22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Poeti lind, historiani bëhet

ZefMirditaPublikohet në Zagreb një përmbledhje e studimeve albanologjike të botuara deri më sot, kushtuar njërit prej historianëve më cilësorë që ka realisht bota shqiptare, Zef Mirditës.

Maksima e njohur latine Poeta nascitur, historicus fit (Poeti lind, historiani bëhet), ka shërbyer për të titulluar njërën prej përmbledhjeve më të rëndësishme të studimeve albanologjike të botuara deri më sot, përmbledhje e cila i është kushtuar njërit prej historianëve më cilësorë që ka realisht bota shqiptare. Ky festëshkrim i kushtohet Zef Mirditës, një personaliteti të përveçëm të shkencës dhe kulturës shqiptarë, në shenjë mirënjohje për punën e madhe dhe të gjatë kërkimore shkencore për gati 50 vjet, veçmas për kohën që ai kaloi në institutin për histori kroate, në vitet 1993-2004, si dhe kohën tjetër mbasi del në pension, kur instituti kroat bazuar në kompetencën dhe vullnetin e Prof. Mirditës e ka mbajtur atë aktiv si anëtar të përhershëm të vetin pranë këtij instituti me punë dhe projekte të tjera kërkimore shkencore. Prof. Zef Mirdita me punën e tij kërkimore-shkencore përbën një pikë referimi me rëndësi në rrethet shkencore shqiptare, kroate, por edhe ato ballkanike, europiane dhe botërore. Publikimi i këtij libri në Zagreb, aty ku tradita e studimeve albanologjike ka qenë e hershme dhe kryesisht falë faktit se aty kanë vepruar një varg i gjatë albanologësh si Šufflay, Truhelka, Ra?ki etj., e ku sigurisht kryet e vendit e zë Milan Šufflay, që është një nga emrat më eminentë të albanologjisë, tregon se Zagrebi përfaqëson një qendër albanologjike me rëndësi dhe që me këtë botim shpërblehet me mirënjohje për kontributin e dhënë. Mendoj se botimi i këtij libri do të nxisë të tjerë studiues kroatë që të merren më tej në të ardhmen me Shqipërinë e për rrjedhojë ndoshta hapjen e katedrave dhe kurseve të kroatishtes dhe shqipes respektivisht ne Zagreb dhe Tiranë, çështje e cila ngrihet më të drejtë në parathënie të botimit. Botimi paraqet në një farë mënyrë edhe një arritje suksesive të studimeve albanologjike në rrafshin kombëtar dhe veçanërisht atë ndërkombëtar. Kjo për faktin se autorët e përfshirë në të janë studiues të mirënjohur në nivel ndërkombëtar që albanologjinë e kanë objekt parësor në studimet e tyre, ndaj botimi përbën një referencë të pashmangshme studimore shumëdisiplinare dhe në këtë aspekt që do t’i vlejë cilitdo që do t’i duhet të merret me studime rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. /Mapo/

Më Shumë

Lajmet e Fundit