7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Osmani: Veriu, sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se veriu i Kosovës, vazhdon të jetë sfidë për shkak të, siç tha, “pretendimeve territoriale të Serbisë”.

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani sërish akuzoi Serbinë se mbështet “grupet kriminale” në veri të Kosovës.

“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale-kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë”, tha Osmani.

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucioneve për sundim të ligjit.

“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit e frikësimit të qytetarëve”, theksoi Osmani.

Presidentja e Kosovës e cilësoi si “ide hegjemoniste” paralajmërimin e Serbisë se do të kërkojë nga KFOR-i që t’i kthejë trupat serbe në Kosovë.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim, me përmasa agresioni, së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj [Aleksandar] Vuçiq, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999?, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që, sipas saj, do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjatë fjalimit, Osmani po ashtu foli për politikën e jashtme duke thënë se në rrafshin diplomatik, shteti ka qenë aktiv. Ajo tha se në Serbi dhe jashtë saj, ka njerëz që kjo gjë u pengon, duke theksuar se “më në fund Kosova ka politikë të jashtme”.

Osmani tha se në Kosovë më nuk ka “lobim për ndryshim kufijsh” dhe “nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale”.

“Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë Nagrono-Karabak, Abkhazi e Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë”, tha Osmani.

Më Shumë

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Lajmet e Fundit