13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nijazi Kryeziu kundërshton aktakuzën, prokurori thotë se kishte shkelje në kontratën me televizionin lokal

Ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, përsëri ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar–dhjetor 2015, se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Kryeziu, edhe një herë përmes mbrojtësit të tij, avokatit Arben Shala, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë si e pabazuar.

Sipas avokatit Shala, aktakuza ndaj klientit të tij nuk ka mbështetje në prova dhe se klienti i tij ka vepruar në bazë të ligjeve në fuqi.

Mirëpo, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit dhe të akuzuarit.

Ai duke folur rreth kërkesës së gjykatës për sigurimin e ekspertizës financiare, tha se ekspertiza ekzistuese vërteton shkeljet e të pandehurit.

“Në shkresat e lëndës ekziston ekspertiza financiare ku rezulton se këtu i akuzuari Nijazi Kryeziu, ka lidhur kontratë në cilësi të drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit me TV Opinion, në periudhën 1 janar 2015-31 dhjetor 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj, me shumë të përgjithshme prej 7200 euro, ndërsa nga fletëpagesat rezulton që më 16 prill 2015 është paguar shuma prej 1200 euro, si dhe një pagesë prej 200 euro”, ka thënë prokurori Sefaj, ku sipas tij, këto shënime i ka vërtetuar nga biseda telefonike dhe në e-mail me ekspertin financiar, Agim Sheqiri.

Mirëpo, këtë ekspertizë e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Shala, i cili ka thënë se ekspertiza financiare është bërë në rastin e ish-drejtorit të Administratës, më 29 gusht 2017, ndërsa sipas tij, vendimi për fillimin e hetimeve ndaj të mbrojturit të tij, është bërë më 2 korrik 2019.

Ndërsa, i akuzuari Nijazi Kryeziu, ka deklaruar se në seancën e së enjtes, ka pritur që prokurori të paraqet një ekspertizë financiare të veçantë për drejtorin e Urbanizmit, ku sipas tij, kjo ekspertizë nuk do të mundë t’i ikte ligjit për ndërtimet pa leje, i cili ka deleguar përgjegjësi shtesë për Drejtorinë e Urbanizmit.

Por, sipas prokurorit Sefa, eksperti Agim Sheqiri ka pasur një urdhëresë financiare të lëshuar nga prokurori, lidhur me një çështje penale të ngjashme që e ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në Komunën e Prizrenit, ku sipas tij, eksperti financiar ka pasur për obligim që përveç drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj, a ka pasur edhe shkelje të tjera të ngjashme nga drejtorët tjerë.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se nuk do të marrë vendim rreth kërkesës për hudhjen e aktakuzës deri në sigurimin e ekspertizës financiare.

Ajo ka obliguar prokurorin që brenda afatit prej 10 ditësh të sigurojë ekspertizën financiare lidhur me pagesat e kryera nga i akuzuari Nijazi Kryeziu.

Gjykatësja Elezi, më pas ka ndërprerë seancën e së enjtes, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 18 dhjetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Lajmet e Fundit