13 C
Prizren
E shtunë, 26 Prill, 2025

Ngacmimet seksuale mbahen sekret në politikën kosovare

Tema e ngacmimeve seksuale është bërë një temë globale, ndërsa as Kosova nuk është e paprekur nga kjo dukuri e shëmtuar, ku zakonisht femrat bien viktimë e ngacmimeve të ndryshme nga njerëzit e veshur me pushtet në sektorë të shumtë, qoftë në sferën publike apo atë private. Megjithatë, denoncimet janë fare minore dhe ende konsiderohet si një tematikë tabu për opinionin kosovar. Sidoqoftë, analistët thonë se ky model është i instaluar në Kosovë, duke dëshmuar kësisoj se si funksionojnë partitë politike, por edhe institucionet në të gjitha nivelet e pushtetit në Kosovë. Analistët e shtrojnë në diskutim çështjen se sa janë të kushtëzuara femrat për pozitat e tyre në qeveri, në ambasada, pozita të larta, me kushtëzime seksuale? Me gjithë pyetjet e drejtuara nga ana e gazetës në adresën elektronike të Rrjetit të Grave të Kosovës, por edhe në adresë të Zyrës së Avokatit të Popullit si dhe në adresë të disa nga deputetët e tashëm të Kuvendit të Kosovës që të flasin për këtë çështje, ata nuk kanë folur për gazetën.

Image

“Dashuri” partiake

Analisti Mustafë Kadrijaj tha për “Kosova Sot” se me degradimin e institucioneve që e bëri klasa politike që nga paslufta e kanë sjellë qytetarin në pikën më të ulët morale. “Qytetari është vënë në shërbim të politikës, e cila është duke ia marrë votën, duke ia zhvatur buxhetin dhe duke e prekur edhe në moralin e tij”, u shpreh ai.”Nëse do të ktheheshim në retrospektivë, qytetari përkundër presionit politik dhe ekonomik të ushtruar nga ish-Jugosllavia e mbetur nuk e ka ulur veten, por politika jonë bëri që duke vazhduar me varfërinë që nga paslufta e kanë sjellë qytetarin në një pikë që historikisht si popull kemi qenë të njohur për vlerën e moralit”, ka theksuar Kadrijaj. “Tanimë kjo dukuri është bërë normale, për fat të keq, saqë edhe ndonjë ditë nuk do jetë as aferë më dhe askush nuk do të kërkojë llogaridhënie. Për këtë dukuri flitet në të gjitha nivelet institucionale dhe në subjektet që veprojnë në Kosovë, por kjo dukuri e ka prekur edhe sektorin privat, që çdo vend pune kushtëzohet me faktin se duhet pranuar që të bëhet njëra ndër dashnoret e shefit”, vlerëson analisti Kadrijaj.”Vegëza që nxori Aida Derguti si duket paska qenë shumë gjatë, saqë nuk ka të ndalur, me përçarjen në Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dolën në pah dy të vërteta të konfirmuara po nga vetë zyrtarët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, mospajtimet, por njëherësh edhe dashurinë e madhe, saqë atë dashuri duke e promovuar në mënyrë organizative, që edhe ndjenjat e tyre t’i shprehin brenda Lëvizjes, duke zënë dashnore brenda llojit. Pra, për dallim nga subjektet e tjera politike, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e ka promovuar brenda llojit”, vijoi më tej ai.

Image

Diskriminim gjinor

Analisti Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se gjinia femërore sa i përket vendimmarrjes politike është e shtypur, nënçmuar dhe mbi gjitha brenda trajtesës si objekt seksual këtë e ka treguar vazhdimisht praktika e përditshme politike.”Për ta argumentuar se gjinia femërore është e keqtrajtuar maksimalisht, tregon njëherësh edhe përfshirja e tyre brenda listave, si për zgjedhjet nacionale ashtu edhe ato lokale”, u shpreh Haziri. “Aspak mos të mburren edhe subjektet e tjera politike për kushte më të mira politike sa i përket gjinisë femërore. Ajo në çdo subjekt politik është e nënshtruar, keqtrajtuar dhe gjithnjë konsiderohet si gjini inferiore karshi gjinisë tjetër. Kjo e metë institucionale është kundër vlerës dhe implementimit të demokracisë në subjekte të ndryshme, madje në përmasat që është ky fenomen reflekton një lloj shqetësimi publik. Subjektet politike për t’u thirrur në vlera themelore nënkuptohet një zbatim i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, ka përkujtuar Haziri. Ndërsa, eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, tha për “Kosova Sot” se deri tash nuk ka denoncime në polici për ngacmime seksuale, edhe pse përflitet shumë nëpër parti apo në opinionin publik. “Premtimet e mëdha për punë për poste politike sjellin edhe gjëra të tilla, por deri tash nuk ka pasur denoncime të tilla”, theksoi Burjani. Sipas tij, ka pasur edhe raportime dhe deklarata publike se ka pasur ngacmime seksuale. Ndërkohë analisti Bislim Aliu tha për gazetën “Kosova Sot” se, përpos krimit të organizuar dhe korrupsionit tejet të lartë, po shfaqen edhe aferat e shumta seksuale, të cilat po na tregojnë mjerimin dhe shkallën e lartë të katandisjes së klasës politike kosovare, në të gjitha institucionet dhe nivelet e këtij pushteti të stërkequr. Analisti Aliu mendon se punësimet e femrave, në qeveri, në ambasada dhe në pozita të larta, bëhen me kushtëzime seksuale. “Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e ka guximin që të tregojë legalisht dhe të bëjë publike ngacmimet e bëra, por edhe ato tani që po bëhen aktualisht”, potencoi ai. Sipas tij, gjinia femërore nuk është e vlerësuar nga kjo klasë politike tejet e inkriminuar, të cilët femrat i shohin vetëm si kukulla, apo si objekte dekor, e jo si ndonjë udhëheqëse apo si menaxhere, që mund të bëjnë ndryshime pozitive në shoqërinë kosovare.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Emilja Rexhepi: Të votojmë për formimin e qeverisë, nuk na duhen zgjedhje të reja

Pas vendimit të deputetes Duda Balje për të kaluar në opozitë, janë shtuar zërat se kjo lëvizje është ndërlidhur me përplasjet dhe mosmarrëveshjet me...

Në Prizren u përkujtua dëshmori Alush Kryeziu – 33 vite nga rënia heroike

Në 33-vjetorin e rënies heroike të Alush Kryeziut, të shtunën në lagjen "Ortakoll" të Prizrenit, u organizuan homazhe për të nderuar figurën e tij....

Lajmet e Fundit