Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve në Prizren ka përmbyllur vitin 2024 me një gamë të gjerë aktivitetesh, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve për zejtarët dhe forcimin e bashkëpunimeve me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë.
Kryetari Afrim Tejeci, tregon se ky ka qenë një vit i suksesshëm, me një numër të konsiderueshëm iniciativash që kanë përfshirë sektorin zejtarisë.
“Ky ka qenë një vit i mbushur me aktivitete të shumta dhe bashkëpunime të rëndësishme, ku kemi forcuar lidhjet me partnerët, si Oda e Zejtarëve të Koblenzit dhe institucionet qendrore e lokale”, shprehet Tejeci.
Ai gjithashtu e vuri në dukje rëndësinë e përpjekjeve për miratimin e Ligjit të ri për Zejtarinë, i cili ka për qëllim përmirësimin e kushteve për bizneset zejtarë dhe krijimin e një ODE Nacionale Zejtare.
“Një sfidë e madhe mbetet mungesa e punëtorëve të kualifikuar, ndaj kemi vendosur edukimin profesional si prioritet”.
Oda e Prizrenit ka bashkëpunuar ngushtë me shkolla profesionale dhe ka ofruar mundësi trajnimi, si dhe ka mundësuar praktika profesionale për nxënësit në Gjermani.
Gjithashtu, përmes partneriteteve ndërkombëtare, Oda e Prizrenit ka organizuar panaire dhe ekspozita, duke mbështetur bizneset zejtarë në promovimin dhe ekspozimin e produkteve të tyre.
“Një tjetër arritje e rëndësishme ishte fuqizimi i Departamentit të Gruas, që ka trefishuar numrin e anëtarëve dhe ka mbështetur gratë në aspektin ekonomik. Po ashtu, Departamenti i Rinisë ka organizuar seminare dhe trajnime për të rinjtë”, u shpreh Tejeci.
Në bashkëpunim me KIESA, Oda e Prizrenit ka mundësuar gjithashtu grante dhe mundësi pjesëmarrjeje në panaire për bizneset zejtarë.
“Një nga projektet më të suksesshme të vitit ishte iniciativa gjashtëvjeçare me Sequa dhe Handwerkskammer, përmes së cilës 9 biznese anëtare përfituan mbështetje në formën e faqeve interneti, videoklipeve dhe materialeve promovuese”.
Përmbyllja e vitit 2024 ka sjellë një rritje të numrit të anëtarëve dhe krijimin e një zyre të re në Tiranë, si pjesë e zgjerimit të aktivitetit të Odës sw Prizrenit.
Tejeci tregon se Oda e Prizrenit ka në plan të mbështesë edhe më shumë zejtarët përmes projekteve të reja, si “ACCWB” (Association Chambers of Crafts Western), një iniciativë që pritet të nisë në mars 2025.
Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve në Prizren vazhdon të jetë një faktor kyç në përmirësimin e kushteve dhe mbështetjen e biznesve zejtarë./PrizrenPress.com/
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”