5.7 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

O njerëz, ç’bëhet kështu?

YlliPango-prof.Dr.Shruan: Prof.Dr. Ylli Pango

 

O njerëz, o miq, o media që ma bëtë emrin copë, ju lutem lexoni e kuptoni. Këtë vend po duan të na e bëjnë të padurueshëm njerëz që na përgjojnë, njerëz që na urrejnë, njerëz që rrojnë me të keqen që u bëjnë të tjerëve. Njerëz që marrin poste dhe i shfrytëzojnë për të shtypur, trembur, persekutuar njerëzit që punojnë. Në emër të së mirës? Të së drejtës? Jo! Në emër të urrejtjes, të së ligës, parasë, shantazhit. Këta vetë bëjnë gjithçka të ligë në këtë botë dhe dalin të larë. Të larë për të dëmtuar të tjerët. Shihni ç’po bën njëri syresh prej kohësh kundër meje. Veç për urrejtje që e shpreh hapur në tryeza pije. “Do t’i bëj namin…”. Gërmon në punën time të dikurshme në ministri (ku njerëzit e dinë sa e si punova) dhe çon emrin në gazeta për gjoja shkelje në turizëm. Pastaj merret me ato të shkreta reklama ku për herë të parë Shqipëria u pa në mbarë botën e mori emër, dhe persekuton njerëz. Pastaj gjen gjoja shkelje në sport. Të gjitha këto që nga momenti që u emërua kryetar i KLSH. Shtypi i merr këto gjoja fakte, e i amplifikon. Përsëri njolloset emri e përflitet. Përfundimi, asgjë. Tani sjell njerëz në Agjencinë tonë të Kërkimit, Teknologjisë e Inovacionit, në atë Agjenci që e krijuam vetë tash tre vjet e që tash tre vjet e vlerëson me nota maksimale Komisioni Europian (lexoni progres-raportin e BE për Shqipërinë, viti 2011, faqe 58-59 anglisht, 7 herë përmendet pozitivisht Agjencia jonë ARTI). U thotë kontrollorëve të nxjerrin medoemos diçka. Vijnë kontrollorët e thonë “ku i keni tenderat se do i kontrollojmë”. U themi, nuk merremi me tendera. Habiten. Bujari është keqinformuar me ç’duket. Mundohen kontrollorët e shkretë të gjejnë ndonjë gabim te financimi i projekteve të shkencës, dhënë kryesisht universiteteve. Përpiqen tre muaj, të persekutuar me frikën e humbjes së vendit të punës, por nuk gjejnë dot gjë. Së fundmi sulmojnë një projekt, të vetmin që ka fituar biznesi nga 53 projekte, vlerësuar nga specialistët më të mirë të hidroenergjisë, profesorë e doktorë të fushës, firmosur prej tyre 10 herë. Thonë nuk bën?! E hedhin poshtë! Po si mund të vlerësojë kontrolli një projekt profesional, veç anës financiare. Këta vlerësojnë edhe ujin, projektet shkencore për ujin. Nuk janë inxhinierë hidro, asnjëri syresh, thjesht ekonomistë, por kanë urdhër. Në dy ballafaqime u thuhet se financimi i këtij projekti është vendim specialistësh, profesorësh e më pas bordi. Si mund ta hedhë poshtë një jo specialist. Dhe këtu, drejtori me emrin Ylli Pango ka zbatuar vendimin e Komisionit e më pas të bordit. Sipas ligjit ai zbaton vendimet e tyre. Firmos vetëm pas firmosjes së 15 njerëzve. Kështu e ka ligji. Por këta nuk duan t’ia dinë. Kanë urdhër. Shkruajnë ç’u thonë e kallëzojnë në prokurori. Paçka se s’ka shkelje. Po si ka mundësi që nuk kuptojnë se ky është enverizëm. Se do ju vijë vetë radha po e lanë kështu të shijë Bujarin? Këto janë shkelje e të drejtës, persekutim, ndyrje pa faj e emrit të njeriut të punës, ligësi. Ky kryetar i KLSH ka marrë kamzhikun e po godet kudo. Ku i do qejfi. Do rrijë 7 vjet. Nuk e prek dot njeri. Prandaj mendohuni mirë punonjës. Ju heq kur të dojë. Vini re ç’barbari, ç’bajraktar, ç’prepotencë. Përse i bën ky këto? Si ka mundësi që ndyn, godet, shkatërron jetë njerëzish dhe nuk i hyn gjemb në këmbë? Çfarë kërkon? Para? Kapital politik te qeveria që vjen? Shfryn urrejtje? Ngjall frikë që të përfitojë? Ju jepmani përgjigjen. Kush ka durim le të shohë nga është e drejta. Me fakte e dokumente. Dhe pastaj nëse bindet të më thotë: po pastaj kush do na i paguajë, nervat, poshtërimin, ato fotot e ulëta ku me aq zell disa media na paraqesin si kriminelë? Disa media që nuk pranojnë me urdhër të pronarëve të botojnë as reagimet e drejta tonat. Po ç’demokraci është kjo? Si mund të mos dëgjohen të dy palët, po të lejohet vetëm të poshtërohet, pështyhet e shahet vetëm njëra? Jo, kjo nuk është demokraci. Mjafton të bëjë Bujari kallëzim penal dhe automatikisht fillon denigrimi. Denigrimi me fletërrufe gazete. Imazhi i njeriut përdhoset pa të keq. Puno sa të duash. Ku vemi kështu, o njerëz? Bujari është kontrollori, Bujari është prokurori, Bujari është media. Ky na ka në dorë të na copëtojë kur të dojë se është kryetar i KLSH. A nuk e shihni zotërinj deputetë kujt ia kini varur mëlçitë në qafë? A nuk është shtypje kjo? A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut? A nuk është shpërdorim posti nga ana e vetë Bujarit? Se shpërdorimi është ta përdoresh postin për interesa përfitimi, por është edhe të shfrysh urrejtjet personale e të shkatërrosh jetë njerëzish. Dhe të mendosh: kur e zëvendësova në ministri në 2005 këtë njeri, tha: “Jam i nderuar që po zëvendësohem nga një profesor”. Tani i është qepur profesorit e është betuar mes miqsh se do ta shkatërrojë. Po kush do e dënojë për këtë Bujarin, sepse ai e di mirë që ne nuk kemi asnjë shkelje, por prapë mizorisht, primitivisht godet. Ai e di mirë ku janë shpërdorimet e vërteta, po atje nuk prek. Dhe kur ne do dalim dhe sigurisht do dalim të pafajshëm se kemi kryer detyrën e vetëm detyrën, a do të vazhdojë Bujari të copëtojë të tjerë? Ju gjykoni. Jemi në demokraci foshnjore dhe po i lamë këta njerëz kështu, shpejt do u vijë radha të gjithëve. Njerëz, miq, media, ju lutem vrisni pak mendjen dhe reagoni. Nga të jetë e drejta. Kjo është demokracia.

 

P.S. Jam i hapur për çdo sqarim të mëtejshëm. Nuk i trembem asgjëje. Por urrej padrejtësinë e poshtërsinë me gjithë shpirt.

Më Shumë

Parashqevi Simakut i plotësohet dëshira, bie në kontakt me djalin

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku ka bërë të ditur mbi një zhvillim të fundit, ku thotë se ka komunikuar me djalin e saj. Ajo...

Fest 63 – Mbyllet nata e parë! Spektakël, mesazhe të fuqishme sociale. Publikohet juria

Nata e parë e Festivalit të 63të të këngës në RTSH, ka ulur perden, pasi për afro 3 orë e 30 minuta Fest 63 shfaqi...

Lajmet e Fundit