9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje të pyllit në Malishevë, shpallja e aktgjykimit bëhet nesër

Ismet Morina e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vjedhje pylli, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pasi që me pëlqimin e të akuzuarit aktakuza u konsiderua e lexuar, i njëjti u deklarua fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po e vërtetë është, për nevoja të mija jam shku, jam rast social, e kom ba nga gjendja e rëndë ekonomike”, deklaroi i akuzuari Morina.

Tutje, Morina shtoi se është edhe përfitues i ndihmës sociale dhe për këtë si dëshmi ia paraqiti gjykatës kartonin social.

Prokurori Anton Hasanaj tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi sipas tij, një akt i tillë ka mbështetje në provat materiale në shkresat e lëndës.

I njëjti i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptoj nga një dënim meritor konform ligjit, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Më pas, gjykatësi Lulzim Paçarizi me aktvendim e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari dhe shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 25 shkurt 2022.

Ndryshe për të dëmtuarën, Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural-Njësia pyjore në Malishevë, gjykatësi Paçarizi deklaroi se nuk prezanton askush edhe pse kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Gjakovë më 31 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Ismet Morinës, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” në vazhdimësi, nga neni 349, paragrafi 1, lidhur me nenin77, të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të parë aktakuzës, i pandehuri më 16 shtator 2020, rreth orës 11:45, në Rajonin Ekonomiko Pyjor “Dubrava” në Malishevë, me qëllim të përvetësimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, në vendin e quajtur “Quka e Kevës”, me sharrë motorike i ka prerë 289 copë drunjë të llojit “Çarr”, me diametër 7cm, me gjatësi 3m, me vëllim të përgjithshëm 2.31m³.

Me këtë thuhet se Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural-Njësia pyjore në Malishevë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 369.60 euro.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri më 9 nëntor 2020, rreth orës 13:30, në Rajonin Ekonomiko Pyjor “Dubrava” në Malishevë, me qëllim të përvetësimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, në vendin e quajtur “Llokma te Pishat”, me sharrë motorike i ka prerë 169 copë drunjë të llojit “Çarr”, me diametër 7cm, me gjatësi 4m, me vëllim të përgjithshëm 2.20m³.

Me këtë thuhet se Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural-Njësia pyjore në Malishevë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 352.40 euro. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Policia e Kosovës ka një apel për shoferët: Kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje drejtueseve të automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend. Në...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit