11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Prizren/ Dështon gjykimi ndaj policit që akuzohet se pa dokumentacion lejoi të hynin në Kosovë punëtorë të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri

Ka dështuar të nis gjykimi ndaj zyrtarit policor në Prizren, Avni Ajdini, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte mungesa e të akuzuarit Ajdini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 29 nëntor 2019, në ora 10:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 29 tetor 2019, i pandehuri Avni Ajdini akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se më 5 qershor 2019, rreth orës 12:53, në pikën kufitare të Vërmicës, si zyrtar policor, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, e cila drejtohej nga Enkeled Cala, së bashku me persona të huaj, punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hyjë në Republikën e Kosovës në kundërshtim me procedurat kufitare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ajdini, u ka mundësuar këtyre personave të hyjnë në Republikën e Kosovës pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar dhe duke mos bërë verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit