Dy drejtues të nëndegëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, duke shprehur pakënaqësi me mënyrën e funksionimit të degës lokale të partisë.
Çabej Nurkollari ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të nëndegës “Gani Çavderbasha”.

KLIKO VIDEON:https://www.facebook.com/reel/1430800188460424
Në një reagim publik, ai ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të rrethanave personale dhe profesionale, por edhe për mungesë bashkëpunimi brenda strukturave partiake.
“Ky vendim vjen edhe si pasojë e mungesës së theksuar të bashkëpunimit, koordinimit dhe mbështetjes nga ana e Degës, e cila ka funksionuar në mënyrë të mbyllur, me vendimmarrje të përqendruar tek disa persona të caktuar, duke anashkaluar strukturat dhe frymën demokratike”, ka shkruar Nurkollari.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për një angazhim transparent dhe gjithëpërfshirës, rrethanat e krijuara kanë pamundësuar funksionimin normal të nëndegës.
Nurkollari ka falënderuar anëtarët për bashkëpunimin dhe ka shprehur shpresën që strukturat e degës të jenë më të hapura ndaj anëtarësisë në të ardhmen.
Ndërkohë, dorëheqje të parevokueshme ka dhënë edhe Dervish Famil Ninaj nga pozita e kryetarit të nëndegës së LDK-së “Jeta e Re”.
Ai e ka bërë publik vendimin përmes një reagimi të gjatë, duke theksuar se kjo është dorëheqja e tij e dytë nga kjo pozitë.
Sipas Ninajt, hera e parë kishte ndodhur kur disa aktivistë, sipas tij, ishin detyruar të largoheshin nga angazhimi partiak për shkak të veprimeve të kryetarit aktual të degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj.

Ninaj ka shprehur pakënaqësi të thellë me gjendjen aktuale në degë, duke akuzuar udhëheqjen për degradim të strukturave partiake dhe për përfshirje të aktivistëve dhe komisionerëve në procese që, sipas tij, kanë pasur pasoja ligjore.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
“Jam i bindur se familjarët e komisionerëve të LDK-së sot e mallkojnë Driton Selmanajn për këtë të zezë që ua bëri atyre”, ka shkruar Ninaj, duke shtuar se për arsye morale dhe njerëzore nuk mund të vazhdojë të mbajë pozitë drejtuese.
“Nga sot nuk jam më kryetar i nëndegës së LDK-së ‘Jeta e Re’. Jap dorëheqje të parevokueshme”, njofton ai./PrizrenPress.com/
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren

