Sali Bytyqi
Para derës së Klinikës së Kirurgjisë pritnin shumë njerëz. Disa prisnin të vizitoheshin, të tjerë që i shoqëronin këta të fundit, ishte edhe një grup, burra e gra të moshave të ndryshme, që prisnin rezultatin e ndërhyrjes kirurgjike të një të afërmi të tyre, i cili, kur kishte hyrë në sallën e operimit, unë nuk isha aty dhe, për pasojë, nuk e dija si dukej. Sidomos bënte përshtypje një grua, në këmbë, me sytë tërë lot, që priste se si do të kryhej ndërhyrja kirurgjike e të afërmit të saj.
Prisja dhe unë. Sytë më shkonin sa nga njëri tek tjetri. Duhej ta shtyja kohën…
Në mesin e atyre që prisnin ishte edhe një çift, burrë e grua. Çifti, edhe ai pothuaj i brezit tim, më afroi të ulesha në një ulëse metalike ca të deformuar. Nga theksi më ngjanë të ishin nga Ulqini apo Ana e Malit:
– Nga Mali i Zi jeni?
– Jo, nga rrethi i Prizrenit.
Më thanë edhe emrin e fshatit.
– Nga fshati i Loshit?
– Po, nga ai fshat jemi! – ma ktheu burri dhe shtoi, – Nga fshati i Loshit që e mbante fotografinë e Millosheviqit në vitet ’90.
Tani më Loshi nuk jetonte, jetonin vetëm ato që thuheshin për “veprat” e shumta të tij.
– Po Pashku? Si është Pashku?
– Pashku në burg. I ka kaluar të gjashtëdhjetë vjetët, e, në burg!
– Po pse, për çfarë është në burg, Pashku?!
– Për hajni.
Pashkun e kam njohur në burg. Dyzet vjet më parë. Ndoshta në ditët e fundit të vitit 1982, kur më nxorën nga vetmia dhe më vendosën në dhomë me të burgosur të tjerë, në krahun tjetër të burgut. Nuk më hiqet nga kujtesa momenti, pasi u njoftova me shokët e dhomës, në të cilën më intelektuali ishte një student i vitit të dytë të Fakultetit Juridik, tjetri ishte një i mitur 17-vjeçar, pastaj një plak i cili kishte qenë rreshter në Kohën e Shqipnisë (kuptohet: nën italianët), dhe Pashku; studenti tha: Mjaft folëm, tani të lexojmë! Pashku sikur u gëzua kur më sollën mua në dhomë me ta, por u dëshpërua jo pak kur edhe unë nxora një libër nga bagazhi im. Unë, i habitur nga dëshpërimi i tij, iu drejtova:
– Ti, përse nuk lexon diç?!
– Nuk di! – tha me fytyrë të vranët.
– Pse nuk ke shku në shkollë?! Nuk të ka lënë babai?!
– Jo, zotnija nuk më ka lënë!
E dija që “zotni” i thoshin priftit. Në atë kohë, opinioni, se klerikët, e të gjitha religjioneve, ishin reaksionarë, ishte më se i zakonshëm, po përse prifti të mos e lejonte Pashkun të shkojë në shkollë, nuk arrija ta kuptoja. Në ndonjë dhomë tjetër të burgut ishte edhe Loshi, ndërsa në dhomën ngjitur ishte “hasmi”, siç e quante Pashku njeriun me të cilin ishin ngatërruar dhe që kjo ngatërresë i kishte sjellë babë e bir në burg. Në ditët në vijim dëgjova shumë tregime për Loshin, për trimëritë e tij, shumicën nga një pylltar, i cili ishte arrestuar për shitje të drurëve pa vulë të organizatës së Pylltarisë, shkurt, për keqpërdorim të pozitës së tij si pylltar.
Loshi, në krahinën e tij, nga Theranda në Prizren, ishte i njohur për trimëritë e tij.
Atë kohë nuk qëndrova gjatë në burg, sepse gjyqi vendosi të mbrohem në liri dhe, nga ajo kohë, përveç kujtimeve për Loshin e Pashkun, më nuk kam pasur ndonjë njohuri, si kanë jetuar, çfarë kanë bërë, çfarë trimëri ka treguar Loshi por, në vitin 1999, në maj, në kohën që na dërguan në Burgun e Dubravës, në Pavijonin B, këtu takova Loshin përsëri. Jo nga afër, po nga larg, e shihja çdo ditë.
***
Pavijoni B në lindje kishte Pavijonin C, në Perëndim Pavijonin A. Ishte në mes. Dhoma ku isha unë, edhe me 15 të tjerë, dritaret i kishte nga pavijoni A. Ndërsa të burgosurit e pavijonit C gjatë gjithë kohës ishin të mbyllur në qelitë e tyre, ne të Pavijonit B tri herë në ditë dilnim nga qelitë për të ngrënë bukën në mensë të burgut, ndërkaq të burgosurit e pavijonit A, në mesin e të cilëve apo në krye të të cilit ishte Loshi, gjatë gjithë ditës ishin të lirë; ata bënin punë të ndryshme në hapësirat e burgut: kositnin bar apo punonin edhe ndonjë punë tjetër. Të gjithë ishin të burgosur ordinerë: vrasës, plaçkitës, dhunues etj.
Ata punonin sa punoni, kur vinte koha e bukës, bëheshin rresht për dy dhe shkonin në mensë. Në krye të kolonës së të burgosurve si përherë qëndronte Loshi. Loshi me krroçe, siç thoshin të burgosurit. Përkundër asaj që në burgun e parë vetëm kisha dëgjuar për Loshin, tani kisha mundësi ta shihja, edhe pse nga larg. Një trup mesatar, i plotë, pa mustaqe dhe, ndërsa të burgosurit e tjerë kishin veshur rroba civile, Loshi barte veshë të burgut, ngjyrë hiri, si dhe një kapelë me veshë, të cilën e shtrembëronte kur u printe të burgosurve për në mensë. Dallohej edhe për kërrutën apo krroçen, siç i thoshin të burgosurit.
Për historitë e mëvonshme të Loshit mësova nga të burgosurit ordinerë, disa prej të cilëve ishin në të njëjtin pavijon me ne të zënët rob. Ata tregonin se, pasi kishte filluar kryengritja në Kosovë, më 1997-1998, Loshi u ishte afruar gardianëve dhe u kishte thënë: Ma jepni automatikun t’i vras shqiptarët!
Gardianët, as ia kishin dhënë automatikun, as ia kishin kthyer përgjigjen, vetëm e kishin parë me përbuzje Loshin dhe ishin zgërdhirë.
Jashtë burgut gjendja sa vinte e bëhej më e keqe. Vriteshin shumë shqiptarë, vritej edhe ndonjë serb, bëheshin masakra aty-këtu, digjeshin fshatra, ndërsa Loshi vazhdonte të qëndronte brenda, sepse kish për të larë burgun, siç thonë ordinerët. Ai i kryente detyrat e tij të përditshme gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje, pasi hante darkën, pinte edhe ndonjë çaj dhe flinte për shtatë palë qejfe. Aty ku ishte, në burg, ishte i sigurt nga ato që u ndodhnin atyre që ishin jashtë dhe, jo rrallë, thoshte me vete, se mirë ishte që në këtë kohë kishte qëlluar në burg. Me sa njeriun ishte kacafytur, e kishte rrahur apo plagosur, do të dilte dikush dhe…
Por një gjendje e tillë nuk zgjat pafund. Me fillimin e pranverës së vitit 1999 filluan bombardimet, të cilat, edhe këto, larg Loshit ishin, por më 19 maj, si për sherr, dy avionë të NATO-s, i goditën dy pavijone: së pari C-në, pastaj edhe B-në. Të frikësuar, jo pak, të burgosurit e pavijoneve të mbyllura, duke filluar nga pavijoni B, i cili ishte i tipit gjysmë i mbyllur, që ishte i treti pavijon me radhë për t’u goditur, u ngritën në këmbë dhe, edhe të ndihmuar nga të burgosurit e pavijonit A, të cilët të lirë punonin në hapësirat e burgut, u çuan dhe i thyen grilat; pastaj kështu vazhduan edhe të burgosurit e pavijoneve të tjera, dhe dolën në oborret e burgut, që kishte mjaft hapësira. Me të ndodhur kjo, të burgosurit serbë, që ishin edhe ata në vuajte të dënimit së bashku me shqiptarët dhe të tjerët, iu bashkëngjitën gardianëve, të cilët tani bartnin automatikë. Me automatikë u armatosën edhe këta.
Më 21 maj, aty rreth orës 10:00, kur të burgosurit i ishin afruar kuzhinës, për të ngrënë mëngjesin aty, vijnë dy avionë të tjerë dhe rifillon bombardimi i godinave të burgut. Bombardimi nis nga godinat e para të burgut, që ishin në jug.
Për ndryshim nga bombardimi i dy ditëve më parë, kur avionët goditën pavijonin C, që ishte i mbushur me të burgosur, dhe vazhduan me pavijonin tjetër, që ishte i zbrazët, dhe iu afruan B-së, tani po bombardonin godinat e burgut që ishin jashtë hapësirës ku ishin pavijonet me të burgosur.
Bombarduan Ngrohtoren e Burgut, pastaj edhe një godinë tjetër. Herën e tretë bombardimi u krye në zonën ku qëndronin të burgosurit – u godit kuzhina. Me këtë rast, nga ciflat e metalit, që shkëputeshin nga kulmi i kuzhinës, disa të burgosur u plagosën, ndonjë edhe mbeti i vdekur në vend. Të burgosurit lëvizën pak më tutje në veri, më lart. Bombardimi i radhës u krye mbi pavijonin mbi kuzhinë, një predhë ra edhe në mesin e të burguarve dhe la edhe disa viktima të tjera. Kështu, pak nga instinkti për të jetuar, pak nga vetëdija, të burgosurit u ngjitën në pjesën më të lartë të oborrit të burgut, në një fushë të vogël sporti, afër mureve veriorë.
Me vendosjen këtu, edhe pse bombardimi vazhdoi edhe më tej, dhe me të njëjtin ritëm, më nuk kishte viktima, përveç të plagosurve të cilët nuk mund t’u bënin ballë plagëve. Në fund, nga frika se bombardimi do të vazhdonte edhe gjatë natës, të burgosurit vendosën ta kalonin natën aty, në fushën e hapur.
Ashtu siç janë, nga katër-pesë, u shtrinë në lendinë dhe, i rralli i mbylli sytë, me veshët që vazhdonin t’u ushtonin edhe më tej nga bombardimi i ditës, qëndruan ashtu derisa u gdhi dita e 22 majit. Gjatë natës kishte raste kur të burgosur, nga tre-katër, bëheshin bashkë dhe mësynin që, përmes një çarjeje që ishte shkaktuar në mur nga bombardimi, të arratiseshin. Të tjerët, që nuk i zinte gjumi, dëgjonin se si, gardianë, militarë e paramilitarë, iu thërrisnin atyre: Stoj, stoj, si dhe breshërinë e plumbave më pas: E, sad pobegajte!
Ende pa zbardhur mirë drita, disa ngrihen, flasin në mes vete me zë të ulët, ndonjë han atë çfarë i ka ngelur në xhepa… Po, këtyre ua tërheq vëmendjen një gardian, me trup mesatar, në moshë të pjekur, i cili është ngjitur në karakoll dhe u drejtohet:
– Dëgjoni këtu! Në këtë burg më nuk ka kushte për të qëndruar, prandaj mblidhuni të gjithë, bëhuni në katër rreshta, se do t’ju dërgojmë në një burg tjetër!
Të burgosurit, në qetësi, i marrin plaçkat e veta, ato që u kishin mbetur, rreshtohen në katër rreshta dhe, ndërsa presin urdhrin e dytë, mbi ta gardianë, militarë dhe paramilitarë, të përgatitur, njëherësh, hedhin bomba e granata dore, ndërsa një mitraloz, nga e çara e murit, hedh breshëri plumbash mbi ta.
Një pjesë e të burgosurve mbetet në vend, e ata që mbeten gjallë, me vrap, kush nga mund e si mund, ikin nga aty dhe kthehen, prapa, aty prej nga kishin ikur një ditë më parë nga bombardimi i avionëve. Vendosen afër kuzhinës dhe godinave rreth saj, sallës së Sportit, shtëpisë së Kulturës etj. Ndërsa, jo pak të vrarë në vend kishin mbetur aty ku ishin rreshtuar.
Loshit, edhe pse tani ishte në moshë, deri këtu nuk i mungon as dhe një qime e flokut!
Shumica e të burgosurve, nga frika se masakra që kishte filluar do të vazhdonte edhe më tutje, strehohen në bodrumin e kuzhinës së burgut, disa vendosen në ndonjë pavijon apo edhe në objektet e tjera, kishte prej të burgosurve të cilët u futën në gypat e kanalizimit… Pra, secili në mënyrën e vet përpiqet të gjente një vend të sigurt. Shumica e të burgosurve bëhen bashkë me të afërtit e tyre apo shokët, me ata që kishin qenë në një lëvizje bashkë apo që ishin arrestuar bashkë në rrugë, të tjerë bëhen bashkë nga vendi prej të cilit ishin, ndërsa disa të tjerëve nuk u kishte interesuar fare kjo, po vetëm ta shpëtonin shpirtin e tyre: ishin futur në gypa të kanalizimit, disa kishin qëndruar më afër, të tjerë, ashtu si miu, kishin shkuar edhe më larg.
Gardianë e ushtarë, me maska e pa maska, edhe pas gjuajtjes në masë, dalin nga strehimoret që ishin përreth burgut, ndonjë edhe në oborret e tij, pas disa orëve, të armatosur me automatikë e revole, hyjnë në objektet ku i kishin parë të hynin të burgosurit dhe, kur e hasin ndonjë, e vrasin në vend.
Loshi, me disa ordinerë, si shumica prej tyre, nuk ishte strehuar në bodrumin e kuzhinës, por qëndronte herë në një pavijon e herë në tjetrin. Ashtu si edhe të burgosurit e tjerë, hanin çfarë të mund të siguronin dhe prisnin çfarë do të ndodhte më tej.
Në orët e fundit të ditës u futën edhe një grup vrasësish sepse, pa marrë parasysh çfarë uniforme, apo edhe pa uniformë fare, këta nuk mund t’i quaje ndryshe, përveç vrasës, sepse tani detyrë e tyre ishte të vrisnin kush t’u dilte përpara. Loshi me shokë, i panë dhe, nga frika, zbritën në bodrumin e pavijonit D, aty ku ishin kaldaja dhe gypat. Shoku i tij, që ishte më i ri, Azemi, një ordiner, ngjitet mbi gypa, ndërsa Loshi, nga mosha apo edhe nga pesha që kishte, kishte mbetur poshtë. Vrasësit hyjnë dhe, ndërsa Azemi që nuk guxonte as të merrte frymë, e pa si iu afrua një vrasës Loshit, nuk i dha kohë të nxirrte një fjalë nga goja, ia afroi tytën e revoles në kryet tullac e, një “pam”, dhe trutë e Loshit, të mbështjella me gjak, krijuan një peizazh surrealist në mur…
Këtu përfundon tregimi për Loshin, i cili, po të mos e kisha takuar çiftin që më tregoi se prej cilit vend ishin, si dhe që më rrëfeu disa histori që nuk i kisha dëgjuar për Loshin, ky tregim kishte mbetur ndoshta i parrëfyer, sepse do t’i mungonte njëra prej pjesëve, e cila e bën këtë rrëfim të plotë.
Marrë nga numri 19 i revistës “Akademia”