10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Orëndreqësi nga Prizreni që vazhdon traditën familjare të nisur më 1888

Një poster me figurat e katër brezave është vendosur në njërin prej mureve të dyqanit të vogël, në orëtarinë e familjes Bushati në Prizren. Viti 1888 është aty për të dëshmuar historinë.

73-vjeçari Refet Bushati, që aktualisht ka “fronin” e mjeshtrit, shpreh gjithë krenarinë se në familjen e tij nuk ka shkëputje në përcjelljen e zanatit nga një brez te tjetri. I dhimbset pa masë se trashëgimtarët e tij, deri tani, nuk kanë shprehur interesim për ta vazhduar traditën.

Nami i katër brezave

Refet Bushati tregon se është i lindur në Prizren, në vitin 1947. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në Prizren, për të vazhduar në zeje. Pas pak fjalëve për veten, në bisedën për KOHËN ai ndalet te tradita familjare.

“Familja jonë ka traditë shumëvjeçare. Kjo firmë ekziston për 132 vjet, është themeluar në vitin 1888. Të parët e mi kanë ardhur nga Shkodra dhe e kanë themeluar këtu dyqanin e parë me zejen e orëtarisë”, thotë Bushati, në një pasdite shtatori.

Bushati thotë se zanatin e ka trashëguar nga babai i tij.

“Ai e ka pas emrin Ismail Bushati. E ai e ka mësu zejen prej babait të tij, Qamil Bushati, e Qamili prej Jahjas. Jahja e ka themeluar orëtarinë pikërisht këtu në Shatërvanin e Prizrenit”, tregon plot krenari ai, për ta forcuar këtë me një bindje të plotë të tij.

“Nuk ka familje tjetër që kaq gjatë e ka mbajtur në vazhdimësi, pa shkëputje përcjelljen e zejes. Për mua kjo është krenari”, thotë pensionisti.

Me shkas biseda kthehet sërish në rrafshin personal, për të treguar fillet e veta në këtë zeje. Tregon se në vitin 1968 ai ishte student i Juridikut, në vitin e parë të studimeve. Ishte vit i protestave, dhe babai i tij nuk donte që ta rrezikonte të birin.

“Për hir të traditës e kam ndërprerë fakultetin dhe jam kthyer në Prizren. Fillimisht kam nisur si 15-16- vjeçar, si gjimnazist, shkoja i ndihmoja gjyshit. Atëherë përdoreshin edhe ato orët me zile. Me ato kam fillu. Ato kanë qenë në formë sidomos në kohën e Ramazanit. Kam pasë dëshirë shumë, dhe dëshirë të flaktë madje, sepse ka qenë kënaqësi kur i kam pa ata duke punu. Ishte si me i dhanë jetë të vdekurit. Ishte kënaqësi e madhe kur dikush ta bjen orën që nuk punon, dhe ti ia kthen duke punuar”, thotë Bushati, që përsërit se në Prizren u kthye për hir të babait të tij.

“Një shok ma vranë në demonstrata. Baba më tha më mirë eja këtu. Më tha: ‘E kryen fakultetin, e merr një rrogë, a atë rrogë ti gjithmonë ki me marrë këtu. Me punën e atëhershit edhe 2 a 3 rroga i kemi nxjerrë këtu, se shumë punë kemi pasë”, thotë ai.

Në fakt, Bushati tregon se në Prizrenin e asaj kohe kanë qenë diku 12 dyqane me zanatlinj të orëndreqësve, e për të gjithë ka pasur punë. Por pa modesti e veçon namin e familjes së tij.

“Kemi qenë familje shumë e njohur për punën e orëve, dhe normalisht kemi pasë shumë punë. Kah vitet 1970, kur unë fillova punën efektive, ka pasë shumë punë. Në atë kohë kanë qenë në modë orët mekanike. Mandej dolën edhe orët automatike, e mandej kah vitet ’80 filluan edhe orët elektronike, të cilat i kemi përcjellë deri sot”, thotë Bushati.

Më Shumë

Lajmet e Fundit