6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nuk na duhet edhe një dalldi vrastare

Kosovarët po jetojnë si në një oazë, pa respektuar në masë të madhe rregullat kundër Covidit, ndërkohë që vendet e rajonit po përballen me valën e re të pandemisë, me mijëra të infektuar e qindra të vdekur. Secili bën mirë ta sjell ndërmend situatën alarmante të gushtit e shtatorit.

Imer Mushkolaj

Tash pesë javë askush, asnjëherë, në asnjë kafeteri a restorant, kudo që më ka rastisur nëpër Kosovë, nuk më kërkuar certifikatë vaksinimi ose test Covidi për t’u futur brenda. Tash pesë javë kjo masë e qeverisë, në kuadër të shumë të tjerave për të luftuar pandeminë, është e shkruar në letër, por e pazbatueshme në terren. Një dështim total.

Ndërkohë, javët e fundit një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po i mbajnë maskat, që është e obligueshme, as në qendër të kryeqytetit, e lëre më në periferi ose në qytete të tjera.

Numri i vogël të infektuarve dhe rasteve të vdekjes ka bërë që të gjithë të “shlirohen”, përfshirë këtu edhe inspektorët dhe policinë, të cilët nuk po e kryejnë punën e vet si duhet. E numri i atyre që po vaksinohen për herë të parë lë shumë për të dëshiruar dhe nuk kalon disa qindra brenda 24 orëve.

Gjithë kjo po ndodh në Kosovë në kohën kur vendet e rajonit po përballen me valën e re të pandemisë, që çdo ditë po merr jetë njerëzish në numra dyshifrorë dhe po përcillet me mijëra të infektuar. Kosovarët po jetojnë si në një oazë, pa e çarë kokën çfarë po ndodh në shtetet përreth, madje nga grupe të caktuara shoqërore ka presion e ultimatume për hapje më të madhe, që do të nënkuptonte përkeqësim të situatës me pandeminë.

Se çfarë nënkupton mosrespektimi, lirimi i masave është provuar në gusht dhe shtator të këtij viti, kur qindra kosovarë vdiqën dhe dhjetëra-mijëra të tjerë u infektuan. Hapja e shpejtë dhe mosmenaxhimi i duhur krijuan situatë të rëndë, me pasoja në njerëz.

Duke parë situatën alarmante, qytetarët vërshuan qendrat e vaksinimit. Qindra nga ta ankoheshin se nuk po mund të bënin termine. Por, çdarë po ndodh tash, kur në qendrat e vaksinimit ka mjaftueshëm vaksina, kur nuk ka nevojë për termine dhe kur nëpër qytetet e Kosovës kanë nisur të funksionojnë edhe ekipet mobile? Interesimi për vaksinim është jashtëzakonisht i vogël dhe sikur është krijuar përshtypja, si dhe herë të tjera më parë, se pandemia është kaluar dhe nuk ka rrezik. Mbase një përshtypje e tillë është krijuar duke pasur parasysh numrin e të vaksinuarve muajt e fundit. Por, kjo duket të jetë një paqyrë e rreme, ngase edhe vendet e rajonit kanë vaksinuar deri më tash numër të konsiderueshëm qytetarësh, por po përballen me gjendje alarmante.

Masat e vëna nga autoritetet janë kompatibile me gjendjen aktuale me pandeminë, por problemi është se ato nuk respektohen. E kur nuk respektohen masat, atëherë duhet të forcohet mbikëqyrja. Inspeksioni dhe policia duhet të ndërrojnë qasje urgjentisht dhe të vihen në aksion. Përndryshe, masat e vendosura nuk kanë kurrfarë kuptimi.

Grupe të ndryshme shoqërore kanë kërkuar vazhdimisht që masat anti-Covid të lehtësohen ose të hiqen fare. Natyrisht, secili ka të drejtë të bëjë një kërkesë të tillë. Por, autoritetet duhet pasur parasysh se në radhë të parë është shëndeti i qytetarëve.

Sa e sa herë janë dëgjuar ankesa të gastronomëve, ndërkohë që nuk është se nuk kanë pasur fitime gjatë pandemisë. Disa nga ta, madje, kanë investuar rrastë në zgjerim biznesi. Janë dëgjuar vazhdimisht edhe kërkesa për lejim të mbajtjes së dasmave dhe ahengjeve, madje tash ka kërcënime edhe me protesta. Por, para se të kërkojnë lehtësim masash, gastronomët dhe jo vetëm ata duhet t’i respektojnë masat në fuqi. Nëse janë marrë vesh që të mos lejojnë askënd të futet në lokale pa certifikatë vaksinimi ose test negativ, atëherë le të veprojnë si duhet dhe ta respektojnë këtë masë. Është absurde që të kërkohet lirimi i masave, ndërkohë që tash pesë javë shumica dërmuese e tyre nuk respektojnë ato në fuqi. Siç është jokorrekte të mendohet se ka ardhur koha për dasma e ahengje, ndërkohë që profesionistët paralajmërojnë valë të re të pandemisë në javët e ardhshme.

Ankesat për mungesë aktiviteti të bizneseve janë legjitime, por më e rëndësishme është jeta e njerëzve. Qeveria duhet të përkrah, sa dhe si mundet, bizneset që kanë nevojë, por jo të dorëzohet përballë kërkesave që mund të kenë epilog fatal për jetën e njerëzve. Mjafton të kujtohet gushti dhe shtatori i sivjetmë, që duhet të shërbejnë si mësim i mirë se si nuk duhet vepruar nëse nuk dëshiron të bëhesh shkaktar për vrasjen e qytetarëve.

Respektimi i masave dhe ruajtja e shëndetit është përgjegjësi e gjithësecilit, por nëse masat e vendosura nuk respektohen, atëherë autoritetet duhet të intervenojnë. Nuk na duhet edhe një dalldi vrastare

Më Shumë

Lajmet e Fundit