16.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

“Pop-up” tubon artistët shqiptaro-amerikanë në New York

Ngjarja tashmë e përvitshme “Pop-up” këtë edicion do të mbledhë artistët dhe talent të komunitetit shqiptar në New York.

Rrjeti i Ndërmarrësve dhe Profesionistëve Shqiptarë (APEN), organizata e vetme joqeveritare që i shërben komunitetit shqiptaro-amerikan, po bashkëpunon me artistin dhe kuratorin shqiptar Alkan Nallbani, për të katërtën herë me radhë, raporton “webvire”.

Ngjarja do të zërë vend me datën 27 dhe 28 të këtij muaji. Nallbani, i cili do të ketë edhe rolin e kuratorit në këtë ngjarje, deri më tani ka kuruar ekspozita të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë Shqipërinë, Italinë dhe “New Museum” në New York City. Puna e Nallbanit njihet në skenën ndërkombëtare e në “Pop-up” do të shpalosë disa prej veprave të tij, përderisa do të bëjë përzgjedhjen e secilës vepër që do të prezantohet.

“Është emocionuese për mua të punoj me APEN për ‘Pop-up’, ngjarjen që do të mbahet në ‘Meatpacking District’”, ka thënë Nallbani, i cili qysh në moshën tetëvjeçare iu fut botës së artit e në moshën 17- vjeçare ishte një prej studentëve më të vlerësuar në klasë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Nallbani përveç artit shumë herët nisi të përfshihet në politikë. Mori pjesë në protestën e studentëve në vitet ’90, kur u shemb regjimi diktatorial në Shqipëri. Në vitin 1996 emigroi në Itali, ku ende jeton dhe punon. Ka krijuar lidhje të mira edhe në ShBA dhe për këtë tash vepron midis New Yorkut dhe Firences. Prandaj edhe bashkëpunimi me shqiptarët për të është i rëndësishëm.

“Sigurisht se aspekti personal luan një rol tek unë kur punoj me talent aq të mrekullueshëm që janë në mesin e komunitetit tonë shqiptar këtu. Jam fort krenar që marr pjesë në një ngjarje kaq pozitive që promovon artin, talentin dhe kulturën”, ka shtuar Nallbani, i cili u lind dhe u rrit në Shqipëri.

Që nga viti 2007, APEN ka shërbyer si urë lidhëse e qindra shqiptaro-amerikanëve, në industri të ndryshme brenda hapësirës së tri shteteve, duke krijuar ambient mbështetës për të shënuar arritjet e shqiptarëve duke krijuar edhe ura lidhëse midis atyre që kanë të njëjtin sfond.

“Shqiptaro-amerikanët kanë qenë pjesë e rëndësishme e New Yorkut për dekada me radhë”, ka thënë bashkëkryetari i APEN, Nick Nikic. “APEN ka nderin të shfaqë vlerat artistike të komunitetit tonë në një prej lagjeve më të famshme të Manhattanit”, ka shtuar ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit