Nga Jakup Krasniqi
Po e mbyllim këtë vit, 2019, një nga më të vështirët e jetës sonë politike, si në kulturën e komunikimit ndërshqiptar, thua se ne shqiptarët e kemi mënyrën më të vështirë të komunikimit për t’u marrë vesh edhe për çështjet më vitale të vendit, si në keqqeverisjen e skajshme e në papërgjegjësitë institucionale pothuajse totale. Nëse analizojmë me kujdes e profesionalizëm politik, me kritikë e vetëkritikë, atëherë nuk do të jetë e vështirë që në 21-vjetorin e lirisë e 12-vjetorin e pavarësisë, ta gjejmë rrugën e duhur për ta qeverisur shtetin e për shtetin më të ri të Evropës, me integritet e dinjitet, me përgjegjësi e përkushtim. Por, siç dëshmojnë qartë e dhembshëm vitet e shkuara, të pazëvendësueshmit e të pandryshueshmit që kanë lindur për “kryeministra” e të “parët”e partive politike, nuk janë të gatshëm të dëgjojnë asgjë që nuk është në fjalorin e tyre të varfër për komunikim institucional e publik, e më së paku të dëgjojnë diçka që nuk është në interesin e ngushtë të tyre. Ndërsa i kemi parë se sa pak ishin të interesuar për funksionimin normal të shtetit. Mbase kjo ka bërë që asnjë qeveri e pas pavarësisë të mos e çojë deri në fund mandatin kushtetues. Vetëm ky fakt në vetvete flet shumë.
Ndoshta, në një masë, gjatë këtyre viteve dikush edhe mund të arsyetohet se na ka munguar tradita qeverisëse, se na kanë munguar dija dhe kultura për të qeverisur mirë etj. Mbase edhe mund të thuhet kështu, por pse ata që morën përgjegjësinë për ta qeverisur shtetin rreth vetes nuk ofruan njerëzit që kishin dije dhe përvojë institucionale, pse nuk ofruan njerëz që do t’u ofronin e propozonin këshilla për qeverisje të mirë, pse nuk e bënë asnjë përpjekje që t’i kërkonin njerëzit kompetentë në asnjë institucion shtetëror a publik, por afër vetes ofruan njerëz të rinj të papërvojë e pa dijen e duhur, njerëz të afërm e të dëgjueshëm njerëz, siç do të thoshte me plot të drejtë poeti e satiriku ynë Ali Asllani, “të lepeve e peçeve”? Natyrisht poeti fliste për qeverisjen e kohës së tij, e cila s’ishte gjë tjetër vetëm një qeverisje satrapiste, që prodhonte padije, mjerim e maskarenj me brirë. Këto janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje adekuate. Por, e gjithë çështja është, kush të përgjigjet? Dhe a mund të përgjigjen ata që të vetmen gjë që dinë më se miri është vetëlavdërimi e kapadaillëku. Vetëlavdërimi nuk është dije për të qeverisur, por dinakëri e maskarallëk që s’i duhet askujt. Koha jonë po kërkon me urgjencë që kjo praktikë e të qeverisurit duhet të ndërpritet një sahat e më parë. Është dhembje e madhe. Pse këta që qeverisën keq pas pavarësisë, në shumicën e kohës, kanë kompromentuar vlerat sublime të Lëvizjes Kombëtare Klandestine për Çlirim. Njerëzve që kanë luftuar duhet t’u njihen meritat gjithsesi, por jo t’u jepet mundësia për të qeverisur keq, madje tepër keq me çdo pasuri kombëtare, njerëzore e materiale. Edhe këtë patëm rast ta shohim e stërshoshim gjatë këtyre viteve të lirisë.
Të gjithë duhet të pajtohemi dhe, besoj shumë që shumica pajtohemi, se pas njëzet vjetëve të lirisë e dymbëdhjetë vjetëve të pavarësisë, keqqeverisja, padija e papërgjegjësia për të qeverisur duhet të përfundojnë dhe kjo ka kohë që është bërë domosdoshmëri. Mbase, bashkë me këto duhet të shkojnë edhe rrahagjoksë të stilit “unë e solla pavarësinë”, e njërit apo “unë e bëra ushtrinë” e tjetrit! Ky farë brumi bajat nuk do ta sillte as njërën as tjetrën. Ata nuk mësuan nga Skënderbeu i cili meritat ua linte shqiptarëve e jo Kastriotit! Ka të ngjarë që ky soj i njerëzve as ka mësuar e as ka dëgjuar gjë nga kryetrimi e burrështetasi Skënderbe!
Më 6 tetor 2019 qytetarët e ndërgjegjshëm, me zgjedhjet dhe votën e lirë që bënë, i dhanë një mundësi, ndonëse jo të mjaftueshme, një qeverisjeje ndryshe, por a do të jetë ndryshe, këtë duhet ta shohim. Nuk ka asnjë dyshim, fillimi i një qeverisjeje të mirë është interesi i të gjithë qytetarëve të Republikës sonë pa përjashtim. Të shpresojmë se ndryshimi po vjen. Por, populli thotë: “Pranvera nuk vjen me një lule”!
A ka shpresë për ndryshim cilësor?
Po qe se shikojmë me një sy kritik cilësinë e zgjedhjeve, kam frikë se shumë shpresa nuk ka, por nihilistë nuk duhet të bëhemi. Ndonëse një pjesë e të zgjedhurve nuk e kanë përvojën e tyre politike, intelektuale e, besa, as institucionale, ka nga ata që bartin me vete përvoja jo të mira dhe, ndonjëri, edhe pse edhe më parë ishte në shtëpinë e përfaqësuesve, nuk na ka bindur se ka ndonjë paraqitje që mund të mbahet në mend për të mirë. Sigurisht që nuk është mirë që askush të paragjykohet, ashtu që nuk është mirë që askush të paravlerësohet. Ajo që dihet deri më tani është se disa individë kanë pasur një jetë goxha të gjatë në angazhimin politik të dëshmuar, aty ku kanë qenë të angazhuar kanë lënë shije të mirë dhe kanë treguar kompetencë mjaft të mirë në ushtrimin e detyrave. Këtyre njerëzve, që kanë një përvojë të mirë jetësore e bagazh politik, zgjedhësit nuk ua dhanë mundësinë e përfaqësimit! Pse ka ndodhur kjo, përgjigjen duhet ta japin vetë ata. Por, kushdo që gjatë këtyre viteve i ka përcjellë zhvillimet politike në Kosovë, nuk ka si të mos shikojë këto zhvillime me një dozë skepticizmi. Në një situatë të tillë, njeriu duhet të thotë: qofsha i gabuar!
Një praktikë e mënyrë të qeverisjes e kemi parë që njëzet vjet dhe mos e pafshim më! E kemi parë se dëshira për të qeverisur nuk do të thotë asgjë. Se mungesa e dijeve, e përvojës për të qeverisur; se mungesa e përkushtimit dhe e përgjegjësisë politike, intelektuale e kombëtare; se mungesa e kompetencës në ushtrimin e detyrave institucionale janë pengesat kryesore për një qeverisje qoftë edhe mesatare. Gjatë gjithë këtyre viteve që i kaluam në liri e pavarësi nuk kam parë e as dëgjuar as edhe një herë të vetme një garë fer e parimore në mesin e partive politike, që kanë marrë të drejtën për të qeverisur, sekush nga anëtarët e kryesisë apo kryesive do të ishte më kompetent për t’i marrë përgjegjësitë ekzekutive e sekush ato përfaqësuese. Kjo logjikë e përdorur gjatë 20 vjetëve të lirisë e 12 vjetëve të pavarësisë është dëshmi se në partitë tona politike, që kanë dalë fituese në zgjedhje, nuk ka pasur debat të mirëfilltë se a do të qeverisin mirë, por kushdo të fitojë një pozitë nga i plotfuqishmi despoti i partisë. E, zakonisht, despoti i partisë ka zgjedhur pushtetin real, kryeministrin ose pozitën ceremoniale, atë të kryetarit të shtetit (presidentit) në rastin tjetër. Edhe pozitat e tjera janë varur kryekreje nga vullneti i Zeusit të partisë politike! Parti politike që nuk e kanë as transparencën e partive moniste (komuniste) të shekullit të kaluar. Logjika e unit, pa parë jashtë unit, është logjikë primitive dhe s’mund të kishte rezultat tjetër, veç atyre që kemi parë tashmë.
Ne, të gjithë, duhet ta dimë se gjatë gjithë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë ka sunduar kjo frymë despotike, e cila frymë na ka sjellë këtu ku jemi: te mjerimi institucional, te degradimi i përgjithshëm edukativ e arsimor, te jozhvillimi (stagnimi), te korrupsioni galopant, te papërgjegjësia për ta përdorur si duhet e ku duhet paranë publike, te mungesa e funksionimit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të pavarura të shtetit. Kjo mënyrë e të qeverisurit ka sjellë pakënaqësinë qytetare, paperspektivën, sidomos të rinisë, ka sjellë zbrazjen e fshatrave në drejtim të qyteteve, të zbrazjes së Kosovës dhe uljen e natalitetit, me plakjen e popullsisë.
Çuditërisht, me këto fenomene nuk po merret askush, sikur nuk është duke ndodhur asgjë rreth nesh. Të gjitha këto fenomene negative marrë së bashku po e dëshmojnë arrogancën dhe papërgjegjësinë e atyre që na qeverisën gjatë këtyre viteve! Dhe duhet thënë e stërpërsëritur: na qeverisën deri sot si është më së keqi!
Koha është për ndryshim, por edhe ndryshimi i ka paqartësitë e veta! Jam i bindur se qytetarët do të dëshironin të kenë kthjelltësi të plotë në qeverisjen e vendit.
Të shpresojmë se ndryshimi po troket!
Të shpresojmë që ndryshimi po vjen për qytetarët dhe jo për bajraktarët!
Shkruar enkas për “Epokën e re”