-2.2 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Për “burrat” e Guncatit

Nga Milazim Elshani

Ju pata lakmi dikur me burrërinë tuaj që treguat në raste të ndryshme gjatë etapave të ndryshme, sidomos në organizime të ceremonive të ndryshme në fshat. Erdhën vitet e rënda të popullit tonë në trevat dardane, ku disa nga ju organizuat popullatën se si të ballafaqohet me situatën e vështirë që kishte krijuar hasmi ynë shekullor- Serbia. Disa nga shokë tuaj, as që dëshironit të dini se çka po ndodh në Kosovë, por gjithmonë në heshtje kapërcyet situata të ndryshme dhe kurrë nuk i larguam nga shoqëria, jo pse patëm frikë nga ta ose dikush tjetër por, për të mos ia qitë zanin e zi fshatit.

Sot u hap konkursi për aplikim për tri kategoritë e luftës së UÇK-së, për veteran, për invalidë dhe për dëshmorë të kombit. Kurrë nuk kisha besu se jeni kaq të ligë kur është në pyetje paraja. Tash po e kuptoj se ju edhe atëherë paskeni vrapuar në organizime të ndryshme për para, e jo për kombëtarizim.

Si është e mundur që 18 muaj luftë e sakrificë sa kam unë personalisht, (pa i llogaritur vitet para 1997), juve të mos ju shoh askund si shokët tjerë.

Si do të keni fytyrë t’i shpalosni ato certifikata në sy të familjeve tuaja kur edhe ata e dine se kush ishit dhe çfarë bëtë.

Si e ndjeni vetën kur kaloni përreth lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të kombit që ndodhet në mes të fshatit.

A ju shkon mendja se disa nga ju përveç nxënës shkolle që i kishit asgjë tjetër nuk ju lidhë me ta si: karakteri, ideali, burrëria, trimëria, flijimi etj.

Ku ishit ju kur Ata ranë për liri në vijat e frontit dhe sot janë dëshmorë?
Si e ndienit veten kur ne luftonim me gjysmë opinge, bukë e pa bukë, e ju bënit “allesh-vereshe” nëpër fshat.

Ku ishit ju kur ne organizonim tubime e manifestime të ndryshme për dëshmorë pas luftës. Ju asnjëherë nuk na treguat se jeni veteran.

A dini ju se ne e dimë që disa nga ju e kanë penguar edhe ngritjen e lapidarit të dëshmorëve në fshat.

A ju ka shkuar mendja që kur aplikuat për veteran ju do të përfitoni e ne do të heshtim?

Që jeni kaq të ligë kurrë nuk e paskam ditë. Veteran nuk bëhesh pse ke shpërnda ndihma të Kryqit të Kuq. Veteran nuk bëhesh pse ishe pjesë e Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”.

Veteran nuk bëhesh pse je fotografuar me mua gjatë luftës.

Veteran nuk bëhesh pse mua ma dhe një copë bukë gjatë luftë, sepse unë isha biri yt dhe këtë e kishe obligim.

Veteran nuk do të mbeteni vetëm pse keni aplikua.
Veteran bëhesh kur i del në mbrojtje Atdheut, atëherë kur ka nevojë.
Veteran bëhesh kur luftën e fillon dhe e mbaron me pushkë në dorë.
Veteran bëhesh kur lirinë ua sjellë brezave që vijnë.
Veteran bëhesh me vepra, jo me letra.

Ku doni me ju ba vendin atyre certifikatave kur ne shokët dhe bashkëluftëtarët e dëshmorëve ende jemi gjallë.

Qysh keni fytyrë me ardhë me mua në mbledhje, tubime, ahengje, përkujtime, manifestime etj.
Ju na mësuat se mbi të gjitha nuk është paraja, kurse tash e dëshmuat të kundërtën.
U bëtë horë o “ burra”, por dorëzoni ato certifikata se nuk jeni veteran. Ju mund të jeni pjesëtarë, por kurrsesi veteran. Mos ua mësoni fëmijëve tuaj historinë tuaj, sepse edhe ata do të ndihen të ofenduar dhe inatosur me veprimet tuaja.

Qysh mundeni ju me dhënë fëmiut tim dituri, kur ju vetë jeni të pa vetëdijshëm.

Bëheni burra e hiqni dorë nga mashtrimet, përfitimet, ozurpatimet, keqinterpretimet dhe dallaveret e ndyta.

Unë besoj se do t’u vret ndërgjegjja dhe do të bëheni burra të mirë, dhe nuk do ta pranoni një epitet të tillë si “profiter lufte”. Po, nëse ju nuk do të keni ndërgjegje për të reflektuar dhe kundërshtuar certifikatat, atëherë edhe ne nuk do të kemi ndërgjegje që emrat tuaj t’i bëjmë publike në çdo portal, gazetë, TV e radio.
Vini gishtin kokës e mendoni se çka jeni duke bërë, sepse ne kurrë nuk do të heshtim para kësaj çfarë ju po bëni me gjithë “Komandantët” tanë.

Ne nuk do të lejojmë që historia e larë me gjak të lakohet sipas qefeve të individëve profiterë.
Ne nuk do të lejojmë që ju të jeni veteranë të barabartë me ne.
Ne do të jemi gjithmonë në mbrojtje të Atdheut dhe të amanetit të dëshmorëve, kurse ju gllabëroni aq sa e keni të shkruar.

Ne do t’i publikojmë emrat, dhe ju heshtni nëse mundeni.
Ne do t’ju kundërshtojmë çdo herë, e ju mbrohuni nëse mundeni.
Ne po ndihemi dhe do të ndihemi krenarë dhe kokë lartë me atë çfarë bëmë, kurse ju, të urryer dhe kokulur.

Ne do ta vazhdojmë luftën aty ku e lamë, e ju vazhdoni me “allesh-vereshe”.
Ne ishim 67-të, kurse me ju u bëmë 150-të.
Ne Nuk do të lejojmë që ju të përfitoni nga gjaku ynë.

Turpi do të mbetet mbi ju, e ne gjithmonë krenarë dhe kokëlartë, andaj hiqni dorë, hiqni dorë, hiqni dorë.
Lavdi dëshmorëve të fshatit Ngucat, lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!
Nderime dhe respekt për veteranët dhe invalidët e vërtetë të luftës!

Më Shumë

Në Mamushë përurohet Qendra e re e Mjekësisë Familjare

Në komunën e Mamushës është bërë përurimi i Qendrës së Re të Mjekësisë Familjare Në këtë përurim morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë,...

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot parashihet të jetë jetë mot i vranët e me intervale me diell. “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Lajmet e Fundit