11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

OVL-UÇK e Hasit demanton pretendimet se ka pasur baza në Shqipëri

Arrestimet e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, i ka kundërshtuar edhe dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Has.

Kryetari i kësaj organizate, Xhevdet Thaçi i ka quajtur të padrejta këto arrestime duke thëne se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të ndershme dhe të dinjitetshme.

Ai në një intervistë për KosovaPress, i ka mohuar edhe pretendimet se ka pasur baza të fshehta në Shqipëri, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë qëndruar në ato gjatë luftës.

Madje, deklaratat se në ato kanë qëndruar Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ai i quan të pavërteta, pasi thotë se po bëhen për të treguar nga krenaria se edhe ata vijnë nga një zone lufte, e ndoshta edhe për t’u ofruar me krerët e shtetit.

Ndërsa, arrestimet që ka bërë Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës, dega e Hasit i quan të padrejta.

Thaçi ka folur edhe për numrin e veteranëve të zonës së Hasin, për të cilët ka thënë se 80 për qind e tyre nuk kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe se certifikatat i kanë blerë me para.

“(akuzat) janë të fabrikuara, fatkeqësisht pa dashje edhe një pjesë e popullit tonë ose ish bashkëpunëtorëve të sistemit të kaluar, në pamundësi për ta goditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, janë bërë argat të padrejtë të kësaj gjykate. Kurse ne si organizatë e degës në Has, e vlerësojmë shumë të padrejtë arrestimin e krerëve të shtetit, njëkohësisht edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë shumë të drejtë, të ndershme dhe të dinjitetshme, dhe presim lirinë e tyre sa më shpejtë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa për deklarimet se ka pasur baza të fshehta të UÇK-së në Shqipëri, ai ka thënë se janë të pa vërteta, por janë bërë për ndonjë qëllim të mirë nga banoret, por edhe për të treguar se edhe ata janë banorë të zonës së luftës.

Thaçi ka treguar edhe për disa pika të cilat shfrytëzoheshin në atë kohë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të cilat ka thënë se janë shfrytëzuar për grumbullimin e municionit.

“Sa i për ketë bazave të UÇK-së në Shqipëri, unë kam qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në guerile, në baza i kemi quajt ato baza para 5 marsit 98. Unë flas për zonën nga vijë, unë dhe si përgjegjësi që kemi pasur. Baza i kemi quajtur aty, kur në grupe të vogla kemi ardhur nga jashtë apo nga Kosova kemi dalë në Shqipëri, për ta sjellë ndonjë armë. Gjithmonë qëllimi ka qenë për ta shtrirë luftën në tërë territorin e vendit, qëllimi dihet çlirimi i atdheut dhe kanë qenë dy baza që na kanë dhënë ndonjëherë bukë dhe kemi fjetur aty dhe kanë qenë vërtetë besnik…”

“Unë i kuptoj banorët e zonës së Hasit, pas shkuarjes në Hagë të dy liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, secili banorë i zonës atje kur ka dhënë disa intervista qëllimin e ka pasur për mirë, sepse ishte ajo krenaria që edhe ne vijmë me një zonë e cila ishte e lidhur me fatin e luftës. Pas vitit ’98 paska qenë shtëpia jem bazë dhe realisht ata nuk e kanë njohur Hashim Thaçin. Pas 5 marsit në Vlanë ka qenë një hangarë ose një lloj depo e sistemit të kaluar të Shqipërisë ku u përdorë pas majit ’98, zakonisht kanë ardhë disa uniforma nga mërgimi, aty janë deponuar për nevojat e luftës në Kosovë, por ajo ka qenë një depo e vjetër që një pjesë ka qenë edhe pa kulm”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se janë jo reale ato se çfarë thuhen për bazat e UÇK-së, pasi që strukturat e UÇK-së e kanë pasur sektorin e veçanta kur kanë kaluar në territorin shqiptarë por edhe kur janë futur në Kosovë dhe nuk ka mundur që secili banorë të ketë kontakt me këta njerëz sepse ishte e nevojshme të ishte ashtu.

Ndërsa ka shtuar se është një shtresë e dytë që rastësisht është zgjedhur në luftë dhe në pamundësi të kontrollimit të këtyre, kanë ardhur deri tek shitja e statusit të veteranit.

Kryetari i OVL-së, dega e Hasit, Xhevdet Thaçi, i cili përfaqëson edhe veteranët e Shqipërisë, ka thënë se nga numri momental i veteranëve të Hasit, 80 për qind e tyre nuk kanë qenë pjesë e ushtrisë.

Ai ka deklaruar se numri më i madh i tyre nuk janë veteranë, por vetëm mbajnë një certifikatë të cilën e kanë blerë me para ose me mito.

“Fatkeqësisht zona jonë ku përfaqësoj unë, degën e Hasit, ne përfaqësojmë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Unë kam ardh kryetar qe një vit në degën OVL, Has. Në zonën tonë janë mbi 4682 veteranë dhe shumica prej tyre ose 80 për qind e tyre, statusin për të qenë veteranë e kanë blerë me pare ose me mito, por këta nuk janë veteranë, por vetëm i posedojnë një kartelë që fatkeqësisht me turpin më të madh po e them, që ne e kemi qitë në treg dhe dikush e ka blerë atë, dhe gabimi ka qenë edhe i jonë si organizata, nuk po i fajësoj shokët, por prej politikës e deri tek organizatat kanë qenë të involvuar”, ka thënë Thaçi.

Madje ai thotë se ekzistojnë edhe fakte të cilat dëshmojnë se për dhënien e statusit të veteranit, janë dhënë shuma të ndryshme parash.

“Ne kemi argumente dhe kemi filmime që kur janë dhënë certifikatat, janë shitur nga 1500 euro deri në 5 mijë euro, dhe duke abuzuar në mënyrën më të poshtër të mundshme personat në fjalë, duke e përqeshë, duke e njollosur, u kanë shitur certifikatat, por kjo është një linjë që ka mbërri deri në komisionin qeveritar që kanë abuzuar rëndë…. Ne i njohim me emër dhe mbiemër… na është dashtë një kohë e gjatë me i ditë emrat, me i pa aplikacionet dhe me e ditë kush është nënshkrues… ato qëndrojnë në duart e mija”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa thotë se për këto fakte i kanë dërguar dy shkresa Prokurorisë së Kosovës që të hetohen këto raste, sepse siç thotë Thaçi, OVL-të në Has, është e gatshëme të bashkëpunojnë me argumente dhe jo me thashetheme.

“Numrin e saktë të veteranëve në Has, ne si degë e kemi, edhe të brigadës e kemi, edhe të logjistikës edhe të strehimit, sepse UÇK-ja fatbardhësisht, ligji e ndanë në tri kategori, veteranë luftëtarë, veteran pjesëtar dhe veteran pjesëmarrës, por fatkeqësia më e madhe është se këtu janë mbi 4682 në kategorinë e parë. Ne i kemi dërguar dy shkresa në Prokurorinë e Kosovës, na është ofruar një bashkëpunim, në një moment të caktuar do t’i publikojmë (emrat), por për arsye së është politika e involvuar nuk i kemi publikuar”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se dega e veteranëve të Hasit e ka një zyre, të cilën e ka hapur që një vit, ku i ka bërë thirrje atyre që nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së, ta dorëzojnë statusin në mënyrë vullnetare, përndryshe nëse nuk i dorëzojnë do të publikohen të gjithë emrat e tyre.

Më Shumë

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

25 vjet nga masakra në familjen Berisha në Suharekë

25 vjet më parë, forcat serbe fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas...

Dhimbja

Lajmet e Fundit