Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar kosovarët kishin jetuar me muzikën e Shemsi Krasniqit i njohur si Shemi. Ishin me dhjetëra këngë të grupit “Ilirët” që sikur u shuan kur përfundoi lufta në Kosovë – rokeri kishte vendosur t’i thotë “tung” muzikës. Por, i bindur se ka gabuar ai është rikthyer pas njëmbëdhjetë viteve. E tash, së bashku me krijimin e këngëve të reja, ai është duke i përpunuar të vjetrat
Pa i mbushur të njëzetat ka dalë për herë të parë para publikut, i cili, në Jugosllavinë e dikurshme e mirëpriste muzikën rok shumë më shumë sesa që e mirëpret publiku në ditët e sotme. Muzika rok kishte filluar të lulëzonte, ndërkaq, një djalosh nga Prishtina në bashkëpunim me moshatarët e tij po fillonin kultivimin e muzikës rok. Pak a shumë, kështu nis karriera e Shemsi Krasniqit para më shumë se tridhjetë viteve, i cili pas një kohe do të bëhet vokalisti i grupit muzikor “Ilirët”. Dhe, sot, më shumë se tre dekada pasi ka kënduar për herë të parë, ai vazhdon të “qëndrojë në këmbë”, me pretendimin se i tillë do të jetë deri në frymëmarrjen e fundit.
“Kam nisur të këndojë për herë të parë në vitin 1978/79. Aty i kam bërë hapat e parë me kitaristin, Menan Kiseri, me grupin që atëherë quhej Mehida, ka qenë grupi im i parë. Me të kam filluar, e paraqitja e jonë zyrtare ka qenë tek “Rina këndon”, ishte festivali që organizohej nga Reshat Randobrava. Aty Mehida ka dalë për herë të parë”, fillon bisedën për KultPlus, Krasniqi, gjatë së cilës, ai do të shpalos detaje të shumta nga jeta dhe karriera e tij.
Hallet e Kosovës nëpër rreshtat e këngëve
Pothuajse secila këngë që është interpretuar nga Krasniqi në kuadër të grupit “Ilirët” në njërën formë apo në tjetrën e prekte hallin e shqiptarëve. Kjo veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta.
“Oj hapsane e lyme me kallaj, të kam mbajt në mendje dhe të mbajë. Si harrojë torturat ç’mi ke shtu, kënd pa e vrarë e kënd pa e varru”, është njëra nga këngët që sikurse me videoklipin edhe me tekstin e këngës trajtonte burgosjen e shqiptarëve nga pushteti serb.
“Përveç një teksti të një kënge, të gjitha tekstet tjera i kam shkruar vetë”, thotë shkurt Shemsi Krasniqi, teksa tregon për këngët që i ka krijuar për dekada me radhë.
Gjatë bisedës ai tregon se si gjendja e rëndë nëpër të cilën po kalonin shqiptarët e Kosovës e kanë inspiruar që t’i shkruaj tekstet e ndryshme, të cilat më pas t’i bëjë këngë.
Siç tregon Krasniqi, i ati i tij kishte qenë njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit ku u grumbulluan shqiptarët nga pushteti serb u dëbuan në qytetin malazez, dhe më pas u ekzekutuan.
Ndërkaq, në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë kishte nisur aksioni “Falja e Gjaqeve”, që ishte udhëhequr nga Anton Çetta, aksion ky pas së cilit mijëra familje që ishin në gjak me njëri-tjetrin ia patën shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit. Këngëtari, që tashmë ka kaluar të pesëdhjetat thotë se ishte përpjekur ta ngrisë vetëdijen tek popullata se nuk është koha të bëhen vrasje në mes vete, por të organizohen për t’iu kundërvënë pushtetit të Sllobodan Millosheviqit.
Shemsi Krasniqi dhe grupi “Ilirët” kishin kënduar edhe dhjetëra këngë të tjera, siç ishte edhe ajo “Larg vendlindjes” që trajtonte çështjen e azilantëve kosovarë që gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, jetonin të vetmuar nëpër shtetet perëndimore, ku njihet edhe refreni “Oj Kosovw ty tw kam hajmali”.
Edhe pse, në raportuarin e “Ilirët” ka edhe dhjetëra këngë të tjera, që trajtojnë fatin e keq të shqiptarëve, ky grup i ka kënduar edhe dashurisë e jetës rinore. Njëra nga to është hiti kamotshëm “Kazanova”. E tërë kënga, fund e krye flet për vajzën e re prishtinase të viteve të shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta.
“E kam dashur jetën e lehtë, kam qenë edhe muzikant, kam pasur edhe femra, ka diçka aty. Kazanova lidhet me mua, sepse, unë s’kam ditë as kur është natë as kur është ditë. Kam fluturuar tërë kohën. Tash është më lehtë, përpara ka qenë e vështirë”, ka thënë Shemi.
Rikthimi pas njëmbëdhjetë vjetëve pushim
Disa këngë të realizuara pak kohë para luftës në Kosovë, të transmetuara tek qytetarët nëpërmjet kasetave me shirit magnetik, dhe nëpërmjet video-kasetave që gjatë viteve të nëntëdhjeta bëheshin për çdo Vit të Ri, përbëjnë krijimtarinë muzikore të këngëtarit, me të cilët, në një farë forme ai i kishte dhënë fund karrierës së tij.
Ishin duetet me këngëtaren Ganimete Abazi, një duet me këngëtaren Mihrije Braha, dhe disa këngë të realizuara të cilat mbetën si dhurata e fundit për kosovarët nga grupi që shumë breza ishin rritur me të. Ndërkaq, mundësia e vetme për t’i dëgjuar ato këngë ishte në kanalin YouTube, në të cilin deri së voni “Ilirët” dhe Krasniqi nuk kanë pasur fare kanal personal.
Për vokalistin e grupit “Ilirët” nuk dihej asgjë, ndërkaq, vetë ai kishte refuzuar çdo mundësi që të dalë në opinion, të këndojë apo të jap intervista.
“Pas rikthimit tim pas 11 vjetëve, rinia mi njihte këngët por mua si personalitet nuk më njihte. Dhe thash është mirë kësaj rinie t’ia bëjmë ato këngët e vjetra, t’i përpunojmë pak. I kemi përpunuar disa këngë, me Mihrien (Braha) i kam kënduar, kanë dalë bukur, kemi fituar popullaritet mjaftë”, thotë ai.
Por, cila ishte arsyeja që njëri nga grupet më të mira të muzikës rok, që i kishte mbijetuar kohërave shumë të vështira, të vendoste që mos të këndojë më.
“Ka qenë ajo koha kur përfundojë lufta. Shumë ma shtrojnë këtë pyetje, e as vet s’di të përgjigjem. Kam menduar se misioni im ka përfunduar. Unë tërë jetën kam kënduar për çështjen kombëtare edhe kam menduar se misioni im ka përfunduar me përfundimin e luftës. Por, për rikthimin tim ka luajtur rol edhe shëndeti im. E kam pasur një atak në zemër, edhe ata më kanë preferuar t’i kthehem muzikës, sepse, muzika kinse qenka ushqim, apo relaksim, është mirë të merresh me muzikë, e qetëson zemrën. E kam marrë si hajgare, por ka dalë kështu, prej se jam rikthyer e ndjejë shumë mirë vetën”, tregon babai i dy djemve, Ponisin shtatëmbëdhjetë vjeçar dhe Uliksin tetëvjeçar.
Ai madje është i bindur se tashmë është turp nëse e lë muzikën pas gjithë krijimtarisë që ka pasur.
“Natyrisht që jam penduar për pauzën. Bile mendoja ta kisha nxjerrë nga një këngë për çdo vit, kjo më kishte mbajtur. Por mua për njëmbëdhjetë vjet më ka mbajtur kënga ‘xhamadani’. Po mos të ishte ajo këngë unë s’do të isha askund”, thotë ai.
Historia e këngës “Xhamadani vija-vija”
Njeriu që tashmë mund të cilësohet si këngëtar aktiv, e që thotë se nuk pretendon të pasurohet nga muzika, prandaj, punë primare e ka atë të menaxherit tek biznesi i miqve të tij, është personi që e ka bërë të “njohur” këngën “Xhamadani vija-vija”.Ai thotë se kjo këngë ishte kompozuar nga dy shkodranë, sikurse edhe teksti që ishte shkruar, pastaj e kishte kënduar këngëtarja Shkurte Fejza, por siç thotë ai, kjo nuk ka zgjatur shumë kohë.
“E keni vërejtur se ajo këngë e lyp një dinamikë tjetër, jo për t’ia mohuar Shkurtës. Me Enis Preshevën producentin tonë e kemi bërë atë këngë në vitin 1997 dhe mund të them se kam pas dëshirë ta bëjë atë këngë edhe një herë, por s’mund të bëhet më mirë. Janë disa këngë që mbetën të tilla, kemi dashtë ta bëjmë me filarmoni, por prapë kemi thënë se s’mund të bëjmë asgjë më shumë se që kemi bërë. Enisi i ka dhënë vulë asaj kënge”, nënvizon ai.
Kjo këngë, që në njëqind vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte bërë “Himni i shqiptarëve”, e ka edhe një simbolikë tjetër.
Në sheshin “Nëna Terezë” po mbahej koncerti festiv me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Dhe aty, pa pritur fare, ka shpërthyer Shemi në duet me Ganimete Abazin pikërisht me këtë këngë.
Në fakt, në këtë paraqitje ishte rikthyer edhe këngëtarja Abazi, e cila, gjithashtu nuk ishte marrë me muzikë aktive për më shumë se një dekadë. Dhe, tani pas rikthimit, a do të ketë sërish projekte muzikore të përbashkëta?
“Për sa i përket bashkëpunimit me Ganën, kohën e fundit i kemi pasur disa biseda por nuk e di. Ndoshta do të bashkëpunojmë me disa këngëtare, që po quhen vipa, sepse, po kërkojnë që të kem duete të tilla. Nëse i përpunojë këngët që i kemi kënduar me Ganën, aty nuk duhet të këndojë Ganja, sepse, duhet bërë ndryshime”, thotë ai.
Projektet me të cilat do të prezantohet
Viti që kemi lënë pas nuk ka qenë edhe aq pasiv për Shemin. Ai është paraqitur me disa duete, me disa këngë të reja, dhe me përpunime të këngëve të vjetra.
Por, viti 2014 do të jetë edhe më i frytshëm. Të paktën kështu beson vetë prishtinasi që si i ri kishte jetuar në lagjen e “Katër Llullave” në Prishtinë, ndërkaq, tash jeton në lagjen Arbëria.
“Kam nostalgji për ato këngë (këngët e viteve të 90-ta). Tash jam duke i përpunuar dy këngë, të vitit 96/97 kur kemi bërë ne muzikë, le të jenë sekret se cilat këngë janë ato, sepse janë përpunime, të dyja janë duete me femër. Janë disa projekte, një këngë jam duke e punuar në Shqipëri, e para do të dalë në fund të këtij muaji, është duke e punuar Alfred Cula, ndërkaq Shkodran Tolaj është duke e punuar një këngë tjetër, ai ma ka punuar edhe këngën ‘Rini thuaja këngës’. Mund të them se i vetmi njeri që ka shkruar për mua është Shkodran Tolaj, ai më njeh mirë”, thekson ai.
Pak kohë pasi ishte rikthyer në skenën muzikore, këngëtari Krasniqi patë nxjerrë këngën “Mixha Mursel”, që portretizonte një plak që i kishte bërë mbi shtatëdhjetë vjet, që s’kishte përkujdesje nga djemtë e tij, dhe që përherë kishte lakmi në vajza të reja e të bukura.
Krasniqi thotë se e ka inat që jetën e tij personale, apo një ngjarje që ndërlidhet me jetën e tij ta bëjë këngë, dhe se e njëjta gjë e irriton kur e bëjnë të tjerët, por siç thotë ai, kësaj radhe ka bërë përjashtim, duke ia kushtuar një këngë axhës së ndjerë, të cilën, megjithatë, ai thotë se e ka zbukuruar paksa nga realiteti.
“Më vjen keq që se kam incizuar sa ka qenë ai gjallë, edhe e pata shkruar tekstin qysh kaherë, diku në vitet e 90-ta, e pastaj e pata harruar krejt, por pastaj basisti im, Shkëlzeni, më tha se e kam pasur një tekst diku, iu kujtua atij, kështu ka lindur kënga”, thotë ai.
Në suksesin e mëtutjeshëm ai është i bindur maksimalisht, ngase, siç thotë , ka pasur raste kur i ka matur forcat me këngëtarë “modern”.
Shumë të rinj shqiptarë në atë kohë kishin filluar të merren me muzikë rok. Në fakt, në vitet e 70 të shekullit të kaluar u patën themeluar rok-grupet e para shqiptare, si grupi 403 apo Gjurmët, por, pothuajse asnjë grup i tillë nuk i ka mbijetuar kohës.
Shemsi Krasniqi e kujton me ëndje kohën kur, organizonte festivalin BUM, në të cilin siç thotë ai, shkëlqenin rok-grupet shqiptare të kohës.
“Është evidente që atëherë (vitet e 70-ta) ka pasur më shumë vlera muzika rok. Atëherë është dashtë roku shumë, kanë qenë grupet e mëdha, Gjurmët, 403, Ilirët, Minatori, TNT, ka pasur grupe të mira. Kur i thirrsha unë grupet nga Jugosllavia në Bum Festival ata asgjë nuk ishin më të mirë si unë. Po tash, nëse dëshiron të fitosh para, me vlera këtë s’mund ta bësh. Mund ta rrahin shpinën por fiton kuantiteti”, thotë këngëtari, që megjithatë pretendon se muzikës nuk do t’i thotë kurrë “lamtumirë” .
Në shumicën e paraqitjeve, mbase në të gjitha, qofshin ato të kamotshme apo të pasluftës, Krasniqi del me kapele në kokë. Edhe ky detaj e ka një histori të veten.
“Nëna ime më thoshte gjëja më e bukur tek ti janë flokët, këtë e di gjenerata ime, i kam pasur shumë të mira, edhe femrat më donin vetëm nga flokët. Por më vonë më ranë flokët. Kur shkuam në turne në Gjermani, në vitin 1995, Leci (Ibrahim Krajkova) që ishte si një udhëheqës i joni, më tha o njeri qite një kapele se po dukesh si frankeshtajn, sepse, kokën e kisha një pjesë me flok e një pjesë pa flok. E morra një kapele, atë kohë kemi qenë grupi më i popullarizuar që nga formimi, ka qenë koha e dueteve me Ganën (Ganimete Abazin), viti 1995/96. E vendosa kapelën, dolëm me Ganën edhe e kallëm. Pas kësaj erdhi menaxheri Fazli Rexha edhe më tha mos e hiq kapelën se po thonë, çka po bën ky njëri me kapelë, e kalli krejt. Edhe kështu ka mbetur kapela”, thotë ai.
Një kujtim tjetër i tij, që ka të bëjë me të kaluarën është rreziku, që ai thotë se ka kaluar, teksa është përpjekur të bëjë disa foto me veshje ushtarësh, për të ilustruar kopertinën e njërit prej albumeve të tij.
“Unë edhe kameramani Sylejman Kllokoqi e kemi bërë budallakinë më të madhe në jetë dhe nuk di pse jemi gjallë. Kemi shkuar mbi Gërmi, në malet e Butovcit që t’i bëjmë fotot me tesha të UÇK-së për kopertinë të albumit, në vitin 1997. Edhe sikur të na kishin zënë do të na vrisnin të dyve, duke na cilësuar si terroristë, ose si organizatorë të ndonjë sulmi, në atë kohë bëheshin atentate të shumta”, thotë ai.
Vështirësi e kohës, siç kujton Krasniqi, kanë qenë edhe xhirimet e këngëve për video-kaseta që bëheshin gjatë viteve të nëntëdhjeta, ndërsa kujton se shpeshherë ka hyrë policia serbe dhe i ka ndaluar xhirimet, që atë kohë bëheshin në ambiente të improvizuara.
“Unë i kam vesh i pari teshat e ushtrisë, jo Jakup Krasniqi. Në Zvicër, në koncert e kam veshë krejt grupin me uniformë të UÇK-së, kam thënë ka ardhur koha, pastaj ka dalë Jakup Krasniqi ka dhënë intervistë. Unë kam thënë prej sodit fillon ushtria”, ka kujtuar ai.