20.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Opozita, kritika për mosraportimin e kryeministrit në Kuvend

Hashim Thaçi ne KuvendDepututetët e opozitës kanë kritikuar kryeministrin Thaç se nuk po i përgjigjet obligimeve që ka për të raportuar në Kuvend pas çdo takimi rreth bisedimeve me Serbinë.

Deputetët e opozitës kritikojnë mosraportimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvend, për dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Ata thonë se në pajtim me Rezolutën e Kuvendit kryeministri Thaçi është i obliguar që pas çdo takimi të raportojë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur që nga viti i kaluar. Ndërkaq partia në pushtet thonë se Kryeministri është i gatshëm që çdo herë ta njoftojë Kuvendin me të gjitha të rejat e bisedimeve, transmeton RTK.

Që nga viti i kaluar, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka raportuar në Kuvend për bisedimet në Bruksel. Deputetë të opozitës thonë se, edhe përkundër thirrjes kohë pas kohe dhe obligimit me Rezolutë, që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Eqrem Kryeziu nga LDK-ja konsideron se informatat për takime të tilla duhet të merren prej dorës së parë.

“Thënë të drejtën kjo tash kuptohet dhe perceptohet si një obligim i Rezolutës së Kuvendit, por është çështje më shumë e interpretimit. Sinqerisht, unë për vete dhe personalisht do të dëshiroja të kem informacione prej dorës së parë – do të thotë prej aktorit kryesor, prej kryeministrit të Kosovës që merr pjesë në ato takime, por pse nuk ka ardhur deri tash – unë nuk di”, tha Kryeziu.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja tha se, kryeministri Thaçi është duke anashkaluar pothuajse të gjitha temat të cilat janë me interes nacional.

“Së fundmi – kemi parë edhe ikjen për temat që janë të lidhura me buxhetin, ku ka marr vendime ka anashkaluar komplet Kuvendin dhe janë të paligjshme, ndërkohë që për dialogun asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri të tregojë transparencë, të diskutojë e debatojë dhe të jap llogari në Kuvend”, tha Kadaj-Bujupi.

Ndërsa, Rexhep Selimi, nga “Vetëvendosje”, tha se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur përgjegjësi ndaj Kuvendit.

“Qeveria kurrë nuk i ka raportuar Kuvendit dhe kurrë nuk e ka luajtur rolin që i takon përballë Kuvendit si institucion që e ka zgjedhur Qeverinë. Madje, përveç që nuk i ka dhënë përgjegjësi Kuvendit në të gjitha rastet, kur ka pasur nevojë Qeveria e ka shfrytëzuar Kuvendin me numrat dhe deputetët që i ka, duke përfshirë deputetë nga PDK-ja dhe aleatët e saj”, tha Rexhep Selimi.

Këtyre deklaratave i është kundërpërgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili tha se shefi i Qeverisë është i gatshëm të raportojë në Kuvend për procesin e dialogut.

“Kryeministri ka raportuar në vazhdimësi për dialogun Kosovë serbi, i ka informuar deputetët dhe të gjitha institucionet kur është vlerësuar se duhet të kenë informacione të nevojshme, se atje është zhvilluar një proces shumë i vështirë, proces të cilit nuk ka mundur askush tjetër ta përmbyll, përveç kryeministrit Hashim Thaçi, me mbështetjen e të gjithëve”, tha Adem Grabovci.

Rezoluta e prillit të vitit 2013, parasheh që Kryeministri të raportojë në afate të rregullta kohore dhe ta njoftojë Kuvendin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Më Shumë

Pas 24 viteve martesë, çifti nga Prizreni bëhen prindër të binjakëve

Pas 24 viteve martesë, një çift nga Prizreni janë bërë prindër për herë të parë. Ata kanë binjakë. Gjinekologu që përcolli lindjen e binjakëve, foli për...

Në Trepçë nuk ndriçon Ylli

Trepça ka shënuar fitore ndaj Yllit në ndeshjen e tretë finale me shifrat 85-78. Çerekun e parë e dominoi Ylli me shifrat 21-11, teksa në...

Lajmet e Fundit