9.5 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Prizren/ Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane, vazhdon mbrojtjen e tij njëri nga të akuzuarit

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar mbrojtjen e tij, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, i akuzuar për mashtrim me viza pune gjermane.

Bashkë me Hoxhën, akuzohet edhe Besim Rexhaj, se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Gjithashtu, në këtë rast, akuzohet edhe Veprim Rexhepi, që sipas aktakuzës, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Ruzhdi Gashi, i akuzuari Flamur Hoxha ka deklaruar se biznesi “MNP Personal Leasing SHPK”, është firmë për ndërmjetësim për punësim jashtë vendit, ku sipas tij, pronar i këtij biznesi është Besim Rexhaj.

Ai ka thënë se ky biznes i ka paguar atij qira pasi që ka qenë i vendosur në objektin e shkollës “DBBS”.

“Po ka paguar qira pasi që ka qenë i vendosur në objektin tim në shkollën DBBS, afër Kishës Katolike këtu në Prizren, gjithashtu posedojmë kontratën e lidhur në mes të DBBS dhe MNP-së, ku është cekur që për shfrytëzimin e hapësirave pagimi i qirasë 800 euro në muaj, gjithashtu ka qenë pagesa për çdo kandidat që shfrytëzon kurse në DBBS paguan 50 euro per person ne muaj”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka thënë se “MNP Personal Leasing SHPK”, në muajin mars të vitit 2017, ka bërë ndryshimin e emërtimit në “Staf Reukruitet Balkan SHPK”, por sipas tij, sa i përket statusit të pronarit nuk ka ndryshuar asgjë, pronar përsëri ka qenë Besim Rexhaj.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special, Afrim Shefkiu, i akuzuari Hoxha, ka deklaruar se shkolla “DBBS”, ka ofruar kurse të gjuhës gjermane, pas orarit të mësimit nga ora 16:00-20:00 me pagesë mujore, secili me nga 50 euro, ku këtë kurs sipas tij, e kanë shfrytëzuar nxënësit, qytetarët e thjeshtë në këtë rast edhe klientët e Besim Rexhajt.

Sipas tij, në marrëveshjen e nënshkruar me profesorët e gjuhës gjermane për shfrytëzimin e hapësirave të kësaj shkolle, për kurs të gjuhës gjermane pas orarit të mësimit, profesorët kanë pasur obligim që shkollës t’i paguajnë obligimet për energjinë elektrike, ngrohjen dhe asgjë tjetër.

Ai po ashtu ka thënë se kontrata me kandidatët nuk ka paraparë punësimin në Gjermani.

“Kontrata ka parashikuar kandidatët që përfundojnë me sukses aftësimin profesional në DBBS në Kosovë në drejtimin që e kanë ndjekur certifikohen nga DBBS, por gjithashtu duhet të certifikohen në gjuhën gjermane në niveli B1, në institutin “Gote”, atëherë kandidati shkon në ndonjë firmë gjermane për praktikë tre mujore pa pagesë”, ka thënë Hoxha.

I akuzuari Hoxha ka përsëritur disa herë se ai dhe shkolla të cilën e drejtonte nuk ka premtuar asnjëherë se kandidatët e saj do të punësohen me viza pune në Gjermani.

“Sa i përket DBBS-së, asnjëherë nuk është premtuar se do të punësohen me viza pune në Gjermani, jashtë asaj që të njëjtit të kenë praktikë 3 mujore pas përfundimit të aftësimit profesional, ndërsa sa i përket klientëve të dëmtuar që janë dëgjuar nga MNP Personal Leasin SHPK, ata edhe këtu kanë deklaruar se pagesat i kanë bërë tek Besim Rexhaj, dhe kanë aplikuar në Korishë, shumica e tyre por edhe tek zyrat e Besimit, në hapësirat e shkollës ku aty nuk e di çka është premtuar”, ka deklaruar Hoxha, ku sipas tij, “DBBS” dhe “MNP”, kanë qenë biznese të ndryshme me pronarë të ndryshëm.

Ai tha se klientët që kanë bërë pagesë tek “DBBS”, kanë qenë klientë të saj, ku ata kanë bërë pagesën përmes bankës me këste në vlerë prej 625 euro për çdo tre muaj.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësi të dëmtuarit Shpenzim Bytyqi, avokati Sefer Morina, se a është e vërtetë se në “DBBS”, kandidatët kanë paguar nga 2500 euro, i akuzuari Hoxha, ka deklaruar se nuk e din.

“Nuk e di, se nuk jam marrë me financa, ka qenë personi i punësuar për këtë çështje ka qenë Zajmir Zajmi, ku ka qenë i punësuar si ekonomist i DBBS-së”, ka thënë ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të dëmtuarve Alban Veseli dhe Korab Berisha, avokatit Leotrim Syla, i akuzuari Hoxha, ka deklaruar se klientët në fjalë nuk janë dërguar në praktikë sipas kontratës, pasi që të njëjtit nuk e kanë kaluar testin e gjuhës gjermane.

Më pas trupi gjykues për shkak të përfundimit të orarit të punës e ka ndërprerë seancën e së enjtes, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 20 dhjetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Flamur Hoxha etj.

Më Shumë

Ikja nga vetmia

Enver Sulaj Ti s'e ndien fluturimin e kohës së rëndomtë Që për mua është ikje e pakthyeshme Si plumbi drejt zemrës së trishtuar. Në asnjë pikturë nuk gjenden...

Zyrtarët e Shërbimit Korrektues në Prizren dhuruan gjak për nder të festave të nëntorit

Në kuadër të festave të nëntorit, një grup zyrtarësh nga Qendra e Shërbimit Korrektues në Prizren dhuruan gjak vullnetarisht për nevojat e Qendrës së...

Lajmet e Fundit