Derisa Republika e Kosovës po përgatitet për shënimin e përvjetorit të nëntë të pavarë- sisë dhe realitetit të ri pas luftës, as qytetarët dhe as vetë lidershipi aktual nuk mund të krenohen me nivelin e deritanishëm të zhvillimit dhe forcimin e shtetit të ri. Por, kush janë fajtorët për këtë situatë alarmante? Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se ka shumë faktorë që e kanë sjellë Kosovën në një qorrsokak, por faktori vendimtar është klasa politike udhëheqëse e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme.
“Kapja e institucioneve të pavarura të shtetit nga politika dhe segmentet e tyre, e sidomos kapja në sistemin e drejtësisë, për qytetarin do të thotë padrejtësi. Kur interpretohet fakti i mbetjes së shtetit pa drejtësi, atëherë konkluzioni del se qytetari nuk ka shtet ku të drejtohet, pasi ai sundohet nga klanet mafioze dhe grupeve të interesit”, ka thënë ai.
Pasurimi korruptiv i politikanëve
Sipas Hidajet Ahmetit, dështimi i madh në zhvillimin ekonomik të vendit vjen sidomos nga pasojat e ndryshimeve strukturore në fushën e ekonomisë, kalimit në ekonominë e tregut nëpërmes procesit të privatizimin të manipuluar, që doli të mos i përmbush pritjet për zhvillim në interesin qytetar.”Nga procesi i privatizimit nuk ka dyshim që Kosova humbi ekonomikisht, por nga kjo fituan dhe u pasuruan disa politikanë. Politika i zhyti thellë duart te privatizimi, ku njerëz të afërt me pushtetin blenë ndërmarrje të vlefshme, ua ndërruan destinimin, duke shkelur kontratat. Nuk kërkohet ndonjë analizë e thukët, por nga vetë proceset e privatizimit një qytetar i rëndomtë e di se politika kryekëput ka pasur ndikim në këtë proces, duke parë destinimin e atyre pasurive, të cilat janë bërë menjëherë mbas privatizimit.
Nga ky proces i privatizimit, i bërë pa asnjë kriter, kryesisht qëndrojnë politikanë dhe njerëzit e lidhur me ta”, tha Hidajet Ahmeti. Ai ka pohuar se, nëse analizohen me vëmendje të gjithë indikatorët, mund të konstatohet se edhe sistemi arsimor në shtetin e pavarur të Kosovës është i kapur nga qeveritë pas shpalljes së pavarësisë, që e kanë qeverisur vendin nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
“Të rinjtë, të pashpresë në qeveritarët e korruptuar, kanë zgjedhur shtetet e BE-së për të mbijetuar, të vetëdijshëm se diplomat që i kanë marrë janë të pavlera, sepse Kosova udhëhiqet që nga 2008 pa strategji dhe pa program ekonomik, që do të garantonte një treg efikas të punës me aftësi absorbuese për punësim. Qeveria e Kosovës, në vend që të trajtojë arsimin si prioritet kombëtar, si çdo shtet normal, e ka shndërruar atë në një vatër për biznes dhe për t’i strehuar militantet e vet partiakë”, tha analisti Hidajet Ahmeti. “Nga gjitha këto procese degraduese që po i ndodhin shtetit të Kosovës, nga matrapazët dhe analfabetët, e vetmja shpresë është zgjimi qytetar”, tha Ahmeti