13.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Përkujtohet Faruk Begolli

“Artisti nuk vdes kurrë” ishin fjalët e aktorit Faruk Begolli në video-sekuencat që u transmetuan të dielën në Teatrin “Dodona”. Dhe me të vërtetë artisti nuk vdes kurrë, sepse aktori Faruk Begolli ka mbetur në zemrën e shumë njerëzve të cilët ende e kujtojnë. Një prej miqve më të mirë të Begollit që nuk e ka harruar dhe vazhdon ta kujtojë me shumë mall është aktori Luan Daka, i cili në ceremoninë përkujtimore të Faruk Begollit tha se të gjithë janë mbledhur për ta kujtuar shokun më të dashur Farukun, djalin e Begut. Sipas Dakës pedagogu Faruk Begolli asnjëherë nuk i ka dashur fjalimet dhe gjërat e ndjekura me protokoll.

“Djali i Begut nuk ka pasur shumë dëshirë për fjalime, madje e përmendte shpesh kur kishin ndonjë bisedë thoshte: shkurt e shqip pa protokoll, gjithmonë e ka pasur një ndjenjë të tillë”, tha Daka

Dhe pikërisht për këtë arsye edhe organizatorët kishin vendosur që kjo mbrëmje të jetë pa fjalime, pa protokoll, thjesht të jetë një ndjenjë me tinguj të muzikës së vjetër qytetare, sepse kjo sipas tyre është mënyra më e mirë për ta kujtuar Faruk Begollin.

Organizatori i mbrëmjes përkujtimore për Faruk Begollin, Faik Gashi tha në një prononcim për gazetën “Zëri” se të gjitha video-sekuencat që janë transmetuar kanë qenë të incizuara nga vetë ai pasi që ka qenë një person shumë i afërt me Faruk Begollin.

“Nuk e kam pasur të vështirë të gjej këto regjistrime sepse unë kam përcjellë të gjitha aktivitetet e tij, dhe kam punuar me Farukun dhe këto nuk janë materialet e vetme që i kam”, deklaroi Gashi.

Ai ndër të tjera tha se ka qenë shumë i afërt me Faruk Begollin sepse kanë jetuar në të njëjtën shtëpi, kanë punuar bashkë dhe kështu edhe kanë ndarë shumë përvoja bashkë. Sipas tij, të gjithë aktorët e suksesshëm që ne i shohim sot nëpër shfaqje, filma dhe seriale, Faruk Begolli ka qenë pedagog i tyre.

“Ka qenë kënaqësi të punosh me Faruk Begollin sepse nga ai ke mundur të mësosh shumë sepse ka qenë një njeri shumë i sinqertë dhe kuptohet ka pasur shumë përvojë”, tha Gashi.

Regjisori Faik Gashi tha se deri tani nuk po sheh ndonjë aktor që ka të gjitha virtytet e Faruk Begollit.

“Me keqardhje e them por unë nuk po shoh ndonjë aktor si Faruk Begolli, ani pse jam në rrjedha të artit, por jo vetëm në Kosovë por as në vendet që kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë nuk ka një si Faruk Begolli”, u shpreh Gashi.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe familjarët kolegët dhe njerëzit me të afërt të aktorit Faruk Begolli, i cili ka ndërruar jetë më 23 gusht të vitit 2007. Ai ka qenë një nga aktorët më të mirë në ish-Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në tërë Ballkanin. Ai ka lindur më 14 shkurt 1944 në qytetin e Pejës dhe filmat e tij më të njohur kanë qenë: “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, “10 minuta”, “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe lisi”, “Si të vdiset”, “Sulm i kuq” etj. /Zëri/

Më Shumë

Ballkani shkëputet në krye të tabelës

Kanë përfunduar katër nga pesë ndeshjet e xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ballkani është shkëputur në krye të tabelës pas fitores...

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës me stërvitje të përbashkët

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj, në stërvitjen e quajtur “Golden Saber 2024”. KFOR-i ka njoftuar se...

Lajmet e Fundit