Nisin votimet në Rusi, Putin pritet të fitojë mandatin e katërt

Qytetarët me të drejtë vote në Rusi janë duke votuar në zgjedhjet presidenciale, ku pritet që presidenti aktual, Vladimir Putin të fitojë mandatin e katërt. Pyetja e vërtetë është nëse pjesëmarrja në votime do të jetë e lartë, në mënyrë që Putin të fitojë bindshëm.

Zgjedhjet në Rusi përkojnë me katërvjetorin e aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, shkruan REL.

Presidenti në detyrë, Putin 65-vjeç, teksa ka votuar në Moskë ka thënë se çdo pjesëmarrje e votuesve që do t’i lejojë presidentit të përmbushë detyrat e tij është një “sukses”.

Raportohet se pjesëmarrja e votuesve në Lindjen e Largët të Rusisë tashmë është më e lartë se sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2012.

Grupi i pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos, ka raportuar për parregullsi gjatë votimeve, përfshirë edhe vendosjen e kutive të votimit larg kamerave të vëzhgimit dhe ndryshimet në minutën e fundit në regjistrin e votuesve, që besohet se bëhet për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje.

Në zgjedhjet presidenciale marrinë pjesë tetë kandidatë, por shtatë kandidatët e tjerë, sipas sondazheve, qëndrojnë shumë larg Putinit. Sipas sondazheve, kandidati i Partisë Komuniste Pavel Grudinin ka 7 për qind të votave, ndërkaq gazetarja Ksenia Sochak 2 për qind.

Kandidatët e tjerë përfshijnë Vladimir Zhirinovsky, Sergei Baburin, Maksim Suraikin, Boris Titov dhe Girogy Yavlinsky.

Sipas Qendrës për Studime të Opinionit Publik, organizatë e afërt me Kremlinin, Putini sipas sondazheve, do të fitojë 69 për qind të mbështetjes së rusëve.

Sipas një sondazhi të bërë nga Gallup më 2017, 80 për qind e rusëve miratojnë udhëheqjen e Putinit, ndërkaq 40 për qind u besojnë zgjedhjeve në Rusi.

Rivali i vetëm i madh i Putinit është lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit Aleksei Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, pasi më parë ishte dënuar për keqpërdorim, akuzë kjo që gjerësisht shihet si e motivuar politikisht.

Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.

Për zgjedhjet presidenciale, Policia në Moskë ka njoftuar se ka angazhuar 17 mijë oficerë, trupa të Gardës Kombëtare dhe personel tjetër të sigurisë.

Më Shumë

Kontrolle intensive në Prizren: Shkyçje të konsumatorëve me borxhe dhe ndalim i lidhjeve ilegale

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka njoftuar se ekipet kujdestare të kontrollës po vazhdojnë edhe gjatë ditëve të vikendit me aksione...

Aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të diel në autostradën “Ibrahim Rugova”.Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, aty kanë dalë njësitë policore dhe...

Lajmet e Fundit