Pas kontributeve të shënuara në fushë të studimeve letrare (Pamje të maternitetit në letërsinë shqipe: proza e shkurtër e shkurtër e Koliqit, Kutelit dhe Migjenit”, 2004; “Eposi i Át Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavo-jugorë”, 2007) dhe një përvoje të gjatë gjurmimesh arkivore, që u finalizua me zbulimin e pjesëve të panjohura të “Dottrina Christiana”, një prej veprave më të rëndësishme të letrave të vjetra shqipe (“Faqe të panjohura nga vepra e Pjetër Budit: 1618–1622”), së fundmi, prof. Blerina Suta vjen me librin “Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës” (Onufri, 2018).
Libri “Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës” përmbledh studime të mirëstrukturuara, sipas boshteve kryesore që mbështeten në kërkimet arkivore; analizat e interpretimet e reja për krijimtarinë poetike të Át Fishtës, kritikën e kritikës dhe qasjet metodologjike. Burime arkivore të panjohura ose të përmendura pjesërisht (Sarajevë: Guèa Gora, Kraljeva Sutjeska e Livno; Romë: Arkivi Historik i Urdhrit Françeskan; Arkivi i Institutit të Studimeve Shqiptare etj.), janë burime parësore dokumentare që dritësojnë profilin krijues të Fishtës, trajtuar pak ose sipërfaqshëm prej kritikës dhe mundësojnë studime nga këndi i privilegjuar i fakteve, për disa aspekte të veprimtarisë letrare të këtij autori.
Me bindjen se ende nuk është bërë sa duhet për të ndriçuar një nga figurat letrare më komplekse të Shqipërisë së gjysmës së I të shekullit XX, pjesën e parë të librit, autorja ia kushton pikëtakimeve të poetit me një tjetër figurë të njohur të letërsisë kroate, Silvie Kranjèeviæ. Periudha e studimeve në Bosnjë, veçanërisht ajo e studimeve për teologji në Livno, ka qenë vendimtare për formimin e profilit bazë të poetit, po ajo përkon edhe me miqësinë e Át Gjergj Fishtës me Silvije Strahimir Kranjèeviæ, një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë kroate, autor i pesimizmit kozmik, që do të shënojë përvojën formuese të Fishtës. Poezia e 1892-it, që Fishta ia kushton në italisht Kranjèeviæ-it (Al valente poeta sig. Silvie Strahimir Kranjèeviæ), për studiuesen B. Suta, “është dëshmia më e qartë e një njohjeje në rrafsh të thellë të poetikës së autorit kroat, e cila do të kushtëzojë edhe përpunimin e poetikës vetjake të autorit shqiptar, sidomos për poezinë lirike”.
Leximi, analiza tekstuale dhe interpretimi i poezisë “Nji lule vjeshtet” (1909), përmes pikëtakimeve të dy poetëve, përbën një pjesë të veçantë të librit. Duke u fokusuar në traditën e përbashkët italiane, studiuesja B. Suta sugjeron se kjo poezi, me shumë gjasë, i kushtohet autorit kroat Kranjèeviæ-it. Sipas saj, “shenjat e pranishme në tekst flasin për praninë e profilit njerëzor dhe poetik të Kranjèeviæ-it. Drejtshkrimi i fjalës selvi-ja: landë (cipresso), i mikut Silvij-a (Kranjèeviæ), i bartur në imazhin e drurëve të rinj, që do të lindin prej zanave përreth-përmendores poetike të shkruar nga Fishta, krijon metaforën e vazhdimësisë në shkollën poetike të Fishtës, të shkollës liriko-elegjiake të Kranjèeviæit”. “Përjetësimi i ri dhe origjinal i gjuhës kombëtare, nëpërmjet aktit konkret të poetit-profet,- vijon studiuesja,- bashkon në të njëjtën strukturë poetike vargun përmbyllës të “Nji lule vjeshtet” (E emni/ Sá t’bjere dielli tokës ka me t’u kndue), me vargun përmbyllës në poezinë kushtuar Kranjèevi¬æ-it (Vate! il tuo nome per sempe vivrài); falë aktivitetit krijues gjeniu i kombit realizon konkretisht procesin, përmes të cilit gjuha e popullit bëhet gjuhë e kombit”. Problemet kritiko-metodologjike të interpretimit të veprës së Fishtës përbëjnë një tjetër pjesë të librit “Hulumtime mbi veprën e Át Fishtës”, ndër të cilat do të veçonim rimarrjen e çështjes së “Mitit” të poetit kombëtar që ka “kushtëzuar kanonizimin letrar të Fishtës, gjatë periudhës së komunizmit dhe sot e kësaj dite”. Për këtë, autorja propozon këndvështrimin e veprës së Gjergj Fishtës si poet “stili” vs. poetit “kombëtar”.
Qasja komparative mes Fishtës e autorëve të romantizmit serb dhe kroat, që mbajtën po atë qëndrim ndaj përbërësve klasikë e popullorë në veprën e tyre (siç janë: mekanizmi i funksionit të eposit gojor; funksioni social dhe mediatik i këngës epike folklorike, i cili është i ngjashëm me funksionin e mediave në shoqërinë moderne; funksioni i ‘këngës’ në rrafshin metaligjërues të poemës epike romantike; titulli i poemës romantike Guzla/Lahuta, si simbole dhe evokime të këngës epiko-heroike etj.), motivon analiza dhe interpretime të mjaftueshme për të realizuar përmbysjen e këndvështrimit: pikërisht, atë që serbët, kroatët, malazezët kishin pësuar prej turqve po e pësonin tani shqiptarët prej serbomalazezëve. Vepra e Fishtës, për autoren e librit, veç rrafshit të parë metaligjërimor, të njëjtë me autorët sllavo-jugorë, paraqet një rrafsh të dytë interpretimi. Funksionalizimit të tiparit social mediatik të këngës epiko-heroike, i përbashkët mes Fishtës dhe autorëve sllavo-jugorë, i shtohet rrafshi i gjykimit moral nga ana e Fishtës se mesazhi që rrjedh prej poemave të autorëve sllavo-jugorë mund të lexohet edhe nga një këndvështrim shqiptar.
Teza e hipoteza të shtruara në punimet e mëparshme të autores, pasurohen me analiza arkivore e qasje metodike, duke i trajtuar në nivele të tjera arsyetimi e interpretimi, për veprën poetike fishtiane. Theksimi i problemit, se receptimi i “Lahutës së Malcis”, njërës prej kryeveprave të romantizmit shqiptar, edhe në ditët e sotme përballet me modelin e gegnishtes, prej së cilës janë çmësuar nxënësit/lexuesit tanë, si dhe me problemin e aureolës së kritikës metafizike që vesh “këngëtarët e kombit” (“homerët”), janë argumente të rëndësishëm që studiuesja të theksojë se kritika semantike apo filologjike e paraleleve me episode të traditës klasike, nga njëra anë, dhe interpretimet vetëm hermeneutike aprioristike pa bazë filologjike, nga ana tjetër, rrezikojnë mosreceptimin mbi baza tekstore të veprës artistike. Autorja e librit “Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës”, Blerina Suta, për studimin e veprës së Fishtës propozon metodën semantiko-interpretuese, për të cilën është paraprakisht e domosdoshme botimi i veprës në parametrat e saktë të vullnetit të autorit, si dhe atë filologjiko-interpretuese, përmes të cilave vlerat filologjike të tekstit do të kontekstualizohet në sfondin kulturor të realitetit ballkanik, që e ushqeu atë dhe të cilit i drejtohet vepra e Fishtës. Moderniteti i veprës dhe tejkalimi i modelit romantik qëndron posaçërisht në këtë përdorim gjenial të gjuhës së përditshme, të mesazhit romantik popullor të eposit sllav dhe përmbysjes së të vërtetës historike që bart e vërtedukshmja artistike e këtyre shkrimtarëve.
Fishta mund të kanonizohet si poet i stilit dhe jo si poet i kombit e, njëkohësisht, vlera historiko-sociale e veprës së tij të bëhet pasuri e trajtesës identitare kombëtare. Në këtë këndvështrim, rasti i tij i përgjigjet edhe çështjes së historiografisë letrare, të mohuar prej strukturalizmit, të asaj historiografie që shpreh memorien kolektive të një bashkësie të caktuar në fushë të letërsisë e në të njëjtën kohë reflekton konfliktin aktual të interpretimit.
Ky studim është tregues i kualitetit profesional-akademik, si dhe i përgjegjësisë metodiko-shkencore të autores. Vepra në fjalë e të tjera punime të B. Sutës meritojnë vëmendje të posaçme, punë që kërkojnë grupe hulumtuese në arkiva e biblioteka ballkanike e europiane, për dritësimin e dokumenteve të personaliteteve të kulturës sonë. Është detyrë e institucioneve, po aq sa edhe e komunitetit të studiuesve, të mbështesin e të promovojnë në veprimtari të caktuara botime shkencore, që përbëjnë kontribute të mirëfillta fishtologjike.
Libri “Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës” dallon për raportin mes mbështetjes teorike dhe mendimit të studimeve paraardhëse, nga njëra anë, dhe interpretimeve e përfundimeve vetjake, nga ana tjetër, duke i dhënë objektit të studimit jo thjesht ekskluzivitetin e këndvështrimit personal, por duke e zgjeruar atë me këndvështrime alternative me kompetencë shkencore.
Meritë të veçantë ka Botime Onufri, që gjithëhera spikat për botime cilësore e bashkëkohore, me synimin për t’i ofruar lexuesit kënaqësinë e receptimit të librit shkencor (Panorama).