Fëmijët me aftësi të kufizuara në ambjentet e Institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, jetojnë në kushte skandaloze.
“Shqiptarja.com” publikon sot foton nga fjetina e këtyre fëmijëve që nuk shikojnë, ku mungojnë krevatet dhe dyshekët janë të vendosur direkt e në shesh, të ngjeshur pas njeri-tjetrit. Në këtë Institutit shkollohen fëmijë nga moshat e mitura deri në atë 15-vjeçare.
Një inspektim i hollësishëm ka zbuluar probleme të shumta për sa i përket administrimit të punës në këtë institucion shkollor, dhe kushteve jo të mira, ku ushqehen dhe flenë nxënësit me aftësi të kufizuar. Kontrolli është kryer nga Inspektoriati Shtetëror i Arsimit, i cili ka zbuluar se nxënësit që janë në kujdestari tek ky institucion, qëndrojnë në kushte jo të mira, dhe se ka mungesa në mësimdhënie e shërbime të tjera.
Flenë në shesh
Veç shkeljeve në aspektimin e administrimit të financave dhe punës së këtij institucioni, “Shqiptarja.com” zotëron disa fotografi ku duket qartë se nxënësit e verbër jetojnë në kushte jo të mira në këtë shkollë, që herë pas here ka thithur mjaft fonde, por sërisht kushtet lenë për të dëshiruar. Fotografitë tregojnë se nxënësit me aftësi të kufizuar flejnë në dyshime, pasi mungojnë krevatët. Dyshekët e tyre janë shtrirë njëri pas tjetrit në dysheme, ku ambjentet duket se i ngjasojnë një fjetine kampi azilantësh dhe jo një instituti mësimor për nxënësit me aftësi të kufizuar.
Kuzhina
Një situatë të pakëndshme tregojnë dhe ambjentet e kuzhinës së këtij instituti mësimor, ku higjena le për të dëshiruar.
Fëmijëve nuk u bëhet mësim
Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit Bashkim Muça i tha “Shqiptarja.com” se sapo kanë përfunduar një audit të imtësishëm në këtë institucion, ku janë gjetur shkelje të shumta, pasi rregjistrat për mësimdhënien kanë qënë të paplotësuar për një kohë të gjatë, dhe se mësuesit kanë marrë rrogë për ditët kur nuk kanë qënë në punë dhe skanë dhënë mësim.
Sipas Muçës, mësuesit që janë kapur me shkelje dhe që pritet të ndërmeren masa administrative janë Taulant Sheme dhe zv/drejtori i kësaj shkolle Emiljano Lule. Por në këtë kontroll të befasishëm nuk ka shpëtuar pa shkelje administrative dhe drejtori i kësaj shkolle, Xhemal Xhafa, ku sipas kreut të inspektoriatit Shtetëror të Arsimit, drejtori është në prang pensioni, dhe se neglizhenca për punën dhe kontrollin e vartësve ka qënë e theksuar.
Drejtori ka lejuar pagesën e plotë të një mësuesi, T. Sh, duke paguar këtë të fundit me pagë të plotë mujore, edhe atëherë kur ai nuk ka qënë në punë, por kjo sipas Bashkim Muçës, ka ndodhur pasi mësuesi ka shkëputur marëdhëniet me punën për arsye të një problemi shëndetësor.
Muça shtoi se drejtori i kësaj shkolle pas një muaji del pension dhe se ende nuk është vendosur nëse do ketë masë administrative për të apo jo. Por kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit, shtoi se pas përfundimit të plotë dhe analizimit të shkeljeve, do mund të rekomandojnë shkelje administrative për zv/drejtorin e shkollës Emiljano Lule dhe mësuesin T.Sh.