Dokumentet e para që shprehin aktivitetin e tij patriotik i gjejmë qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin 1878. Ndërkohë që Orhan beu nuk ishte më shumë se 32 vjeç, sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, rezulton të ketë qenë një nga organizatorët e mbledhjes së Frashërit, madje emri i tij renditet menjëherë pas vëllezërve Frashëri. “Baba Alushi, bir i Dalib Bej Frashërit, nismëtar i mbledhjes së Frashërit, pati si shokë që e ndihmuan në atë vepër, Sami, Abdyl, Naim Frashëri, Orhan Bej Pojanin, Pandeli Calen, Nasuf Novoselën,… si dhe shumë pari të viseve të ndryshme të Shqipërisë…” (Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë. Fondi 270. Dosja 49. f. 118-119).
Pak ditë më parë në Tiranë, një dokumentar pasqyroi jetën dhe veprimtarinë e Orhan Pojanit, rilindësit, pak të njohur mes nesh sot, paçka punëve të mira që bëri për mëmëdhenë. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kongresin e Elbasanit, kontribuoi për Mësonjëtoren e Parë Shqipe, e të tjera.
“Një figurë që veproi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Stamboll dhe koloni. Figurë brilante dhe madhështore. Jo vetëm Orhani, por e gjithë familja kanë dhe një kontribut të vyer që është i shpërndarë në arkiva dhe shtyp. Orhani e nis me lidhjen e Prizrenit dhe Komitetin e Stambollit me Kristoforidhin, Pashko Vason, Sami Frashërin, Jani Vreton”, thotë historiani Bardhosh Gaçe. Sipas tij, të bën përshtypje se krahas ndihmave që jepte për shkollat shqipe, për Kongresin e Manastirit, ai kishte një marrëdhënie të gjerë me patriotë të tjerë vendas edhe në Kosovë dhe Maqedoni.
Pjesë e asaj aristokracie dhe elite kulturore shqiptare që u bë shpirti i Rilindjes Kombëtare, ai pati veprimtari të gjerë, jo thjesht si iluminist për gjuhën dhe kulturën shqipe, por për çlirimin kombëtar nga prangat e robërisë.
Në Vlorë
Si rezultat i studimeve, Bardhosh Gaçe ka arritur në përfundimin se Pojani ka qenë përkrahës i flaktë dhe mik i ngushtë i Ismail Qemalit, por edhe i disa të tjerëve. “Bashkëpunim me krerët e Shkupit në prag të pavarësisë, në kryengritjet që u organizuan Orhan bej Pojani, ashtu siç kishte ndihmuar shkollat shqipe, ashtu siç kishte ndihmuar Kongresin e Manastirit, ndihmoi edhe këtë kryengritje të madhe për çlirimin kombëtar. Ardhja në Vlorë me shpalljen e pavarësisë nuk ishte thjesht ardhje personale e Orhan bej Pojanit dhe e delegacionit korçar, por së bashku me delegacionin kolonjar erdhën për të kërkuar ndihmë për luftimet e grekut që po zhvilloheshin në viset jugore të Shqipërisë”, – thotë Gaçe.
Bëhet fjalë për zbatimin e vendimeve të Konferencës së Londrës dhe një sërë vendimesh që Fuqitë e Mëdha kishin ndërmarrë. Përpos kësaj, ai qe ftuar nga Ismail Qemali për manifestimin e 1-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. “Pas takimeve që janë zhvilluar me Kryetarin e Qeverisë dhe sidomos me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen e anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, papritur, mbas ceremonisë ai u nda nga jeta. Ai u varros në kopshtin e varrezave dhe në ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm vlonjatët, por edhe një pjesë e madhe e muhaxhirëve që ndodheshin në Vlorë nga krahina e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Tepelenës dhe nga Çamëria e Kosova.
Për këtë vdekje u shkrua: “Asht kot t’a tregojmë përshtypjen që bani kjo vdekje ndër t’afërmit e të njohmit e tij… Mbulimi u ba të dytën dit… Ishin faqas të gjithë Z. Ministra, sindekur dhe gjith npunësit të parë të qytetit. Për të parën herë, një tog ushtarësh shqiptarë i banë nderimet ushtërore, që u bahen të vdekurve të shënuar”. (“Përlindja e Shqipënies” Dhimitër Berati, Vlorë, nëntor 1913, N 27.).
Dokumentari
Një film dokumentar, me skenar të Gert Selenicës, shfaqur pak ditë më parë në Tiranë, hodhi dritë mbi këtë figurë. Stërnipi, Sokol Pojani, thotë se hapi i parë për realizimin e filmit ishte hulumtimi i durueshëm mes mijëra gazetash të viteve 1890-1913, në kërkim të çdo gjurme që kishte lënë aty Orhan Pojani. “Ky informacion më pas u plotësua duke bashkuar edhe dokumentet e gjetur në Arkivin Qendror Shtetëror si edhe dhjetëra botimeve të ndryshme të viteve të mëvonshme. Përzgjedhja e materialeve, renditja kronologjike si dhe analiza e hollësishme e tyre ishte hapi i mëtejshëm”, thotë Sokol Pojani, duke shtuar se gjatë diskutimit në familje, bashkë me prindërit, dëshira e përbashkët për ta përkujtuar Orhan Pojanin në 100-vjetorin e vdekjes ishte zanafilla e këtij filmi dokumentar.
Ai tha se në vazhdim duheshin plotësuar edhe pjesët e mbetura të mozaikut, duke filluar nga kontaktet me historianë dhe studiues të periudhës së Rilindjes. Në këtë pikë, ai veçon kontributin e Profesor Bardhosh Gaçes, i cili ka qenë një pikë e fortë mbështetjeje në evidentimin e veprimtarisë së Orhan Çerçiz Pojanit në rang mbarëkombëtar.
(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)