16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Poezia dhe gjinjtë e silikonit / Ilire Zajmi

Shkruan: Ilire Zajmi

Çfarë vlerash mund të përfaqësojë poezia në një shoqëri moderne, protagoniste të “buzëve e gjinjve të silikonit”? Nëse roli i poezisë do të duhej të përfaqësonte vlerat humane dhe poeti nuk do të duhej të flliq duart e as gojën duke marrë pjesë nëpër spektakle mode, debate televizive trushpëlarëse ku flitet për anomalitë dhe absurditetet që e karakterizojnë epokën tone, atëherë as puna e “gjinjve të silikonit” nuk do të duhej të bëhej objekt analize e diskutimi në webfaqe e portale të shumta, nëpër revista e magazine që mbijetojnë nga bëmat e të quajturve VIP-a, në një shoqëri që ka harruar çka do të thotë të lexosh libra, të dallosh vlerat nga antivlera, silikonin nga e natyrshmja etj.

Për ata që e shkruajnë , poezia është ngushëllim i shpirtit, art i të jetuarit, sintezë ekstreme e fjalës. Poezia është amalgam e dhimbjes së individit, pasqyrë e historisë. njerëzore. Ky art magjik, përdhoset nga kiçi, shundi e risitë teknologjike e shkencore, që shpeshherë shkojnë ndesh natyrës e fenomeneve të ndryshme të qenies sonë. Padyshim se fenomenet si këto, kur silikoni bëhet faktor më i rëndësishëm se çdo vlerë tjetër në shoqëri, e godasin rëndë poetin dhe poezinë. Si mundet poezia të mos i nënshtrohet trendëve të kohës që po kalojmë, dhe të ruajë vlerat e saj thelbësore. Të jetë e lexuar, e vlerësuar, e kritikuar?! Detyra e parë është leximi, për të cilin është shkruar shumë herë. Ku janë lexuesit, kush janë lexuesit, adhuruesit e artit të privilegjuar, injorantët, apo anti poetët, shkrimtarët, gjuhëtarët, adhuruesit e figurave, fonemave, pikave e presjeve artistike. Kategoria e të parëve, është një armatë e vogël lexuesish.

Poezia është e vështirë për tu kuptuar, për tu ndjerë e interpretuar. Ajo mund të trajtohet si shumëdimensionale, për t’u perceptuar e përjetuar sipas shijes individuale. Kategoria e dytë, është e shkrimtarëve, atyre që shkronjat i radhisin në letrën e bardhë dikur, sot në monitor kompjuteri . Ata lexojnë poezitë e tyre, lexojnë edhe ato që shkruajnë të tjerët. Lexojnë dhe lexohen. Prandaj, në kontekstin e tendencave moderne, pavarësisht nivelit të lexueshmërisë në një shoqëri, druaj se vlera e poezisë mund të bëhet objekt kundërthëniesh, zbehjesh, pikëpyetjesh. Të eliminohet nga diskurset kulturore, mediale etj. Përkundër rreziqeve, vlera e saj mbetet e pacënueshme, sepse ajo është “arra e fortë e mendjes” në kuptimin kosmologjik të njeriut. Tendencat si kjo e silikonëve në buzë, në gjinj, ngjarje këto kaluese, të mira e të këqija, jam e bindur se do të tejkalohen. Mbeten të gjalla shenjat materiale e sintetike, estetike e artistike të artit të poezisë. Mbeten gjurmët e pranisë së poetëve në universin në të cilin jetojmë.

Qëndrueshmëria e vlerave të poezisë nuk varet as nga gjërat kalimtare, as nga tendencat e një shoqërie që vlerëson vetëm pamjen e jashtme, dukjen, artificialen, të paqëndrueshmen. Poezia nuk është produkt i momentit, që mund të blihet e të shitet varësisht nga tendencat e tregut. Varësisht nga kërkesat trendi për “buzë të fryra” “gjoksa silikoni” botoks e lifting që të maskohen gjurmët e moshës, ngjyra floku që të fshehin të thinjurat etj. Ajo mund të bie pre e këtyre “kërkesave të kohës”, pasi shpeshherë manipulohet, fryhet e shfryhet, mirë përdoret e keqpërdoret varësisht nga nevojat e autorëve e të lexuesve. Ashtu si te silikoni vepron kirurgjia plastike, edhe te poezia vepron një lloj kirurgjie e fjalës. Varësisht se kush operon, bën edhe prerjen e figurative, metaforave e mjeteve të tjera stilistike të kirurgjisë gjuhësore poetike. Dallimi mes dy llojeve të kirurgjisë qëndron te marketingu.

Te kirurgjia plastike, silikoni është hit, modelet, këngëtaret me “buzë të fryra e gjinj silikoni” marrin mijëra klikime në internet, mbushin faqet e gazetave me gjinj e prapanica të zbuluara. Poezia bën pjesë te estetika, natyrisht jo ajo kirurgjike, por nuk mund të arrijë kurrë një nivel të lakmueshëm marketingu, edhe pse do thënë se rrjetet sociale kanë ndikuar mjaft në përhapjen e artit e të letërsisë në përgjithësi. Përveç poetevë dhe lexuesve të paktë, kirurgjinë e fjalës nuk e çmon kush. Masmediave, internetit, rrjeteve sociale nuk iu sjell popullaritet ky lloj arti, sa iu sjell shikueshmëri e klikime ndonjë VIP buzëfryrë e gjokspërpjetë. Kjo është fare e natyrshme dhe e kuptueshme, sepse vetë natyra e poezisë është e vështirë për t’u perceptuar, për t’u përhapur, e interpretuar.

Poezia nuk është sëmundje ngjitëse si puna e silikonit. Edhe nëse do të duhej të intervenohej në çfarëdo mënyrë për t’u rritur vlerat dhe popullariteti i saj, konsideroj se është e kotë, sepse nuk është asnjëri i paaftë që nuk e kupton , nuk mund ta deshifrojë, por është në vetë natyrën e poezisë të jetë kundër çdo forme të komunikimit. Sepse poezia është vetvetiu komunikim, botë me vete.

Poetët duhet ta bëjnë poezinë interesante për ta sjell në qendër të vëmendjes. Tekefundit, dikush e shkroi se Dante arriti që edhe ferrin ta bëjë interesant. Prandaj edhe silikoni është sfidë për poezinë, ashtu si gjithçka tjetër në shoqëritë konsumuese. Elias Canetti ka shkruar se poezia nëse do të shërbente për diçka, atëherë do të duhej të ishte në gjendje të ndalonte edhe luftën.

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

Në Rahovec vidhet filtri për pastrimin e mbeturinave në lum

Në Rahovec është vjedhur filtri që shërben për pastrimin e mbeturinave në lum. Siç shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, vlera e...

Lajmet e Fundit