5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përfundon gjykimi ndaj Remzi Shalës, mbrojtja kërkon lirim e tij pasi aktakuza është kundërthënëse

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Shala, avokati Blerim Mazreku ka dhënë fjalën përfundimtare me ç’rast ka kërkuar lirimin e të akuzuarit Shala. Po ashtu, ai ka cilësuar dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si kundërthënës.

Në seancën e 7 qershorit 2023, Prokurori special Haki Gecaj, në fjalën përfundimtare, kishte kërkuar dënimin e të akuzuarit Remzi Shala,

Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë H.P nga shtëpia e tij dhe pas disa ditësh trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Mazreku fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim ku tha se qëndron në tërësi pranë saj dhe të njëjtën e ka elaboruar me gojë.

Ai tha se, Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë vërejtje, përkatësisht ka udhëzuar që të përcaktohet nëse i akuzuari Shala akuzohet si urdhërdhënës apo si urdhërzbatues në çështjen për të cilën është zhvilluar kjo procedurë.

Për këtë, Mazreku tha se gjatë këtij gjykimi janë dëgjuar shumë dëshmitarë me qëllim mënjanimi i gjetjeve, përkatësisht i të metave te konstatuara nga Gjykata Supreme. Por, sipas tij me asnjë provë materiale e as personale nuk është provuar se i akuzuari Shala gjatë kohës së luftës ta ketë pasur ndonjë pozitë udhëheqëse siç pretendon Prokuroria.

Tutje, ai tha se Prokuroria i konsideron të besueshme dhe mbështetet në deklarimet e dëshmitarit Agron Përteshi, por për deklarimet e tij tha se Gjykata Supreme në mënyrë taksative ka deklaruar se nuk mjafton për të përcaktuar nëse Shala ka qenë udhëheqës i grupit apo ka zbatuar urdhër të ndonjë udhëheqësi.

Sa i përket pozitës së të akuzuarit Shala gjatë kohës së luftës, avokati Mazreku tha se në shkresat e lëndës gjendet vërtetimi për shërbimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UCK), i lëshuar më 17 prill 2017, me të cilin vërtetohet se Shala ka qenë vetëm ushtar i UCK-së i cili ka shërbyer nga data 1 maj 1998 deri me 19 shtator 1999.

Ndërsa, sa i përket aktakuzës, Mazreku tha se Prokuroria ka bërë ndryshime e cila i quan ndryshime në terminologji. Sipas tij, këto ndryshime janë bërë për të “kënaqur” kërkesat ligjore e që udhëzimet e Gjykatës Supreme kanë qenë që të ofrohen prova, gjë të cilën nuk e ka bërë.

“Sot ju keni një dispozitiv komplet kontradiktor mes vete, ku nga privimi sot i mbrojturi im akuzohet për marrje në peng…dispozitivi do të mund të plotësohet nëse do të dilte ndonjë provë, por jo vetëm t’i vështirësohej pozita e një të akuzuari”, ka thënë Mazreku.

Kurse, për dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar, ai deklaroi se të njëjtat nuk kanë pasur relevancë për mënjanimin e të metave sipas udhëzimit të Supremes, por se shumë herë ka pasur ballafaqime mes tyre ngase ka pasur kontradikta në deklarimet e tyre.

Në fund, ai tha se pas analizimit të dispozivitit dhe provave gjykata do të shpall ëaktgjykim lirues, ngase nuk përbëjnë veprën penale të krimeve të luftës.

Me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij është pajtuar i akuzuari Shala, duke shtuar se nuk është fajtor.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje e shpalli të përfunduar. Ajo tha se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 27 qershor 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën H.P.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, A.P, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit