Lidhja afatgjatë e politikës kosovare me krimin dhe korrupsionin dhe instalimi i tij në institucionet e shtetit, krahas procesit të gjatë 18-vjeçar të shtetndërtimit, pa pikë vullneti për ta luftuar dhe eliminuar atë si sëmundje kanceroze të demokracisë së re kosovare, sipas analistëve politikë, ka bërë që kjo politikë e korruptuar kriminalisht ta ketë infektuar në një masë të madhe, edhe një pjesë të shoqërisë me virusin e korrupsionit. Për këtë pasojë tani, edhe pse qytetarët janë të vetëdijshëm se politikanë me emër e mbiemër, qoftë në nivel qendror apo lokal, janë thellësisht të korruptuar, bile shumë të kriminalizuar, ngase kanë punuar vetëm për vete e për klane mafioze, prapë të njëjtit votohen.
Ndryshe as që mund të paramendohet se si mund të jepet vota pa menduar fare përgjegjshëm për ata persona që apriori e dinë se i kanë bërë dëme të mëdha vendit dhe asnjë dobi qytetarëve. Analisti Jeton Kelmendi thotë se ky fenomen, i cili është tani vështirë të çrrënjoset pa një drejtësi krejtësisht të pavarur nga politika, por të bazuara vetëm në kriteret profesionale, është instaluar ngase në politikë kanë hyrë njerëzit, si e thotë populli, “me stupc në krah”, të paditur e të paedukuar, e që nëpërmes krimit dhe korrupsionit kanë filluar të pasurohen, të krijojnë rrjetet e tyre kriminale e biznesore, për të bërë edhe emër publik e për t’i ngjitur deri në piedestalin e institucioneve të shtetit. “Ishin njerëz nga zona të thella, të cilët rrallëherë kishin zbritur edhe në qytet, e lëre më për ndonjë nivel më të theksuar të kulturës e të civilizimit. Këta menjëherë u futën në politikë edhe duke keqpërdorur kauzat e caktuara dhe këto kauza më pastaj funksionuan për një kohë, por që natyrisht për të qenë më funksionale, për një kohë më të gjatë duhej që gjithsesi të arrihet deri te paratë. E paratë dihet që nuk mund të sigurohen shpejt e në mënyrë korrekte, por dihet se si u siguruan e u pasuruan ata”, theksoi Kelmendi.
Klientelizmi sundon në Kosovë
Analisti politik Albinot Maloku këtë fenomen e shpjegon me dukurinë e keqe të ekzistimit të fuqishëm të një politike klienteliste, e cila edhe pamundëson luftimin apo eliminimin e shpejtë të korrupsionit, që po kultivohet nga politika kosovare. “Mendësia klienteliste, e cila është krijuar në Kosovë, e që për bazë e ka nepotizmin e bërjen e gjërave përmes korrupsionit, nuk duket që mund të tejkalojë edhe aq lehtë. Kjo mendësi është duke u prezantuar si diçka që nuk çrrënjoset aq lehtë, sidomos jo me ritmin aktual të lëvizjeve as në skenën politike e as të drejtësisë”, tha Maloku. Shumë të vështirë e sheh pastrimin e shoqërisë nga virusi i korrupsionit edhe analisti Florim Zeqa. “Vërtet pastrimi i shoqërisë nga virusi i korrupsionit është çështje komplekse. Pasi jo vetëm klasa politike, por edhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile janë të infektuar nga virusi kancerogjen i korrupsionit. Për më tepër se kaq, qytetarët e vendit janë edhe të shantazhuar. Ata të cilët u janë nënshtruar vetëm një herë sindromit korruptiv nga klasa politike në pushtet apo opozitë, automatikisht janë shndërruar në robër të tyre”, theksoi ai. “Politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar, kohë pas kohe, i testojnë vartësit e tyre se a janë duke i mbajtur të njëjtat linja politike. Pa dyshim se proceset zgjedhore janë një mundësi e mirë për verifikim të besimit! Fotografimi i votës si produkt i shantazhit politik bëhet nga robërit e klasës politike të korruptuar, për të dëshmuar veten para “padronëve” të tyre, në të kundërtën rrezikojnë humbjen e vendeve të punës apo mbylljen e bizneseve të vogla familjare. Deri në këtë masë ka arritur shkalla e shantazhit politik ndaj shoqërisë civile”, potencoi analisti Florim Zeqa. “Një situatë e tillë të kujton thënien “Më mirë në varr sesa rob i pushtetarëve”. Ato që ceka më sipër i shpjegojnë arsyet, apo më mirë të themi kushtëzimet e qytetarëve për të votuar në vazhdimësi të njëjtën klasë politike të korruptuar dhe tej inkriminuar. Edhe pse qytetarët janë të vetëdijshëm se politikanë me emër e mbiemër, qoftë në nivel qendror apo lokal janë thellë- sisht të korruptuar, bile shumë të kriminalizuar, që punojnë për klane mafioze, janë të detyruar prapë të njëjtit t’i votojnë, në të kundërtën rrezikojnë ekzistencën e familjeve të tyre”, u shpreh Zeqa.
Image
Politizimi në nivele alarmante
Njohësi i fushës së sundimit të Ligjit, Blerim Burjani, vlerëson se ky është një fenomen më i çuditshëm në shoqërinë kosovare, kur të korruptuarit dhe njerëz të cilët zvarriten nëpër gjykata dhe prokurori prapë arrijnë të bëhen deputetë e ministra, e çka jo tjetër. “Pra, është e domosdoshme që të gjendet mënyra e vetëdijesimit të qytetarëve, të piqet dhe kultivohet vetëdija se nuk duhet votuar për asnjë çmim këta njerëz dhe këto subjekte politike me njerëzit e tyre të inkriminuar, pra të gjitha subjektet politike pa dallim, që tani i takojnë apo janë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai. Është një moment kyç dhe një zhvillim që gjendet në udhëkryq kërkon orientim të dejtë, ku qytetarët, klasa intelektuale dhe ajo e biznesit, duhet të bëhen bashkë dhe të ndërtojnë iniciativa të reja politike, të formojnë klasë të re politike. Ndryshe kjo e tanishmja është e degraduar plotë- sisht dhe nuk mund të sjellë ndryshime pozitive dhe ndalje të proceseve të dëmshme, sepse krijimi i rrjeteve kriminale nga përkrahës të interesave po rritet dhe madje nuk po kursehen as shkollat, arsimtarët, drejtorët e shkollave, ku të gjithë janë të infektuar nga virusi i krimit, i cili i shtyn të lobizojnë për votime të subjekteve të caktuara edhe në këto zgjedhje lokale. Tani më këto raste janë tepër të njohura që flasin dhe argumentojnë mjaftueshëm edhe politizimin e personelit arsimor, si të shkollave fillore dhe të mesme, e që është një dukuri tepër e dëmshme”, tha Blerim Burjani.
Pushteti keqpërdoret rregullisht
Sipas Hidajet Ahmetit, është vota klienteliste ajo që po e determinon shumë procesin e fituesve në zgjedhje, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror, e aq më shumë në nivelin lokal e posaçërisht në komunat e vogla dhe këtu zë fill edhe mentaliteti i ndërtimit të një shoqërie me virusin e korrupsionit. “Mund të marrim gati të gjitha komunat e Republikës, ku edhe në ato komuna ku është keq qeverisur kandidatët e atyre subjekteve ose kanë shkuar në balotazh, e çka është më e keqja në disa komuna kanë fituar pa balotazh. Është për keqardhje se si kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës kanë keqpërdorur mekanizmat e pushtetit, duke rehatuar militantët e tyre partiakë, duke shantazhuar e kërcënuar punë- torët e administratës, punëtorët shëndetësorë, por edhe stafin arsimor. Kurse përmes tendermonisë kanë instaluar një klimë të pafavorshme për operatorët ekonomikë të sinqertë e seriozë, duke montuar tenderët për klientelën e tyre biznesore, të cilët kanë financuar subjektet e tyre në kohë fushate”, potencoi Ahmeti.”Kjo ndërlidhje në mes pushtetit të korruptuar e kriminal me një pjesë të bizneseve të pista ka ndërtuar perandori të paluhatshme pushtetare, duke prodhuar kryetarë komunash të korruptuar, të pushtetshëm dhe komodë në karrigen e tyre. Gjykoj së në çdo komunë të Republikës së Kosovës ka vend për Prokurorinë e Shtetit, duke hetuar kryetarët keqpërdorues e njëkohë- sisht duke sanksionuar ata”, vlerëson Ahmeti.
(Kosova Sot)