19.1 C
Prizren
E enjte, 21 Gusht, 2025

Papa: Në kishë gjenden njerëz të dhënë pas parasë

“Në kishë ka njerëz që në vend që të shërbejnë, të mendojnë për të tjerët dhe për të hedhur bazat, përdorin kishën.” Kështu është shprehur Papa Françesku në meshën e radhës, të transmetuar dje nga Radioja e Vatikanit. “Janë ata që kapen dhe ngjiten pas parasë. Eh, sa priftërinj e peshkopë të tillë kemi parë! Është e trishtueshme apo jo?”, ka thënë Ati i Shenjtë. Sipas tij, shumë nga këta njerëz të kishës nuk ndjekin thirrjen e Krishtit: të shërbesh, t’u shërbesh të tjerëve, të mos ndalesh, të shkosh përtej dhe të harrosh vetveten.
Kur kisha është … afariste

“Kur kisha është e ftohtë, e mbyllur në vetvete e madje afariste në disa raste, nuk është në shërbim të të tjerëve. Përkundrazi, i shfrytëzon të tjerët”, ka thënë Papa. Ai i ka bërë thirrje Zotit që, “të na japë atë pjesë të nderit për të ecur përpara, duke hequr dorë nga komoditeti personal dhe që të na shpëtojë nga tundimet”. “Ekziston gjithmonë tundimi nga korrupsioni në jetën publike. Si në politikë ashtu edhe në fe. Është një tundim për të bërë marrëveshje me qeveritë. Mund të bëhen, por duhet të jenë transparente”, ka vijuar Papa. “Kisha duhet të përballet me të vërtetën dhe me dëshminë, dëshminë e varfërisë. Nëse një besimtar flet për varfërinë apo të pastrehët dhe ndërkohë bën një jetë prej faraoni, atëherë kjo nuk mund të pranohet”, ka shtuar Ati i Shenjtë.

Papa: Falje për të gjitha skandalet

Ndërsa së fundmi, Vatikani është përfshirë nga një valë e re skandalesh, ku rrëfimet e një murgeshe tronditën opinionin publik, pas akuzave për keqtrajtim, abuzim e shpërdorim të madh fondesh nga ana e një eksponenti të Vatikanit apo skandaleve të njëpasnjëshme që lidhen me çështjen e homoseksualëve apo të abuzimeve të pedofilisë, qysh në mes të tetorit, Ati i Shenjtë në fakt, pati kërkuar zyrtarisht e publikisht falje për të gjitha skandalet e konsumuara në Selinë e Shenjtë ose në ambientet nën juridiksionin e Vatikanit nëpër botë. “Në emër të kishës, unë ju kërkoj falje për skandalet që kanë ndodhur kohët e fundit në romë apo në Vatikan. Jezusi është realist dhe është e paevitueshme që të ketë skandale, por mjerë ai njeri që bëhet pjesë e këtyre skandaleve”. Kështu pati deklaruar Papa Françesku në mes të tetorit të këtij viti, para nisjes së audiencës së tij të përjavshme në Sheshin e Shën Pjetrit, veprim që u prit me duartrokitje nga dhjetëra mijë besimtarë të pranishëm. Papa në atë fjalim, nuk dha hollësi për skandalet, për të cilat ai kërkoi ndjesë. Sidoqoftë, më 3 tetor, duke i paraprirë mesazhit të Papës, një monsinjor polak, i cili punonte në zyrën doktrinale të Vatikanit që nga viti 2003, në një konferencë për shtyp pranoi hapur se ai ishte homoseksual dhe se kishte jetuar me një burrë për vite me radhë. Vatikani largoi nga detyra imzot Krzysztof Charamsa, një teolog, si dhe nga detyra e mësimdhënies në universitetet ipeshkvnore në Romë.

Papa: Falje edhe për protestantët

Një zëdhënës i Vatikanit tha se monsinjori polak bëri një deklaratë shumë të papërgjegjshme dhe se ajo synonte të bënte presion para hapjes së Sinodit dhe se në këtë mënyrë po ushtronte presion të panevojshëm ndaj mediave mbi debatin ipeshkvnor për çështjet në familje. Pasi ai u shkarkua, Charamsa në disa intervista për mediat italiane dhe spanjolle kritikoi rregullat e kishës. Me faljen e tij Papa gjithashtu do i jetë referuar një skandali me sfond prostitucioni që mori mbulim të gjerë në mediat italiane në lidhje me një urdhër të priftërinjve që të kandidojnë në famulli. Që prej zgjedhjes së tij në vitin 2013, Papa ka kërkuar falje për abuzimin seksual të fëmijëve nga ana e klerit dhe për trajtimin e kishës së protestantëve.

Më Shumë

Kontrolle në Prizren, dy të ndaluar për bixhoz të paligjshëm

Dy persona janë ndaluar, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt pas kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës në disa...

Shtyhet afati i aplikimit për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive në Rahovec

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se është zgjatur afati i aplikimit për thirrjen publike në kuadër të projektit “Banimi Social Adekuat”, i cili synon...

Thethi

Lajmet e Fundit