Lagjja e Rexhajve në Korishë të Prizrenit është një lagje moderne, e ndërtuar me shtëpi të reja, por ankthi i rrëshqitjes së dheut nga bjeshka tashmë u ka futur banorëve frikën e vdekjes. Bile, ditë më parë, nga kjo frikë Hamdi Rexhaj largoi për një muaj familjen nga shtëpia. Labinot e Hamdi Rexhaj nga fshati Korishë ankohet për rrëshqitjet e shpeshta të dheut, që po rrezikojnë familjet e tyre dhe në përgjithësi këtë lagje. Labinot Rexhaj, duke folur për “Kosova Sot”, shprehet se as gjumin nuk po e bëjnë rehat nga frika e përhershme.
“Unë, si familjar këtu, jam shumë i rrezikuar, sepse rrëshqitja e dheut, sidomos gjatë pranverës së hershme, kur ka të reshura, duhet ikur nga këtu, sepse mund të jetë tragjike për familjen time. Ne ia kemi bërë të njohur këtë rast edhe Komunës së Prizrenit dhe po presim ndihmën që mund të na ofrojnë ata”, thotë Labinoti. Ai shprehet se këtë ankesë e kanë bërë me kohë tek autoritete komunale, me ç’rast kanë ardhur shumë zyrtarë të Komunës së Prizrenit dhe e kanë parë nga afër gjendjen në terren.
“Tanimë këtu nuk rrezikohemi ne dy-tri shtëpi sa jemi këtu, por nëse rrëshqet dheu nga bjeshka lart, rrezikohet e tërë lagjja”, thotë Labinoti, i cili shprehet se premtimi i zyrtarëve komunalë ka qenë se do të intervenohet menjëherë, por ende nuk është ndërmarrë diçka në këtë drejtim. “Na jemi në pritje të vendimit të tyre. Po presim të shohim se si do ta gjejnë një ë zgjidhje”, thotë Labinoti, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.
Edhe Hamdi Rexhaj shprehet se kanë frikë të jetojnë aty.
“Unë këtë pranverë kam qenë i detyruar t’i largojë fëmijët për një muaj, sepse kam pasur frikë nga rrëshqitja e dheut. Kur ka reshje, këtu dheu po rrëshqet sikurse mbi ski”, thotë Hamdiu, i cili është detyruar të marrë një banesë me qira për një muaj me radhë në mënyrë që t’i mbajë fëmijët në vend më të sigurt. Edhe Haki Rexhaj shprehet se kanë deponuar kërkesë për intervenim nga autoritete komunale, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Organet komunale i kemi kontaktuar, por ta shohim se kur ata do të flasin lidhur me rastin tonë”, thotë Hakiu. Edhe banorë të tjerë të fshatit Korishë flasin lidhur me këtë problem. Ata thonë se atje gjendja është e rëndë. Por, derisa autoritetet po vonohen, banorët e lagjes Rexhaj u është dashur që vetë të ndërmarrin masa preventive. Labinot Rexhaj thotë se po bën të pamundurën për të siguruar një jetë normale për familjen e tij.
“Unë kam paguar një banor të fshatit që të largojë dheun nga afërsia e shtëpisë që ishte shembur. Ka larguar ndoshta qindra kamionë me dhe, por gjendja nuk është tejkaluar. Prandaj kemi këtë frikë të përhershme se këtu mund ta rrezikojmë familjen tonë”, thotë Labinoti, duke shtuar se familjet e tyre gjithmonë bien me frikën se po ra shi natën, dheu mundet të rrëshqet dhe të bëjë rrafsh me tokë këto shtëpi. Ai ka frikë për më të keqen.