Nga Sevdai Kastrati
Vjershën e tij të njohur “Krishti me kamçikun” Fan Noli e shkroi gjatë qëndrimit në Vjenë më 1927 dhe e botoi për herë të parë pas 18 vjetësh në gazetën “Dielli” më 26 dhjetor 1945 me pseudonimin tashmë të njohur Robo Rogozhina.
Vjersha “Krishti me kamçikun” njohu dy botime dhe kemi një dorëshkrim autograf. Në të dy variantet e botuara numri i vargjeve dhe i strofave është i njëjtë. Vargu i dytë i strofës së katërt te botimi i parë del:
Kish arrirë në kulm e u-bë kryetar
kurse tek “Albumi” është strofa e tretë:
Na u-ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar
Në vargun e katërt të strofës së pestë në botimin e parë del:
Dhe nga korbat q’ e hanin atdhen’ e shpëtoj
në variantin e dorëshkrimit autograf është:
Dhe nga krimbat që hanin atdhen’ e shpëtoj kurse tek “Albumi” që është varianti përfundimtar del:
Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj
Në vargun e katërt të strofës së gjashtë në botimin e parë:
Dhe me shkelmë dhe grusht na çliro, na shpëto
kurse në variantin e fundit del:
Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.
Foljet lëngonin, kujtonin në strofën e katërt të botimit të parë janë në kohën e pakryer të mënyrës dëftore, kurse tek “Albumi” që është strofa e tretë dalin në kohën e tashme të mënyrës dëftore lëngojnë, kujtojnë.
Përpos ndryshimeve në vargje nga dy botimet, kemi edhe renditjen e strofave ndryshe: strofa e tretë e botimit të parë tek “Albumi” del si strofa e katërt; strofa 7 bëhet 8; strofa 8 bëhet 9 dhe strofa 9 bëhet 7.
Siç mund të shihet, vjersha “Krishti me kamçikun” përpos ndryshime në vargje, renditjen e strofave ndryshe kemi mjaft korigjime fjalësh: vrushkull te vargu i tretë i strofës së pestë është zëvendësuar me fjalën fshikull; këllëç te vargu i tretë i strofës së gjashtë është zëvendësuar me fjalën shpatë etj.
Ndërsa në vargun e katërt të strofës së nëntë (strofa e 7 tek “Albumi”) bëhet zëvendësimi i një fjale tjetër me përmbajtje të ngjashme: s’lirohet për s’çlirohet.
Fan S. Noli është një nga shkrimtarët e rrallë në historinë e letërsisë shqipe që i ripërpunon vazhdimisht poezitë e tij për t’i bërë krijime sa më të arrira poetike. E, në këtë rreth shkrimtarësh bëjnë pjesë Jeronim De Rada, Zef Skiroi dhe Lasgush Poradeci. Jeronim De Rada Këngët e Milosas do ta shkruajë në gjashtë variante dhe do të botohen vetëm tri (1836, 1847 dhe 1873); Këngët e Sarafina Topias do të botohen tri herë (1839, 1843, 189798) saqë në botimin e fundit me titull të ndryshuar Une specchio di umano transito [Një pasqyrë e jetës njerëzore]; Skanderbeku i pa-fan do të botohet dy herë (1872-1884, 1885-1886) saqë në botimin e dytë me titull të ndryshuar La caduta della Reggia d’Albania [Rënia e mbretërisë së Shqipërisë] dhe kishte ndërmend ta ripunonte edhe një herë. Zef Skiroi poemën Milo e Haidhi do ta shkruajnë në katër variante dhe do të botohen vetëm tri (1890, 1900, 1907); poema Te dheu i huaj në botimin e parë (1900) kishte 1328 vargje, kurse në botimin e dytë postume (1940) kishte 6260 vargje. Lasgush Poradeci vjershat Kënga e bilbilit, Poradeci, Vdekja e Nositit, Syt’ e varfëruar, Marshi i dashurisë, Valmi i dashurisë, Durimi etj. janë të shkruar në dy, tre dhe katër variante.
Karakteristikat me të cilat përkon De Rada me Nolin janë zgjidhja dhe shkurtimet e titujve, ndryshimet, plotësimet e veprave të tyre. Kështu, fjala vjen, në poemat Këngët e Milosas, Këngët e Sarafina Topias De Rada, përmend rangun e lartë shoqërore që ka Milosau si bir i sundimtarit të Shkodrës dhe Sarafina Topia si princeshë e Zadrinës, ashtu sikurse edhe Noli në Historinë e Skënderbeut përmend pozitën e lartë shoqërore që ka Skënderbeu si mbret i Shqipërisë, e në botim të dytë si kryezot i Arbërisë. Ashtu sikurse De Rada në botimin e parë të Këngëve të Milosas me titullin e plotë në italishte Poesie Albanesi del Secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari në botim të dytë del me titull të shkurtuar Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari edhe Noli në botimin e dytë do t’i shkurtojë titujt e vjershave: Anës lumenjve të Babilonisë për Anës lumenjve; Sofokliu dhe Ferid Asllani për Sofokliu. Poemën Këngët e Sarafina Topias De Rada në botimin e tretë do t’i ndryshojë titullin Një pasqyrë e jetës njerëzore, ashtu sikurse edhe Noli vjershën në dorëshkrim Dale moj… do ta botojë pas 18 vjetësh me titullin Plak, topall dhe ashik. Është thënë për De Radën se ndryshimet i bënte edhe në shtypshkronjë, ashtu mund të thuhet se Noli vjershën Saga e Sermajesë, kinse e përkthyer nga persishtja prej Namik Namazit dhe e shkruar më 11 shkurt 1963 në Ispakhan, do ta ndryshojë në shtypshkronjë.
Siç është thënë për Zef Skiroin se variantin e katërt të poemës Milo e Haidhe e ndryshon, e plotëson në faqet e një kopje të librit të botimit të tretë, ashtu sikurse edhe Noli që do t’i bëjë korigjime, përmirësime të dukshme në faqet e një kopje të librit Historisë së Skënderbeut (1921) dhe do ta botojë më 1950.
Në qoftë se me De Radën shëmbëllen në zgjedhjen, shkurtimin dhe ndryshimin e titujve, me Zef Skiroin në ndryshimet, plotësimet në kopjen e librit, ndërsa me Lasgushin përkon me shtimin dhe heqjen e strofave. Në vjershën Lamtumirë në variantin e fundit Lasgush Poradeci i shton një strofë të katërt, derisa në variantet e mëparshme kishte tri strofa, ashtu sikurse edhe Noli vjershën antologjike “Rent, or Marathonomak” në botimin e dytë i shton strofën e njëmbëdhjetë. Vjershën Durimi në variantin e tretë i heq një strofë, ashtu sikurse edhe Noli vjershës Sofokliu në variantin e dytë i heq një strofë.