Oltion Cakolli shfleton “101 dalmatët” e Dodie Smithit, teksa lëshohet shkallëve të Pallatit të Rinisë.
Qysh para se të nisej nga shtëpia e kishte ndarë mendjen për librin që do ta blinte në edicionin e nëntëmbëdhjetë të panairit të librit “Prishtina 2017”, shkruan sot Koha Ditore.
“Doja ta lexoja këtë libër”, thekson Cakolli, nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në kryeqytet. Filloristi prishtinas thotë se edhe viteve të kaluara e ka vizituar Panairin.
Cakolli tregon se prindërit dhe mësimdhënësit vazhdimisht e kanë këshilluar të blejë libra në Panair. Të premten shoqërohej nga i vëllai.
Grupe nxënësish të shoqëruar prej mësimdhënësve janë ngjitur gjatë gjithë ditës shkallëve që shpijnë te sallat e ngjarjes më të madhe të përvitshme të librit në Kosovë.
Në sy kanë rënë më fort nxënësit e “Shkollës së Gjelbër” nga Prishtina, me uniformat e tyre të gjelbra. Por ka pasur edhe mësimdhënës, si Feride Haliti, nga shkolla fillore “Ganimete Tërbeshi”, e cila ka sjellë nëntë nxënësit e klasës së gjashtë nga Ferizaj.
“Mos shfleto, lexo!”
“Është me rëndësi që nxënësit tanë ta krijojnë shprehinë për të vizituar Panairin, ku, përveçse mund të blejnë titujt e preferuar, edhe mund të shfletojnë tituj të rinj”, ka theksuar Haliti. Pasdite ka postuar një fotografi në Facebook. “Por, pse jo, edhe mund të takohen me shkrimtarë e botues. Është një rast i mirë për kontakt më të afërt me botën e librit”.
“Mos shfleto, lexo!” është slogani i shtëpisë botuese “UETPress” nga Tirana, që rrok vëmendjen e shumë vizitorëve të Panairit. Në ballë të shtandit janë titujt për historinë e re politike të Shqipërisë, por edhe libra të gazetarëve të konvertuar së fundi në politikanë në Shqipëri.
Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se sivjet ka pasur interesim shumë më të madh në mesin e të rinjve. Madje ngulmon se ka takuar lexues të rinj që kishin lista të shkruara për titujt e preferuar.