuara si të vlefshme janë 22 mijë e 304.