15.5 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Ngërçi e ka turpëruar Kosovën

EqremKryeziu-ldkIsh-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Eqrem Kryeziu, ka vlerësuar se ngërçi politik Kosovës nuk i ka sjell vetëm dëme, por edhe turp të madh. Ai i ka ftuar liderët politikë ta shikojnë interesin e Republikës e jo interesin e tyre personal.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Kryeziu ka deklaruar se Kosovës i duhet një qeveri stabile, e jo krijim i mureve në mes të subjekteve politike që, sipas tij, janë shumë të dëmshme për vendin. “Pikërisht në gazetën tuaj, gjatë procesit zgjedhor e pata shfaqur opinionin tim: se duhet një qeverisje stabile, si domosdoshmëri, na pëlqen a jo. Atëherë reaguan zyrtarët e partisë, ‘sus’ thanë. Sejdiu dhe vogëlsia ime rrënuam muret partiake, të dëmshme për Kosovën. Ishte fitore e madhe, përkundër përjetimeve të caktuara. Tani ngritën përsëri mure mes partive, mure ndaj mendimit të lirë, kur vjen nga Shqipëria, por nuk ka mure me Qeverinë serbe kur tha: ‘Neka drug Isa bude predsednik Skupštine!’ (Shoku Isa u bëftë kryetar i Kuvendit!) Bukur. Them se kjo s’ka nevojë për mëlmesa të tjera”, ka thënë Kryeziu.
Në pyetjen se kush ka të drejtë t’i formojë institucionet, Kryeziu është përgjigjur: “Sa i përket së drejtës për formimin e institucioneve, ka folur Kushtetuesja”, është shprehur ai. Ai e ka kritikuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa, duke thënë se nuk e ka mbajtur premtimin për t’u larguar nga partia nëse do t’i humbiste zgjedhjet. Madje Kryeziu, duke ironizuar, ka deklaruar se liderit të LDK-së “papritmas i dolën përpara interesat madhore të Kosovës dhe ktheu rrugë”. “More burrë, meqë nuk fitoi partia, ai do ta mbante premtimin dhe do të ikte nga LDK-ja, mirëpo papritmas i dolën përpara interesat madhore të Kosovës dhe ktheu rrugë. Për të mirën tonë, njeri! Pse nuk më mbushet mendja për këtë gjë? Diçka nuk është në rregull me mua”, është shprehur ai.
Kryeziu, i cili pas zgjedhjeve të 8 qershorit ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet partiake, ka refuzuar ta quajë Isa Mustafën lider të LDK-së. Kreut të LDK-së ai iu ka referuar vetëm si qytetari Isa. “Detyrohem që presidentes Jahjaga t’i kërkoj falje. Kam qenë kritik, por shiko tani se si burrat i hanë fjalët e veta. Ama, për interes të Kosovës! Prandaj e kam të pamundur ta quaj kryetar qytetarin Isa”, ka deklaruar ish-zyrtari i LDK-së.
Më tutje, Kryeziu ka deklaruar se po të ishte në pozitën e liderëve aktualë politikë do ta shikonte vetëm interesin nacional. “Është shumë e sigurt se do ta shikoja interesin e Republikës. Njeriu publik nuk është aty për preferencat dhe shijet personale”, ka deklaruar Kryeziu.
“Epoka e re”: Z. Kryeziu, pavarësisht se jeni tërhequr nga aktiviteti politik, keni qenë aktiv me disa metafora në profilin e juaj në “Facebook” sa i përket ngërçit politik. Si e shihni daljen nga kjo situatë dhe formimin e institucioneve. Kemi PDK-në në njërën anë dhe partitë e bllokut në anën tjetër. Kush ka të drejtë t’i formojë institucionet?
Kryeziu: Tani sa iu përket metaforave që përzgjedh për të komunikuar me miqtë e mi në ‘Facebook’, ato kanë e s’kanë të bëjnë me kastën politike. Shkëlqimi i politikanëve është shumë i shkurtër në krahasim me jetëgjatësinë e atyre krijimeve. Do të ishte një mburrje naive sikur politikanët ta merrnin me mend se ato janë krijuar për inatin e tyre. Sa i përket së drejtës për formimin e institucioneve, ka folur Kushtetuesja. Madje edhe pa folur edhe për mua ishte krejt e qartë. Them ‘edhe për mua”, sepse nuk jam profil juristi a ekonomisti. Këtë gjë e përsërisin me saktësinë më të madhe personalitetet e Perëndimit. Por, kam frikë se nuk ka vesh t’i dëgjojë. ‘A e dini pse Mulla Omari u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara? Sepse asnjëherë nuk kishte dalë përtej fshatit të vet’. Ky mentalitet shfaqet edhe te ne, për shkak të lakmisë së turpshme për të përfituar. Ju e përmendni ‘bllokun’, por nuk ka bllok pa 30 deputetët e LDK-së. Prandaj i referohem ekskluzivisht këtij fakti, ekskluzivisht gjenerozitetit të liderit të LDK-së, madje liderëve të tjerë u kërkoj falje, po qe se jam keqkuptuar.
 “Epoka e re”: Ju keni qenë në udhëheqje të LDK-së. Në kohën sa ishte Sejdiu president e keni drejtuar partinë. Si e vlerësoni qasjen e LDK-së karshi kësaj situate dhe afrimit me partitë e tjera AAK, Nisma dhe VV. A është vendim i mirë apo i keq?
Kryeziu: Pikërisht në gazetën tuaj gjatë procesit zgjedhor e pata shfaqur opinionin tim: se duhet një qeverisje stabile, si domosdoshmëri, na pëlqen a jo. Atëherë reaguan zyrtarët e partisë, ‘sus’ thanë. Sejdiu dhe vogëlsia ime rrënuam muret partiake, të dëmshme për Kosovën. Ishte fitore e madhe, përkundër përjetimeve të caktuara. Tani ngritën përsëri mure mes partive, mure ndaj mendimit të lirë, kur vjen nga Shqipëria, por nuk ka mure me qeverinë serbe kur tha: ‘Neka drug Isa bude predsednik Skupštine’! (Shoku Isa u bëftë kryetar i Kuvendit!) Bukur. Them se kjo s’ka nevojë për mëlmesa të tjera.
 “Epoka e re”: Ky ndryshim i LDK-së, ka ndodhur si pasojë e liderit të partisë, ‘apetiteve’ të tij për të zënë një karrige në pozicionet e shtetit pas humbjes së zgjedhjeve dhe për ta ruajtur edhe karrigen e liderit në LDK?
Kryeziu: More burrë, meqë nuk fitoi partia, ai do ta mbante premtimin dhe do të ikte nga LDK-ja, mirëpo papritmas i dolën përpara interesat madhore të Kosovës dhe ktheu rrugë. Për të mirën tonë, njeri! Pse nuk më mbushet mendja për këtë gjë? Diçka nuk është në rregull me mua. Detyrohem që presidentes Jahjaga t’i kërkoj falje. Kam qenë kritik, por shiko tani se si burrat i hanë fjalët e veta. Ama, për interes të Kosovës! Prandaj, e kam të pamundur ta quaj kryetar qytetarin Isa.
 “Epoka e re”: Po të ishit ju ende në udhëheqje të LDK-së, si do të duhej të vepronte LDK-ja në hapjen e rrugës për t’i formuar institucionet. Do të duhej të bënte koalicion me PDK-në?
Kryeziu: Qytetari Isa u kujdes ta legalizonte luftën në mes të gjeneratave, zëdhënësja e tij e bëshme e zyrtarizoi në TV. Bukur. Është shumë e sigurt se do ta shikoja interesin e Republikës. Njeriu publik nuk është aty për preferencat dhe shijet personale.
“Epoka e re”: Sa i ka shkaktuar dëme vendit ky ngërç politik?
Kryeziu: Jo vetëm dëm, por edhe turp të madh.
“Epoka e re”: A ka ndryshuar diçka LDK-ja prej se ju keni pushuar aktivitetin politik?
Kryeziu: Po, por kjo do të ishte një storie tjetër.

Më Shumë

Rasim Demiri jep dorëheqje nga pozita e drejtorit në Prizren për t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës

Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Rasim Demiri ka dhënë dorëheqje nga ky funksion. Këtë vendim, ai e ka marrë...

Dëshmitarja thotë se vrasja në “Kobra City” s’ndodhi për mospagesën e faturës, deklaron se njëri i akuzuar e hoqi CD e kamerave

Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen në lokalin “Kobra City”, dëshmitarja A.S., e cila ishte punëtore në lokal,...

Lajmet e Fundit