14.8 C
Prizren
E enjte, 29 Shtator, 2022

Partitë, me slogane të “forta” për 3 nëntor

partite-politikeKanë mbetur edhe tri ditë deri në fillimin e fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Shumica e partive politike tashmë kanë përcaktuar sloganet e tyre për zgjedhjet lokale të nëntorit.

PDK-ja në këto zgjedhje lokale sloganin orientues do ta ketë “Për Kosovën Europiane”, LDK-ja “Sot Komuna, nesër Kosova”, kurse Lëvizja Vetëvendosja “Ta ndryshojmë së bashku”. Partia e Behgjet Pacollit, AKR-ja, “Ndershëm me punë”, partia e Haradinajt, AAK-ja, ende nuk është përcaktuar për sloganin e saj, por me gjasë do ta përdorë “Aleanca për Kosovën” apo të njëjtin slogan në të gjitha komunat sikurse kandidati për Prishtinën, Besnik Tahiri, “Aleanca për Prishtinë”.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Basri Musmurati, ka thënë të dielën për “Epokën e re” se kjo parti sloganin orientues do ta ketë “Për Kosovën Europiane”, por slogani zyrtar, sipas tij, do të dihet ditën kur do të fillojë zyrtarisht fushata elektorale. “Sa i përket sloganit, në një farë mënyre jemi orientuar në dy apo tri slogane. Një nga orientimet është ‘Për Kosovën Europiane’. Por ditën e fillimit të fushatës, pra më 3 tetor, do të dalim me sloganin tonë zyrtar”, ka deklaruar Musmurati. E Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) synon fitore me sloganin “Sot Komuna, nesër Kosova”, të cilin e ka bërë publik lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, në rrjetin e tij social “Facebook”. Ndërkohë që nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë të dielën për “Epokën e re” se më 3 tetor do të zyrtarizohet slogani i kësaj partie. “Është një variant dhe mund të jetë pikërisht slogani ‘Sot Komuna, nesër Kosova”, por më 3 tetor do ta bëjmë publike sloganin e LDK-së, me të cilin synojmë t’i fitojmë shumicën e komunave të Kosovës”, është shprehur Rugova.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do ta ketë sloganin: “Ta ndryshojmë së bashku”. Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje!, Dardan Molliqaj, ka thënë se ky slogan nënkupton ndryshimin e qeverisjes aktuale së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës. “Duke e pasur parasysh gjendjen që është zhvilluar për këto vite në Kosovë nga të gjitha qeveritë e deritanishme, kemi vendosur që slogani i Lëvizjes Vetëvendosje! të jetë ‘Ta ndryshojmë së bashku’. Kemi vendosur për këtë slogan sepse ndryshimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur je bashkë me ata të cilët kanë interes për të bërë ndryshime”, ka theksuar Molliqaj.
Partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re (AKR), sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do ta ketë sloganin “Ndershëm me punë”. Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë të dielën për “Epokën e re” se kjo parti ka shkuar me sloganin e njëjtë pasi ka dëshmuar këtë slogan në qeverisjen qendrore. “Edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit AKR-ja ka vendosur që sloganin ta ketë ‘Ndershëm me punë’, pra të njëjtin të cilin e kemi pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2010. Kemi vendosur kështu sepse besojmë se dinjitetshëm e kemi mbajtur këtë slogan në qeverisjen qendrore dhe do ta vazhdojmë edhe në qeverisjen lokale”, ka thënë Kusari-Lila. Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e vetmja parti nga pesë partitë më të mëdha në Kosovë që ende nuk është përcaktuar për sloganin e saj. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë të dielën për “Epokën e re” se për ta përzgjedhur sloganin më të mirë për zgjedhjet e 3 nëntorit ende nuk kanë përfunduar diskutimet brenda partisë. “Ende nuk e kemi përzgjedhur, por jemi në diskutim e sipër rreth sloganit dhe rreth elementeve të cilat do të jenë për fushatën tonë elektorale. Pra, jemi në diskutim e sipër me shtabin zgjedhor të partisë për t’u përcaktuar për sloganin më të mirë me të cilin synojmë fitoren e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit”, ka theksuar Isufi. Por me gjasë do ta përdorë “Aleanca për Kosovën” apo të njëjtin slogan në të gjitha komunat sikurse ka kandidati për Prishtinën, Besnik Tahiri, “Aleanca për Prishtinë”.

Përfaqësuesit e PDK-së, të LDK-së, të VV-së, të AAK-së dhe të AKR-së kanë paralajmëruar të dielën se do të zhvillojnë fushatë elektorale drejtpërdrejt me qytetarët në takime të ndryshme, por nuk i kanë përjashtuar edhe tubimet e mëdha elektorale në secilën komunë, ku para simpatizuesve dhe mbështetësve do të jetë i pranishëm lidershipi i të gjitha subjekteve politike. Shumica e këtyre partive fushatën më 3 tetor do të fillojnë nga kryeqyteti.

Më Shumë

Lajmet e Fundit