Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren, paralajmëron marrjen e masave ligjore kundër kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, për publikimin e të dhënave personale të zyrtarëve të saj.
Sipas këtij subjekti politik, Haskuka, duke publikuar adresat e zyrtarëve të saj, ka yshtur militantët e tij, për të marrë veprime kundërligjore.
“Haskuka, me përhapjen e adresave tona në Facebook, i ka njoftuar militantët e tij, në mënyrë që të ndërmarrin veprime kundërligjore”, thuhet në reagimin e PDK-së në Prizren.
“Kryetari, si përfaqësues i një organi publik të Komunës së Prizrenit, duhet ta dijë se bërja publike e adresave tona, në faqen e tij në Facebook, përbënë shkelje të të dhënave personale dhe në kundërshtim të plotë, me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”.
“Ne, në ditët në vijim, do të ndërmarrim veprime ligjore adekuate, ndaj këtyre veprimeve të kryetarit Haskuka, që ka shkelur dhe ka bërë, përhapjen e të dhënave tona personale dhe që ka bërë kallëzim të rremë, dje me datë: 08.04.2020”.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar dje se kanë bërë kallëzim penal, kundër kryetarit të PDK-së në Prizren, Shaqir Totajt dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në një vizitë në fshatin Korishë.
PDK, ndërkaq vlerëson se vizita është bërë në përputhje të ligjit dhe vendimeve kundër pandemisë.
“Gjatë vizitës në fshatin Korishë, ne kemi vepruar në plotni, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe vendimeve tjera në fuqi”, thuhate në reagimin e PDK-së.
“Ne kemi plotësuar kushtet e posaçme sanitare, siç është cekur në postim”.
“Po ashtu, kemi vepruar sipas urdhrave të personave zyrtar, që kanë qenë aty, për zbatimin e mbikëqyrjes së karantinës në fshatin Korishë”.
“Ne kemi shkuar, për ta ndihmuar shtabin lokal të krizës në fshat dhe me ftesë të tyre, duke pasur parasysh, se ata njerëz presin prej të gjithë neve ndihmë, në tejkalimin e kësaj krize”.
“Kryetari, në vend që të merret me ndihmë të këtyre banorëve dhe banorëve tjerë të Komunës së Prizrenit, i njëjti gjen kohë dhe njerëz, për të bërë kallëzime penale të pa mbështetura, shpifëse, shtytëse dhe përhap panik”.
“Në anën tjetër, e ka lënë Komunën e Prizrenit, qe një kohë pa përfaqësim juridik, pranë gjykatave të Kosovës. Pra, në vend se t’i shfrytëzoj ato shërbime juridike, për mbrojtjen e interesit të Komunës pranë gjykatave, Haskuka merret me shpifje, gjëra të pavërteta, përhapje të panikut, se kinse vizita jonë në fshatin Korishë, paska përhap sëmundje ngjitëse dhe shpërndan pa autorizim, të dhënat tona personale”./PrizrenPress.com/