Policia e Kosovës për të menaxhuar me situatën e sigurisë gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe për Vitin e Ri, ka hartuar dhe zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe prezencës policore në lokacione apo ambiente ku pritej të ketë përqendrim apo prezencë më të madhe të qytetarëve gjatë festimeve.
Në njoftimin për media nga Policia e Kosovës, thuhet se në fokus të këtij urdhri operativ, përveç ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ka qenë mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare përfshirë aeroportin ndërkombëtar.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit. Mund të veçohet një rast në Prishtinë, i cili në konsultim me prokurorin policia e ka iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rreziku për jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Megjithatë, Policia e Kosovës uron të gjithë qytetarët që ky vit i ri (2024) të jetë vit i mbarë për të gjithë, të jetë vit i vazhdimit të bashkëpunimit dhe transparencës, gëzimit të lirisë dhe të drejtave njerëzore pa dallim, ku qytetarët e të gjitha komuniteteve të jetojnë dhe veprojnë të sigurt, të qetë dhe në harmoni të plotë me njëri tjetrin.