14.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Nuk e pranon fajësin

Ish-drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Bedri Bytyqi dhe inspektori i ndërtimit në këtë drejtori, Bashkim Krasniqi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të hënën, gjatë rigjykimit, sërish nuk e kanë pranuar fajësinë.

Në këtë seancë, po ashtu nuk e ka pranuar fajësinë edhe Faton Hoxha, i cili akuzohet për uzurpim të pronës së paluajtshme.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit tjetër për uzurpim, Ilaz Susurit, trupi gjykues, ka vendosur që të ndahet lënda penale, pasi që sipas raportit të policisë, i njëjti është i sëmurë dhe nuk mund të lëvizë fare.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, gjatë fjalës hyrëse, ka deklaruar se gjatë mbajtjes së seancave të rigjykimit, me pa mëdyshje do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Në anën tjetër, avokati Florin Vërtopi, i cili mbron të akuzuarin Bedri Bytyqi, ka deklaruar se kjo çështje që do të gjykohet, ka më shumë karakter juridiko-civil, sepse ka të bëjë me raportin në mes të akuzuarit Faton Hoxha dhe Komunës së Prizrenit.

Vërtopi ka thënë se një gjë të tillë e thotë edhe Gjykata e Apelit në vendimin për kthimin e lëndës në rigjykim, sepse rreth rastit që është ngritur aktakuzë, ekziston një konflikt administrativ në mes të akuzuarit Hoxha dhe Komunës së Prizrenit, andaj sipas tij, mungon dëmi.

Ai ka shtuar se pa vendosur Departamenti Administrativ i Gjykatës së Prishtinës, rreth padisë së të akuzuarit Hoxha, nuk mund të flitet për jo ligjshmërinë e vendimeve komunale për të cilat akuzohen drejtori dhe inspektori për moszbatim.

Sipas Vërtopit, në momentin që është bërë padia nga i akuzuari Hoxha ndaj vendimit për rrënimin e objektit të tij, vendimi për rrënim është pezulluar në pritje të përgjigjes nga gjykata, andaj sipas tij, nuk ka të bëjë fare rasti me keqpërdorim të pozitës nga klienti i tij.

Në vazhdim të seancës ka dëshmuar Fadil Hoxhaj, i cili në cilësinë e zyrtarit nga Drejtoria e Inspektoratit, ka thënë se Komuna e Prizrenit ka qenë e detyruar t’ia rrënojë objektin afarist të investitorit Hoxha, pasi që i njëjti nuk e ka bërë atë në mënyrë vullnetare brenda pesë ditësh.

Dëshmitari ka pranuar që fillimisht vendimet janë lëshuar në emër të Dibran Hoxhës, por se më pas është paraqitur i akuzuari Faton Hoxha, i cili ka dhënë deklaratë se ai është pronar i objektit afarist.

Ai ka thënë se më pas është lëshuar vendim me të cilin i kanë dhënë afta prej pesë ditësh investitorit për rrënimin vullnetar të objektit dhe se i njëjti ka ushtruar ankesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por ka thënë se në parim kjo ankesë nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit për rrënim.

Mirëpo, ai ka treguar se nuk kanë vepruar në këtë rast duke u bazuar në praktikën e mëhershme kur kanë filluar të veprojnë ndaj investitorëve që kanë ushtruar ankesë në ministri, por më pas kanë marrë urdhëresë nga ministria që të ndalojnë veprimet për rrënim.

Kryetari i turpit gjykues, Artan Sejrani, seancën e radhës në këtë rast penal e ka caktuar për 29 dhjetor 2017, në ora 09:30, ku pritet që të akuzuarit të bëjnë mbrojtjen e tyre dhe të jepen fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Ndryshe, në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim, dy seancat e para kanë dështuar të mbahen pasi që ka munguar i akuzuari Ilaz Susuri, i cili sipas raportit të policisë, është i sëmurë dhe nuk mund të lëvizë, andaj në këto rrethana trupi gjykues ka vendosur që lënda penale ndaj tij të veçohet.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Bashkim dhe Bedri Bytyqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj të akuzuarve Ilaz Susuri e Faton Hoxha, për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

Bedri Bytyqi, akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Po ashtu, Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare ylli i muzikës country, Kris Kristofferson

Kris Kristofferson, këngëtari dhe aktori fitues i çmimeve të muzikës country që ka punuar me Johnny Cash dhe Martin Scorsese, ka vdekur në moshën...

Përmes këngës së re, Bardhi zbulon emrin e vajzës, Sara tregon kuptimin

Ditën e sotme, Bardhi publikoi projektin e ri, “Çikës tem”, aty ku tregoi vuajtjet që ka hasur gjatë rrugëtimit në karrierë si dhe zbuloi...

Lajmet e Fundit