Me publikimin e këtyre përgjimeve të njëpasnjëshme, që po dalin në sipërfaqe, për komunikime nga më të ndryshmet të përfaqësuesve politikë të pushtetit, po shihet se afera e përgjimeve po bëhet edhe një lloj mode në shtetin e Kosovës, që mund të bëhet jo vetëm në linja zyrtare të institucioneve të ngarkuara për rend dhe ligj, por mund të zhvillohet edhe nga shërbimet e agjenturave të ndryshme të parapolitikës, politikës në pushtet.
Vetë opozitarët nuk e përjashtojnë fare mundësinë dhe rrezikun real të shfrytëzojë mekanizmat e vet të nëntokës dhe parapolitikës nga ana e pushtetit për t’i përgjuar dhe për t’i denigruar edhe liderët politikë të opozitës dhe kundërshtarët e tjerë të Qeverisë, përmes njerëzve të vet në kompani e në institucione publike, në mënyrë të paligjshme, që t’i shantazhojë ata më pas, qoftë për denigrim në kohën e zgjedhjeve apo në rastet të tjera, sikur që janë marrëveshjet e pritshme për Demarkacionin me Malin e Zi, apo detyrimi për pajtim dhe implementim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Opozita dhe analistët janë të bindur se pushteti i ka mundësitë ta bëjë edhe këtë skenar për arritjen e qëllimeve të tij, qoftë edhe përmes veprimeve të kundërligjshme, shkruan Gazeta Kosova Sot.
Populli duhet ta dijë me kënd ka punë
Deputeti Ismail Kurteshi nga “Vetëvendosje!” pohon se përgjimet e eksponentëve të rëndësishëm në PDK, që në të njëjtën kohë zënë vende të rëndësishme edhe në institucionet e vendit, përveçqë nxjerrin para opinionit keqpërdorimet e tyre dhe joseriozitetin që po e dëmtojnë shumë vendin tonë, mund të shërbejnë edhe si mjet për shantazhimin e këtyre njerëzve, që në momente të caktuara mund ta dëmtojnë shtetin. Ai thotë se publikimi i përgjimeve në prag të ratifikimit të marrëveshjes për kufirin Kosovë – Mal i Zi mund të ndikojë te disa deputetë, që deklaronin se marrëveshja është e dëmshme, se vija kufitare është shtyrë për disa kilometra etj. Ata mund ta votojnë marrëveshjen për shkak të shantazhit që vjen nga publikimi i përgjimeve, edhe pse nuk besojnë se marrëveshja është e drejtë. Mirëpo, ai thotë se nuk e përjashton që edhe pushteti të përdorë një sistem të përgjimeve ndaj opozitës me qëllim të shantazhit, denigrimit apo përpjekjes që ta bindë të pajtohet me ndonjë vendim të papranueshëm dhe në dëm të vendit, ndonëse është e pabesueshme që opozitarët të bëjnë aso gabimesh dhe të kenë aso sjelljesh, sikur që kanë pushtetarët e zhytur në krim e korrupsion, dhe nuk është e pritshme që opozitarët të nënshtrohen ndaj skenarëve të tillë.
“Përgjimi i opozitës nga pushtetarët nuk përjashtohet, nëse opozitarët janë të papërgjegjshëm dhe keqpërdorues si këta të pushtetit le të njoftohet opinioni, le të dëmtohet opozita, sepse ky vend ka nevojë për një qasje ndryshe të pushtetarëve, për një logjik shtetformuese, për pushtetarë që i respektojnë ligjet, kurse qytetarët i trajtojnë njësoj, pavarësisht përkatë- sisë politike. Populli duhet ta dijë me kënd ka punë”, tha Kurteshi. /Kosova Sot