Shtatë persona po gjykohen për rastin e rrëmbimit të djalit të pronarit të restorantit “Beska” në Prizren. Mërgim Shkreli kishte paguar 100,000 euro për lirimin e djalit të tij Gentianit.
Shtatë dëshmitarë janë dëgjuar sot në gjykimin e 7 personave, të cilët akuzohen për rrëmbimin e djalit të biznesmenit Mërgim Shkreli
Në rastin e njohur si “Beska”, sipas emrit të restorantit të të dëmtuarit, sot është dhënë fjala hyrëse.
Avokatët e të akuzuarve e kundërshtuan aktakuzën, duke e quajtur si të pabazuar në prova dhe shprehën besimin e tyre se në fund të gjykimit do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturve të tyre.
Avokati Bashkim Nevzati, i cili i mbron të akuzuarin Selami Shoshaj, kërkoi që prova për identifikimin e zërit të të akuzuarve të ndahet si e palejuar, pasi që është marrë në kundërshtim me ligjin.
Ai për KALLXO.com tha se kjo provë është marrë nga personat të cilët nuk janë të thirrur dhe të akuzuarit kanë qenë me pranga kur është marrë kjo provë.
“Po është një provë, e cila në seancat e mëparshme është vërtetuar se është marrë në mënyrë të parregullt dhe natyrisht nga personat të cilët nuk janë të thirrur me marrë atë provë. Është çështja e identifikimi të zërit. Nuk kanë qenë prezentë personat e duhur, gjegjësisht të akuzuarit kanë qenë të prangosur”, tha ai.
Në këtë shqyrtim u dëgjuan shtatë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe i rrëmbyeri Gentian Shkreli e babai i tij Mërgimi.
Me përjashtim të dëshmitares Atifete Veshalli, për dëshmitaret e tjerë avokatët nuk kishin pyetje, pasi ata thanë se qëndrojnë në deklaratat e dhëna më herët.
Dëshmitaren Veshalli e pyeti i akuzuari Shukri Krasniqi se në çfarë gjendje e ka parë djalin e saj, tani të akuzuarin Leonard Veshalli, kur e ka vizituar në paraburgim. Ajo tregoi se djali i saj ka qenë i mavijosur në fytyrë dhe ka pasur dorën e lënduar.
Ndërsa në pyetjen se nga i ka marrë këto lëndime dhe pse, ajo tha se lëndimet i kishte marrë nga Enes Xhema, “i cili e kishte detyruar të deklarojë në Polici se pjesë e rrëmbimit të djalit të biznesmenit “Beska” ishte edhe Shukri Krasniqi”.
Sipas aktakuzës, më 14 shtator të vitit 2011, Bashkim Krasniqi dhe Selami Shoshaj e kishin rrëmbyer Gentian Shkrelin, të cilin e kanë mbajtur në një shtëpi në Rrugën e Kalasë.
Ndërsa, Besim Paçarizi, Beqir Dangallaj dhe Fatmire Rexhëbeqaj (të tre të punësuar në Policinë Rajonale të Prizrenit, tash të suspenduar), akuzohen për kryerje të veprës penale ndihmë në bashkëkryerje të rrëmbimit të personit.
Ndërsa të pandehurve Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli aktakuza për veprën penale të rrëmbimit u është ngritur më vonë, në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.
Ky gjykim ishte gati në përfundimin e procedurës së provave, mirëpo në vitin 2013 kryetarit të trupit gjykues Xhevdet Elshanit iu keqësua gjendja shëndetësore dhe nga ajo kohë nuk është mbajtur asnjë seancë.
Prokuroria bën të ditur se të akuzuarit për lirim i kërkuan babait të Gentianit 100,000 euro. Mërgim Shkreli pastaj paratë e kërkuara ia kishte dhënë një personi të maskuar, i cili pasi i kishte marrë paratë ishte larguar me shpejtësi drejt Kalasë.
Në të njëjtën kohë Gentian Shkreli ishte liruar.
Seanca do të vazhdojë edhe nesër me procedurën e provave.